Pasardhësi i Viktor Pontës, Dacian Ciolos, një ish-komisioner europian për bujqësinë, ka premtuar një qeveri të re teknokratësh që do të dëgjojë shoqërinë.
Presidenti Klaus Iohannis të martën nominoi ish-komisionerin europian Dacian Ciolos si kryeministrin e ri pasi Viktor Ponta dha dorëheqjen pas zjarrit në klubin e natës ku u vranë të paktën 48 persona.
“Na duhet një kryeministër i pavarur, një person i pastër që nuk është përfshirë kurrë në skandale… por i cili gjithashtu ka qenë në gjendje të përballet me situata të vështira. Në një kontekst të tillë, nominimi im është Dacian Ciolos,” tha Iohannis.
Ciolos tha se qëllimi i tij është të formojë një qeveri të mbështetur gjerësisht te teknokratët për ta drejtuar vendin deri në zgjedhjet e dhjetorit 2016.
“Po planifikoj një qeveri specialistësh… Ne duhet të hapim qeverinë dhe administratën publike ndaj shoqërisë që ta dëgjojnë atë dhe t’i marrin vendimet së bashku,” shtoi ai.
Ciolos, 46 vjeç, ka qenë Komisioner për Bujqësinë në ekzekutivin e drejtuar nga José Manuel Barroso.
Përpara se të bëhej komisioner në vitin 2009, ai ishte ministër bujqësie nga tetori 2007 deri në dhjetor 2008 në kabinetin e Calin Popescu-Tariceanu dhe më parë i deleguar i Komisionit Europian në Rumani.
Ciolos ka vetëm 10 ditë të formojë një program qeveritar dhe të zgjedhë ministrat e tij përpara se të kërkojë një votëbesim në parlament.
Nëse dështon, presidenti mund të gjejë një tjetër kandidat dhe nëse parlamenti nuk e miraton as zgjidhjen e dytë, do të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme.