Juristi i të drejtave të njeriut Darian Pavli shprehet për BIRN se në Shqipëri është krijuar një sistem që nuk ka garantuar as pavarësinë apo distancën nga politika dhe as integritetin e gjyqësorit.
Për juristin e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, është e nevojshme vazhdimisht një reformë dhe sidomos me vende me demokraci të re, si Shqipëria. Për mendimin e tij, kushtetuta shqiptare ka qenë e mirë, por është normale në një Demokraci të re që të ritestohen periodikisht zgjidhjet e ngrehinës kushtetuese. Dhe, qëllimi është i thjeshtë të shikohet nëse: arkitektura vazhdon të jetë e përshtatshme për nevojat e familjes politike. Nga ana tjetër, ai beson se shoqëria shqiptare e mirëpret Reformën pasi është në një stad të ri: “Besoj se shoqëria shqiptare është gati për një Reformë të thellë së të gjithë sistemit të Drejtësisë. Gjykatat dhe Prokuroria kanë një nivel kredibiliteti publik të mjerueshëm për një vend që e konsideron veten shtet të së Drejtës. Pyetja e madhe është nëse politika është gati të luajë rolin e vet. Siç e dimë, ndryshimet kushtetuese kërkojnë 2/3 e votave në Kuvend, pra një konsensus të gjerë. Në të njëjtën kohë, publiku duhet të sigurohet që ndryshimet do të sjellin jo vetëm një gjyqësor më të pastër, por edhe të izoluar mirë nga pushteti ekzekutiv, sot edhe nesër”, thotë ai.
Institucioni juaj (SOROS), që po asiston Reformën ka filluar punën që më parë për reformën në Drejtësi, por në një bazë shumë reale, falë sondazheve, fokus-grupeve dhe përgatitjes të dokumenteve teknike me të gjithë aktorët në sistemin e drejtësisë, duke filluar që nga studentët e fakulteteve të drejtësisë, akademikë, ekspertë, gjyqtarët, prokurorët, por dhe ish gjyqtarë dhe ish-funksionarë të lartë politikë, aktivë në reformat e mëparshme. Në çfarë tabani do ngrihet Reforma në Drejtësi, sipas jush?
Pavli:Një konkluzion kryesor që ka dalë nga proceset që Ju përmendni është nevoja për të pasur disa ndryshime të rëndësishme në kornizën kushtetuese të 1998. Kjo ka qenë një Kushtetutë e mirë, por është normale në një Demokraci të re që të ritestohen periodikisht zgjidhjet e ngrehinës kushtetuese. Nëse arkitektura vazhdon të jetë e përshtatshme për nevojat e familjes politike.
Pjesërisht lind nevoja të ndreqen gabimet e bëra me ndërhyrjet e fundit në Kushtetutë ose efektet e tyre. Por mendoj se duhet shkuar edhe më tej në disa aspekte. Për shembull, roli i degëve politike të pushtetit përkundrejt gjyqësorit, në lidhje me emërimet, shkarkimet, organin vetëqeverisës (KLD-në) etj.,. Dispozitat aktuale kanë krijuar një sistem që nuk ka garantuar as pavarësinë apo distancën nga politika dhe as integritetin e gjyqësorit. Me çfarëdolloj metri matës rezultati nuk mund të konsiderohet një sukses”.
A mendoni që në këtë gjendje që është Shqipëria sa i përket drejtësisë të realizohet një reformë përmbajtësore?
Pavli:Besoj se shoqëria shqiptare është gati për një Reformë të thellë të të gjithë sistemit të Drejtësisë. Gjykatat dhe Prokuroria kanë një nivel kredibiliteti publik të mjerueshëm për një vend që e konsideron veten shtet të së Drejtës. Pyetja e madhe është nëse politika është gati të luajë rolin e vet. Siç e dimë, ndryshimet kushtetuese kërkojnë 2/3 e votave në Kuvend, pra një konsensus të gjerë. Në të njëjtën kohë, publiku duhet të sigurohet që ndryshimet do të sjellin jo vetëm një gjyqësor më të pastër, por edhe të izoluar mirë nga pushteti ekzekutiv, sot edhe nesër.
Presioni ndërkombëtar për Reforma të thella më duket jashtëzakonisht i fortë dhe unanim në këtë moment. Por do të ishte fatkeqësi sikur kjo të ishte e vetmja arsye për realizimin e tyre”.
Kjo intervistë është pjesë e një cikli intervistash nga BIRN Albania me ekspertë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të përfshirë në procesin e reformës në drejtësi. Ky cikël artikujsh që synon të nxisë informimin dhe debatin publik mbi reformën, mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.