Sekretari amerikan i shtetit dha mesazhe të forta për luftën kundër korrupsionit ndërsa i bëri thirrje shqiptarëve të kuptojnë se vetëm presioni prej tyre ndaj udhëheqësve politikë të vendit mund të sjellë miratimin dhe zbatimin e ligjeve të duhura.
Sekretari amerikan i shtetit John Kerry vizitoi sot (14 shkurt) Shqipërinë për katër orë ku u takua me kreun e qeverisë Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha për të dhënë mbështetje për luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi dhe zbatimin e ligjit për dekriminalizimin e politikës dhe administratës publike.
“Provat janë absolutisht të qarta dhe shqiptarët duhet të jenë shumë të lumtur me faktin se vendi juaj po lëviz në drejtimin e duhur. Ju jeni në drejtimin e duhur,” deklaroi Kerry gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama pas takimit të tyre.
“E di se është e vështirë të përballesh me ata që janë bërë të lumtur me procesin e shmangies së përgjegjësisë së tyre të përbashkët,” tha Kerry, duke iu referuar të korruptuarve.
Më herët, një burim konfidencial nga Departamenti Shtetit, i pati thënë agjencisë së lajmeve Reuters se misioni i vizitës qe që Kerry t’i jepte “një shtytje” reformës në drejtësi dhe nismave të tjera kundër krimit dhe korrupsionit.
Sekretari i shtetit ka në plan “të përforcojë mesazhin se kjo paketë e veçantë ligjesh është pjesë e pastrimit të Shqipërisë, jo vetëm që ajo të bëjë përpara për në BE, por edhe për të përmirësuar klimën e investimeve,” tha zyrtari i Departamentit të Shtetit për Reuters, para se vizita e tij në Shqipëri të fillonte. Më vonë, Departamenti i Shtetit publikoi transkriptin e dy zyrtarëve amerikanë me gazetarët si informacion paraprak mbi vizitën. Të pyetur nga një gazetar nëse Kerry do të takohej me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, zyrtarët shmangën dhënien e një shpjegimi por u mjaftuan vetëm duke thënë se nuk do të kishte takim me Metën.
Kryeministri Edi Rama deklaroi nga ana e tij se reforma në drejtësi, do të miratohet në mars.
“Diskutuam në veçanti për reformën në drejtësi. U jemi mirënjohës SHBA për ndihmën e çmuar që i kanë dhënë vendit tonë në rrugën e kësaj reforme dhe për punën e palodhur të ekspertëve amerikanë në ekipin teknik të reformës. Objektivi ynë i përbashkët është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese,” deklaroi Rama.
Aktualisht, reforma në drejtësi kërkon që Partia Socialiste në pushtet dhe ajo Demokratike në opozitë, të votojnë së bashku paketën e ndryshimeve kushtetuese si dhe të punojnë në vijimësi për një numër të lartë ligjesh që do të duhet të miratohen me mirëkuptimin e të dyja palëve.
Paketa e ndryshimeve kushtetuese gjendet aktualisht duke u shqyrtuar nga Komisioni i Venecias, një institucion juristësh kushtetues, të cilët do të duhet të japin miratimin. Shpresat janë që palët politike që aktualisht kanë treguar ngurrim të miratojnë reformën, përfshirë Partinë Demokratike, do të binden ta votojnë atë pasi Komisioni i Venecias të japë opinionin e vet.
Reforma në drejtësi konsiderohet aktualisht si kushti kryesor për ta çuar përpara Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian si dhe hapi më i rëndësishëm për të thyer sistemin aktual të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.
Aktualisht, të gjitha palët politike në vend janë nën presion të vazhdueshëm nga diplomacia e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara për ta miratuar reformën në drejtësi dhe shumë shqiptarë i kanë varur shpresat te ky presion si faktori që do të sjellë ndryshimin. Por Sekretari Kerry dha edhe një mesazh për shqiptarët në këtë drejtim: “SHBA është këtu në krahun tuaj, por në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura dhe të këmbëngulin për zbatimin e tyre”, deklaroi Kerry.
Përveç reformës në drejtësi, Shqipëria duhet aktualisht të vendosë në zbatim ligjin për dekriminalizimin, i cili u miratua dhjetorin e kaluar por që tashmë do të duhet të zbatohet.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u cilësuan si të shkëlqyera nga Kerry dhe Rama. Kerry përdori termin “marrëdhënie speciale” për të përshkruar marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë në fjalimin e tij në Tiranë.
Shqipëria është një kontribuues i fortë i koalicionit kundër Shtetit Islamik duke dhënë armatime dhe municione falas për forcat ushtarake të krahinës autonome të Kurdistanit në Irakun e veriut ndërsa ushtarët shqiptarë kanë marrë pjesë prej vitesh në misione paqëruajtëse dhe në misione luftimi në Afganistan dhe vende të tjera.
Sipas Departamentit të Shtetit, Shqipëria është “peshë rajonale në përpjekjet për t’iu kundërvënë ekstremizmit.
Gjithsesi, Departamenti i Shtetit raporton se sfida më e madhe e Shqipërisë aktualisht është rruga drejt integrimit Europian si dhe problemet e vazhdueshme me krimin, korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
“Ata kanë tipa, në të dyja partitë e mëdha, tipa në parlament, të cilët janë akuzuar për kriminalitet,” shpjeguan zyrtarët e Departamentit të Shtetit para gazetarëve.