Kështjella, kazerma dhe objekte të tjera ushtarake të trashëguara nga koha e Jugosllavisë apo më herët, kanë vlerë potenciale prej miliarda eurosh – por disa ekspertë e aktivistë janë të shqetësuar për faktin që po shiten me nxitim.
Potenciali i madh i ish pronave ushtarake për të fuqizuar rritje të mëtejshëm në turizëm dhe biznese të tjera në Kroaci është sërish në vëmendjen e publikut pasi dy kompani ndërkombëtare të shit-blerjes së pronave tëpatundëshme hodhën në shitje gadishullin Muzil, pranë qytezës bregdetare të Pulës.
Ushtria më e vogël dhe profesionale e Kroacisë, e cila tashmë është pjesë e NATO-s, i braktisi këto baza, të cilat dikur i shërbenin Ushtrisë Kombëtare të Jugosllavisë.
Pronësia dhe menaxhimi i tyre iu transferua pas kësaj Zyrës së Kroacisë për Menaxhimin e Pronave Publike, DUUDI.
Sipas disa vlerësimeve, vlera totale e këtyre objekteve të trashëguara nga Ushtria Jugosllave është rreth 10 miliardë euro.
Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë shiti disa prej tyre në vitet 1990 ndërsa 399 objekte të tjera i janë dhënë komunave dhe bashkive të ndryshme.
Në vitin 2014, Ministria e Mbrojtjes pati 618 prona të tilla ende në pronësi, 226 prej të cilave qenë kategorizuar si baza që mund të përdoren ndërsa 392 të tjera u cilësuan si “pa perspektivë” ushtarake dhe rrjedhimisht, të përshtatshme për t’iu transferuar DUUDI-t ose pushtetit vendor.
Në total 102 prona i janë dorëzuar sakaq DUUDI ndërsa të tjera janë në proces.
Shumica e bazave ushtarake mbetën të papërdorura dhe janë amortizuar ndërkohë.
Dy javë më parë, DUUDI mori dy oferta të ndryshme, një nga kompania franceze Boygues Batiment International dhe tjetra nga amerikania Forbes Real Estate LLC, për një koncesion 99 vjeçar për një parcelë toke prej rreth 170 akrash (68 hektarë) dhe objekteve të gjendura mbi këtë tokë në gjuhëzën e Gjirit të Pulës, një nga zonat më popullore të turizmit në Kroaci.
Ndërsa të dy ofertat demonstruan potencialin e madh të ish pronave ushtarake kroate në kuptim të investimit dhe zhvillimit, lajmi për ofertat ringjalli debatin mbi përdorimin potencial të pronave të tilla.
Aktivistët kërkojnë përdorime alternative për objektet ushtarake:
Që kur filloi të flitej për Muzil, grupimet e shoqërisë civile në Pula kërkuan që objekti të kthehej në park publik. Sipas ktij propozimi, ai duhet të përdoret për aktivitete dëfryese dhe të kohës së lirë ndërsa ndërtesat mund të përdoren nga institucionet vendëse, OJF-të apo sipërmarrësit e vegjël.
Aktivistët ankohen se publiku nuk është përfshirë në diskutimet mbi fatin e Muzil dhe thonë se objekti duhet të përdoret nga publiku, së paku deri sa një investitor ta marrë atë.
Ata kanë argumentuar se ka vende të tjera në Europë ku bashkësitë vendëse janë lejuar të vendosin fatin e ish pronave ushtarake. Në aeroportin Tempelhof në Berlin, i cili u ndërtua në vitet 1930, vërejnë ata, pistat u kthyen në park ndërsa terminali i aeroportit iu dha kompanive të vogla.
Ish-baza ushtarake në Muzil iu dha DUUDI më 2011, pasi ushtria e Kroacisë qe larguar prej saj më 2007, pas më shumë se 200 vitesh pranie ushtarake në gadishull.
Ky vend qe një bazë e rëndësishme detare për Perandorinë e Austro-Hungarisë në shekullin e 19 dhe më vonë u përdor nga ushtritë italiane dhe jugosllave. Fortifikatat dhe objektet e tjera u përdorën deri vonë nga Marina e Kroacisë.
Përgjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe, zona qe e mbyllur për publikun. Vetëm debatet e kohëve të fundit mundësuan që civilët të hyjnë një herë në vit si pjesë e një aktiviteti të titulluar “Dyert e Hapura”.
Atje tani është planifikuar ndërtimi i një resorti turistik dhe një fushe golfi. Projekti mund të sjellë rreth 14 milionë euro në vit për Pulën, sipas vlerësimeve dhe mund të punësojë 1,700 njerëz.
Zyrtarët e DUUDI thonë se ata do t’i shqyrtojnë ofertat bashkë me Ministrinë e Turizmit dhe kryebashkiakun e Pulës.
Një pronë tjetër e njohur po pret investitorë potencialë. Ajo është një kompleks për pushime verore të ushtrisë jugosllave në Kupari, pranë Dubrovnikut, atraksionit turistik më të madh të Kroacisë.
Kompleksi mbulon 84 akra (rreth 34 hektarë) dhe përfshin pesë hotele dhe një autokamp.
Ushtria Jugosllave e braktisi zonën më 1991 dhe ushtria kroate e përdori atë nga 1998 më 2001. Që nga ajo kohë, objekti është braktisur dhe shumica e ndërtesave në kompleks janë vjedhur në mënyrë sistematike duke i hequr çdo materjal të vlefshëm, përfshirë tubat e ujit apo telat e energjisë elektrike.
DUUDI hapi një tender për kompleksin Kupari në gusht 2015, duke ofruar koncesion 99 vjeçar si në rastin e Muzil, në mënyrë që ndonjë investitor ta kthejë atë në një resort luksi.
Tenderi për Kuparin e detyron investitorin të investojë së paku 100 milionë euro dhe të ndërtojë objekte të tjera për t’i zgjeruar kapacitetin hotelistik.
Dy muaj më vonë, në tetor, qeveria pranoi një ofertë nga Avenue ulaganja, një kompani vendëse që përfaqësonte një grup më të madh investitorësh, të udhëhequr nga Marriot International Inc.
Kompania ofroi 172,000 euro në vit për të drejtat e ndërtimit dhe një kredi vjetore prej 58 mijë eurosh për Hotelin Grand si dhe premtoi ndërtimin e një hoteli të ri me pesë yje si dhe vila për të mikpritur 400 njerëz më shumë njëherësh. Kompania njoftoi se objekti i parë Ritz Carlton Hotel do të hapet në vitin 2020.
Qeveria e mëparshme e qendrës së majtë i cilësoi projektet Muzil dhe Kupari si investime të mëdha strategjike që synonin të zhvillonin turizmin në bregdet, një sektor që konsiderohet si baza kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë.
Qeveria e re e qendrës së djathtë, e cila u krijua muajin e kaluar, ka shprehur gjithashtu dëshirën që të shesë apo të japë me koncesion ish-bazat ushtarake që mund të përdoren për zhvillim të mëtejshëm të turizmit.
Për shkak të situatës së vështirë fiskale të Kroacisë, ku ekonomia nuk është rimëkëmbur ende që kur ajo u bashkua me BE-në në vitin 2013, qeveria pritet të ofrojë më shumë prona të vjetra ushtarake për kompanitë vendëse apo të huaja.
Gjithsesi, ekspertët paralajmërojnë se mundësitë nuk duhet të çohen dëm në interes të arritjes së një vendimi të shpejtë.
“Jam kundër masave të tilla si shitja e pronave thjeshtë sa për të ‘shuar zjarrin’, për shkak se në fund, rezultatet ekonomike do të jenë negative,” komentoi eksperti i ekonomisë Guste Santini për BIRN.
Santini dhe ekspertë të tjerë dëshirojnë që Kroacia të zhvillojë strategjinë e duhur mbi atë se çfarë duhet të bëjë me fortifikatat, bazat, kazermat, portet, vilat apo ndërtesat e tjera që gjenden në të gjithë bregdetin dhe që dikur i përkisnin ushtrisë së Jugosllavisë.
Santini mendon se interesi është i lartë mes investitorëve për prona të tyre për shkak se shumica e tyre gjenden në vende shumë të mira.
Gjithsesi, ai paralajmëroi se prona të tilla nuk duhet të shiten thjeshtë si “copa toke”, për shkak se një gjë e tillë mund të shërbejë vetëm tani për tani për të mbushur “vrimat” nëpër buxhet pa menduar në terma afatgjatë.
“A duam një zhvillim afatgjatë apo një stabilizim të përkohshëm?” pyeti ai.
“Duhet të gjendet një rrugë e mesme,” shtoi ai, duke vërejtur se dhënia me emfiteozë e objekteve të tilla përmes koncesioneve është “e pranueshme vetëm në rast se ato përfshihen në një strategji kombëtare për zhvillim ekonomik”.
“Nëse prona gjendet në një zonë turistike dhe ne dëshirojmë që të rrisim nivelin e turizmit nga i ulët në nivel të lartë dhe të standartizuar, atëherë koncesionet duhet t’i ofrohen vetëm kompanive prestigjoze ndërkombëtare, në mënyrë që në këmbim të një monopoli për përdorimin e një prone të mirë, shteti të marrë ca nga ‘imazhi’ i kompanive,” përfundoi ai.