Siç kanë demonstruar prerazi sulmet terroriste në Paris dhe Bruksel, nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë çast që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kur Europa është përballur me nevojën për të marrë përgjegjësinë për sigurinë e vet, ky çast është tani. Terroristët po shënjestrojnë Europën, për shkak se ata besojnë se Europa është pjesa e dobët e Perëndimit; për interes të vet, Europa duhet të provojë se ata e kanë gabim.
Pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris, të cilat vranë 130 vetë, unë shkrova një koment të titulluar “ne jemi në luftë” – dhe u përballa me kritika të shumta nga lexuesit, europianë dhe joeuropianë. E si mund të guxoj unë të përdor fjalën “luftë” për të përshkruar sulmet! Fjalët janë armë dhe keqpërdorimi i tyre është papërgjegjshmëri, e madje edhe gjë e rrezikshme. A nuk më ka mësuar mua ndonjë gjë luftënxitja e
George W. Bush?
Në fakt, unë e dija ekzaktësisht se çfarë po bëja kur zgjodha këtë fjalë. Dhe së fundmi, kur Brukseli u përball me sulm terrorist në aeroportin e vet dhe në një stacion metroje, personeli i shërbimeve të urgjencës përdori të njëjtin fjalë, duke deklaroi se po mjekonte “plagët e luftës.” Pra, do ta them sërish: ne jemi në luftë.
Natyrisht, nuk është luftë tradicionale. Nuk ka deklaratë formale të armiqësive; por sulmet në Paris dhe Bruksel qenë akte lufte – manovra të qëllimshme dhe brutale të planifikuara nga një gruk që kontrollon një territor.
Këto akte shënjestruan jo vetëm njerëzit e Europës, por edhe vlerat themelore, dhe ato janë pjesë e një modeli më të gjerë agresioni i cili nuk do të shuhet lehtë. Në të vërtetë, megjithëse territori i Shtetit Islamik po pakësohet në Siri dhe Irak, ai po zgjerohet në Libi. Dhe kush e di se cilat vende ISIS mund të pushtojë nesër? Pjesë të Algjerisë, për shembull, janë të rrezikuara.
Është koha që Bashkimi Europian të njohë këtë realitet – kjo është një luftë, pavarësisht nëse të pëlqen apo jo – dhe përgjigjja duhet të jetë në të njëjtën masë. Nëse ka pasur ndonjë çast ndonjëherë që nga Lufta e Dytë Botërore kur Europa duhej të merrte përgjegjësinë për sigurinë e vet, ky çast është tani. Kjo do të thotë se menaxhimi i kërcënimit në shtëpi dhe marrja e udhëheqësisë në luftën kundër ISIS nuk është nevojë thjeshtë për shkak të afërsisë gjeografike të Europës, por edhe për shkak se disa kontribute në të shkuarën nga disa vende anëtare, të tilla si Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë ndihmuar në destabilizimin e rajonit.
Në këtë përpjekje, është me rëndësi kritike që terroristët të mos fshihen pas refugjatëve që po vijnë në Europë. Refugjatët, të cilët po përzihen nga shtëpitë e tyre gjerësisht për shkak të veprimeve të ISIS dhe aktorëve të tjerë të dhunshëm, përbëjnë një mundësi të rëndësishme për Europën. Rritja e populistëve në Europë sot, e atyre që i shohin me neveri vlerat e Europës, nuk mund të lejohet të na shtyjnë ne të humbasim këtë mundësi për shkak të fanatizmit dhe frikës.
Natyrisht, terrorizmi nuk është i vetmi kërcënim për sigurinë me të cilën përballet BE-ja. Ndërsa Shtetet e Bashkuara janë përqendruar në Azi dhe në Lindje të Mesme (pa përmendur vetveten), është në dorë të udhëheqësve të BE-së të kuptojnë nevojën për të kufizuar ambiciet e Rusisë në pjesën lindore të Europës.
Në një kohë kur BE-ja, e cila, nëse i jepet mundësia për të zgjedhur, ka tendencën ta kthejë vëmendjen mes vetes – duhet të përballet me sfida të tilla të rënda të jashtme, gjëja e fundit për të cilën ka nevojë është një sfidë e brendshme destabilizuese. Megjithatë kjo është ajo me të cilën po përballet, falë përpjekjes së kotë të kryeministrit David Cameron për të kënaqur anti-europianët në partinë e tij Konservatore duke planifikuar një referendum nëse Mbretëria e Bashkuar duhet të mbetet vend anëtar i BE-së. Kur shtëpia e përbashkët është në rrezik që të marrë flakë, është e logjishme që të punosh me bashkëjetuesit për të fikur zjarrin; nuk është mirë të hysh në sherr se cili duhet të mbajë tubin e ujit.
Mospërputhja mes asaj që Europa ka nevojë dhe asaj që është e gatshme të bëjë, reflekton hendekun mes arsyes dhe emocionit. Logjikisht, nevoja për bashkëpunim më të madh europian në siguri dhe mbrojtje, siç vërejti kryeministri i Italisë Matteo Renzi, është i qartë. Emocionalisht, gjithsesi, e kundërta rezulton e vërtetë, siç ilustrohet nga dështimi i BE-së në hartimin e një politike të përbashkët përballë refugjatëve që po vijnë.
Njësoj si Renzi, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel qe e vetme në lutjen e saj për një përgjigje njerëzore për krizën e refugjatëve. Për shumicën e europianëve, situata dukej mbytëse, kështu që ata u larguan prej saj. “Refugjatët është problemi juaj,” tha presidenti i Letonisë Raimonds Vējonis para Merkelit në një takim të Këshillit Europian vitin e kaluar. Terrorizmi, me taktikat e veta të paparashikueshme dhe kufijtë e dobët, rrezikon të marrë të njëjtën përgjigje.
Sfida është kaq e madhe, në fakt, sa vendet e BE-së nuk kanë qenë në gjendje as të ndajnë informacion në mënyrë efikase. Një problem i ngjashëm i shfaq pas 11 shtatorit 2011, sulmeve terroriste në SHBA, të cilat në atë kohë nuk ndanin informacion as me aleatët e vet më të ngushtë, Kanadanë dhe Britaninë e Madhe. Unë pash lodhjen që kjo shkaktoi personalisht në janar 2002 në Forumin Ekonomik Botëror, ku unë bashkëdrejtova një seancë të mbyllur mes drejtuesve të sigurisë të Perëndimit.
Sot, sipas rendit të vetëpërcaktuar të Europës, ka shërbime sekrete apo të sigurisë franceze dhe britanike dhe pastaj janë pjesa tjetër e vendeve. Belgjika, e dobët në këtë drejtim, për shkak të strukturave të veta të dobëta dhe identiteteve komplekse gjuhësore dhe kulturore, nuk po merr informacionin që francezët dhe britanikët po mbledhin. Por kjo nuk ëshytë koha për arrogancë dhe aq më pak, për frikë dhe fshehje.
Nëse terroristët po shënjestrojnë Europën, kjo po ndodh për shkak se ata besojnë se Europa është pika e dobët e Perëndimit. Për hatër të vet, Europa duhet të provojë se ata e kanë gabim. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është që të ndalohen dëshirat emocionale dhe fshehja pas pretendimeve nacionaliste të cilat rrezikojnë të na errësojnë logjikën që na shtyn të ndërmarrim veprime të bashkuara si e vetmja rrugë e sigurt.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Europe Versus the Islamic State