Azem Syla, një deputet i qeverisë i cili akuzohet për krim të organizuar, ka shpërfillur kërkesat e policisë për t’u marrë në pyetje, duke thënë se ishte në Durrës dhe se do të kthehej nëse “koha përmirësohej”.
Një deputet i shquar nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, i akuzuar si drejtues i një organizate të madhe kriminale, ka shpërfillur thirrjet për t’u vetëdorëzuar menjëherë.
Azem Syla, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, ka siguruar policinë se ai do të bashkëpunojë me autoritetet dhe do të përballet me akuzat e tij të “pabaza”, por nuk dha një afat të caktuar kohor për kthimin e tij në Kosovë.
Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona të mërkurën në një hetim për mashtrim me pronësinë e tokës që i kushtoi shtetit 30 milionë euro, si dhe la pa shtëpi disa familje.
Më shumë se 300 policë të Kosovës, policia nga misioni i BE për sundimin e ligjit EULEX dhe forcat shtesë të sigurisë bastisën 42 vende dhe arrestuan gjashtë nga shtatë të dyshuarit në kërkim të mërkurën.
Por kur policia mësy shtëpinë e Sylës, ai nuk ishte atje. Ai megjithatë iu përgjigj një telefonate nga policia – që i kërkoi atij të vinte në seancën pyetësore në Prishtinë – duke thënë se ishte në Durrës.
Në një letër për median, Syla pretendoi se ishte në Kosovë deri të martën dhe se nuk e dinte që agjencitë e rendit po e kërkonin.
“Nuk mora ftesë nga autoritetet… dhe udhëtova jashtë shtetit për një arsye personale,” tha Syla duke konfirmuar se ka folur me policinë në telefon dhe e ka siguruar atë se do të kthehej për t’u përballur me akuzat.
Avokati i Sylës, Tome Gashi i tha Klan Kosovës se ai kishte folur me klientin e tij në telefon dhe se Syla i kishte konfirmuar se nuk ishte në Kosovë por se do të kthehej për t’u përballur me akuzat nëse “moti përmirësohet”.
Syla tha në letrën se akuzat kundër tij ishin të pabaza, por u zotua të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.
“Jam absolutisht i pastër dhe kjo do t’i provohet autoriteteve të drejtësisë sa më shpejt,” është shprehur ai.
Çështja ka në qendër akuzat për shpërdorim të pronës publike, krim të organizuar, pastrim parash, falsifikim të dokumenteve zyrtare, korrupsion dhe mashtrim. Grupi dyshohet se ka pasur gjithashtu lidhje me kriminelë serbë.
Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i PDK dhe gjithashtu një ish-shef i UÇK, tha se mbështeste fuqishëm veprimet e institucioneve ligjzbatuese kombëtare dhe ndërkombëtare.