Në dy nga komentet më të ashpra deri më sot, përfaqësuesja e BE-së Romana Vlahutin dhe ambasadori i SHBA-ve Donald Lu kërkuan miratimin e menjëhershëm të reformës kushtetuese duke paralajmëruar për pasoja në rast se udhëheqësit nuk veprojnë.
Ambasadorët e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhanë një ultimatum për udhëheqësit e partive politike shqiptare të mërkurën, duke kërkuar miratimin e shpejtë të ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për të shumëdiskutuarën reformë në drejtësi.
Duke folur para komisionit parlamentar për reformën, ambasadori Donald Lu dha komentet më të ashpra deri më sot, duke paralajmëruar për pasoja në marrëdhëniet me SHBA-të dhe BE-në.
“Nëse kjo reformë dështon, ju, anëtarët e këtij komisioni do të turpëroni njerëzit që ju kanë zgjedhur. Dhe, do të turpëroni marrëdhënien tuaj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
“Gjatë vitit të shkuar, kam parë znj. Merkel, znj. Mogherini, z. Hahn, z. Kerry dhe z. Obama t’i kërkojnë Shqipërisë ta miratojë këtë reformë. Nuk kam parë kurrë mbështetje të tillë nga aleatët tuaj më të afërt për asnjë temë tjetër. Të gjithë e pranojmë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë,” shtoi ai, ndërsa deklarata e tij u shpërnda e plotë në shqip dhe anglisht në faqen e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Drejtuesja e Delegacionit Europian në Tiranë, Ambasadorja Romana Vlahutin shtoi: “Duke e miratuar këtë reformë përpara verës dhe duke nisur zbatimin në vjeshtë do të hapet një mundësi për Shqipërinë që të marrë një rekomandim pozitiv nga komisioni për hapjen e bisedimeve për anëtarësim”.
“Nëse ky momentum humbet, vendi nuk do të humbë jo një, por shumë vite. Ne besojme se Shqipëria nuk mund të përballojë më humbjen e kohës. Nuk e ekzagjeroj kur them se kjo është një mundësi unike për Shqipërinë. Ju lutem mos e çoni dëm”, shtoi Vlahutin.
Reforma në drejtësi ka qenë tema kryesore politike në Shqipëri që nga viti 2014, por procesi u zvarrit nga udhëheqës politikë që dyshojnë se mund të humbasin kontrollin që kanë në emërimet në postet kyçe të sistemit të drejtësisë ose që njëra palë mund të përfitojë nga reforma.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe një pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucionit mbikëqyrës të sistemit, krahas Prokurorit të Përgjithshëm, janë persona që emërohen politikisht nga parlamenti në bashkëpunim me presidentin. Përgjatë dekadës së fundit, zakonisht palët politike parlamentare kanë rënë dakord që të ndajnë mes të pëlqyerve të gjithësecilit postet e sistemit të drejtësisë apo institucioneve të tjera të pavarura, ndërsa në rastet kur nuk janë marrë vesh, kanë lënë vende vakante, për deri disa vite më rradhë.
Sistemi i drejtësisë perceptohet gjerësisht si i korruptuar dhe joprofesional. Gjykata e Lartë, për shembull, anëtarët e së cilës emërohen nga presidenti dhe miratohen nga parlamenti, ka gjithashtu të drejtën ekskluzive të gjykojë personat me imunitet, përfshirë ministrat dhe deputetët. Përgjatë viteve, gjykata ka refuzuar të dënojë çfarëdolloj të akuzuari për korrupsion mes politikanëve.
Sistemi aktual aludohet gjithashtu se ka një problem të rëndë me kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm nga presidenti dhe parlamenti, gjë që ka sjellë inaktivitet nga ana e prokurorisë për të hetuar dhe ngritur akuza ndaj zyrtarëve të lartë. Që nga koha e komunizmit, prokuroria ka funksionuar si një institucion i centralizuar në Shqipëri, ku prokurori i përgjithshëm nga autoritet të kontrollojë dosjet e të gjithë prokurorëve të tjerë, duke ndikuar në rezultatin e hetimeve.
Reforma kushtetuese aktualisht në diskutim synon të kufizojë fuqinë e politikës për të kontrolluar procesin e emërimeve nëpër gjykata si dhe parashikon prokurori të decentralizuar, ku prokurori i përgjithshëm ka më së shumti funksione administrative ndërsa prokurorët e tjerë marrin më shumë pavarësi dhe kompetenca.
Për të garantuar integritetin e gjykatësve dhe prokurorëve të vendit, reforma parashikon krijimin e një institucion të jashtëzakonshëm të quajtur Komisioni i Vetingut, i cili do të ketë për detyrë të kontrollojë pastërtinë e figurës së gjykatësve dhe prokurorëve dhe të heqë nga puna ata që i gjen të korruptuar apo të paaftë.
Gjithsesi, udhëheqësit politikë në Shqipëri ia kanë dalë të shtyjnë në pafundësi procesin dhe akuzojnë njëra-tjetrën për mungesën e vullnetit. Reforma kërkon dy të tretat e votave parlamentare, të cilat aktualisht disponohen vetëm nëse bashkohen Partia Socialiste me Partinë Demokratike, por ndryshimet kushtetuese pritet të pasohen nga një proces intensiv që kërkon ndryshimet e mbi 40 ligjeve.
Shqetësimi kryesor mes diplomatëve të huaj në Shqipëri është që nëse ndryshimet kushtetuese nuk miratohen para pushimeve të verës, parlamenti nuk do të jetë në gjendje të vendosë më vonë për shkak se në vitin 2017 në Shqipëri do të ketë zgjedhje parlamentare. Për rrjedhojë, procesi i reformës mund të shtyhet për disa vite të tjera.
Duke folur para Komisionit Parlamentar të mërkurën, Ambasadori Lu tha: “E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e shurdhët politik që e bllokon këtë reformë. E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar duke e bllokuar këtë reformë”.
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim deklaruan menjëherë pas kësaj se janë të gatshme ta votojnë reformën por akuzuan Partinë Demokratike për mungesë vullneti. Partia Demokratike deklaroi se qeveria po gënjen dhe se ajo e ka vonuar për dy vjet reformën, pa thënë qartë nëse dëshiron ta votojë apo jo atë.