Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se pas pranimit të faktit të dënimit në Itali nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Rroshi do të duhet të përgjigjet penalisht për fshehjen e dënimit në formularin e vetëdeklarimit.
Telashet nuk pritet të përfundojnë me dorëheqje për kryetarin socialist të Bashkisë Kavajë Elvis Rroshi, personi që rezulton i dënuar jashtë Shqipërisë. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se ka vendosur të hapë një hetim të dytë “kryesisht” ndaj tij me dyshimin se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve duke mbajtur të fshehtë dhe duke mos deklaruar dënimin e tij të mëparshëm.
“Struktura “Për Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimin dhe është regjistruar kryesisht hetimi për kryetarin e dorëhequr të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “Falsifikimit të dokumentave” në procesin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Sektori i posaçëm në Prokurorinë e Përgjithshme nisi verifikimin, në bazë të të dhënave të vetëdeklaruara nga subjekti Rroshi në formularin e publikuar tashmë, si edhe në sqarimin publik të bërë nga vetë subjekti, lidhur me shkaqet e dorëheqjes së tij. Në këto kushte, u urdhërua nisja e hetimit për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve””, vijon më tej deklarata.
Prokuroria pati hapur hetime kryesisht ndaj Rroshit në maj, pasi vetëdeklarimi i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rrodhi në media dhe në të, Rroshi shkruante se qe hetuar në Gjermani “para vitit 2002” por “nuk e mbante mend” se për çfarë qe hetuar dhe nëse qe dënuar apo jo.
Ligji i miratuar dhjetorin e kaluar, i njohur si ligji i “dekriminalizimit”, sanksionon se dënime penale të formës së prerë sjellin automatikisht ndërprerje të mandatit të zyrtarëve të zgjedhur. Megjithatë, Rroshi qëndroi në detyrë deri në fund të majit, deri sa dha dorëheqjen të martën.
Ai deklaroi se qe “informuar nga avokatët” e tij papritur për një dënim të dhënë në Itali për të cilin nuk i kujtohej se çfarë kishte ndodhur. I mbështetur nga simpatizantët e partisë së tij në një miting në Kavajë mbrëmjen e të martës, Rroshi shkoi më tutje duke deklaruar se do t’i hynte një beteje ligjore për të vërtetuar pafajësinë e tij dhe se do të synonte të rikthehej si kryetar bashkie. Ai dhe kryeministri Edi Rama e paraqitën dënimin në Itali si një fatkeqësi që i ka ndodhur shumë shqiptarëve të rinj që emigruan gjatë viteve 1990, por Partia Demokratike në opozitë deklaroi se dënimi i Rroshit në Itali për një ngjarje të ndodhur më 1992, kur ai qe 16 vjeç, nuk lidhej me akuza për emigrim të paligjshëm apo probleme me dokumente por për veprën penale të dhunës seksuale në bashkëpunim.
Përveç hetimeve për vetëdeklarim të rremë të të shkuarës penale, Rroshi është kallëzuar në Prokurori më herët nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë së pjesmarrjes në tendera apo ankande publike”.
Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” u miratua dhjetorin e kaluar pas një beteje njëvjeçare, në të cilën, partitë politike u vunë nën kritika nga media, opozita dhe diplomatët e huaj për kandidim të personave mbi të cilët rëndojnë dënime apo dyshime për krime të rënda, përfshirë trafik të qenieve njerëzore e trafik droge.
Në maj të këtij viti, zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar kryen vetëdeklarimin e parë të së shkuarës së vet penale. Dhjetë deputetë rezultuan me precedentë penalë bashkë me pesë kryetarë bashkish e disa dhjetëra anëtarëve të këshilleve bashkiake.
Edhe disa mijëra zyrtarë të shtetit kanë kryer vetëdeklarimet, të cilat pritet të zbardhen në ditët e ardhshme.