Pas Brexit, Europa mund të shfaqet më në fund si një aktor i fuqishëm ndërkombëtar: vendi i tretë më i madh i botës, i cili ironikisht ka anglishten si gjuhë administrative. Por, për fat të keq, vullneti politik për të arritur një rezultat të tillë ka pak gjasa të shfaqet – dhe deri sa të shfaqet – situata mund të jetë bërë shumë më e rëndë nga sa është sot.
Në Britani dhe në të gjithë Perëndimin, ne po përjetojmë kolapsin e politikës së zakonshme. Politikanët si Donald Trump në SHBA, Jarosłaë Kaczyński në Poloni, apo Marine Le Pen në Francë, dikur konsideroheshin si pa asnjë shans për të fituar zgjedhjet si kundërrrymë. Ndërsa aktualisht është pikërisht rryma kryesore ajo që është pa shanse për të fituar zgjedhje. Në Austri, një kandidat për president jashtë estabilishmentit, Alexander Van der Bellen, ia doli të bllokojë – me një diferencë minimale votash – fitoren e ekstremit të djathtë. Ne duhet të përgatitemi për të parë më shumë suksese elektorale për politikanët populistë dhe projekte të ngjashme me referendumin “Brexit” të Mbretërisë së Bashkuar.
Ekonomia është bërë globale, por politika është ende një proces kombëtar. Kjo mungesë lidhjeje ka krijuar ndjesinë, mes qytetarëve të zakonshëm, se demokracia – vullneti i popullit – është minuar. Në një mjedis të tillë, ndikimi bëhet domeni i vetëm për populistët, për shkak se vetëm populistët mund të sjellin ndryshim – dhe ndryshimi vjen vetëm përmes shkatërrimit. Kjo është arsyeja se pse populistët duken të besueshëm edhe në rastet kur ata gënjejnë.
Brexit duhet të shihet si ndëshkim për ngjarje të tilla si zgjedhjet Europiane të vitit 2014, kur qe e qartë, edhe para se të votohej, se cili do të bëhej kreu i Komisionit Europian, cili do të udhëhiqte parlamentin e BE-së dhe cili prej fraksioneve të parlamentit do të qe më i madhi. Kjo ndjesi loje të manipuluar i largon qytetarët dhe i shtyn ata të kërkojnë dinjitet demokratik duke hedhur vota proteste për figura të tilla si Nigel Farage, udhëheqësi i Partisë së Pavarësisë në Britaninë e Madhe, apo Donald Trump. Natyrisht, askush nuk beson me të vërtetë se Trump mund të fitojë presidencën e SHBA. Po ashtu, askush, madje as bastexhinjtë nuk besonin se Brexit qe një mundësi reale.
E si mund të mbijetojë BE nga humbja e një vendi të madh anëtar në një kohë kur ajo sakaq ka nevojë të merret me populistët në rritje, krizën ekonomike, krizën e refugjatëve dhe terrorizmin? Mbretëria e Bashkuar, nga ana e vet, mund t’ia dalë pa BE-në. BE-ja, gjithsesi, nuk mund t’ia dalë pa Mbretërinë e Bashkuar.
Ndryshe nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar është një ishull, gjuha e saj flitet në të gjithë botën, dhe ajo ka armë bërthamore. Aleatët e saj në kontinent nuk kanë avantazhe të tilla (vetëm Franca është një fuqi bërthamore). Asgjë nuk mund ta ndalojë Mbretërinë e Bashkuar që të bëhet një Zvicër e dytë. (Ajo mundet gjithashtu t’i ngjajë Zvicrës në formën e Skocisë apo Irlandës së Veriut, të cilat votuan në shumicë dërrmuese që të mbeten pjesë e BE-së, ndërsa tani duket se duan të lënë Mbretërinë e Bashkuar.)
Deri tani, Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol të rëndësishëm si kundërpeshë ndaj Gjermanisë. Por tashmë Gjermania mbetet që të marrë udhëheqësinë e Europës, pavarësisht nëse e do apo jo diçka të tillë. Problemi është se që pjesa tjetër e vendeve anëtare të BE-së nuk do të tolerojë udhëheqësinë e Gjermanisë. Perandoria e brendshme e Europës e Hungarisë, Çekisë, Sllovakisë dhe Polonisë – të drejtuar nga mini-autoritarë – do të bëjnë opozitë të ashpër. Nacionalistët e këtyre kombeve të vegjël po i udhëheqin vendet e tyre drejt një rruge katastrofash të reja, të cilat duket se do t’i heqin këto vende nga harta.
Fituesit më të mëdhenj në këtë situatë nuk janë as Britania e Madhe dhe as nxitësit e Brexit, por është presidenti i Rusisë Vladimir Putin. Nuk është rastësi që të gjitha monedhat po bien përballë dollarit me përjashtim të Rublës (madje edhe franga zvicerane do të qe zhvlerësuar ndjeshëm në rast se nuk do të kishte ndërhyrje nga banka qendrore e Zvicrës). RUsia është një lojtar botëror, kështu që dobësia e BE-së është fuqi për Rusinë. Sot, rëndësia e Rusisë është rritur ndjeshëm dhe siguria e Perëndimit ka rënë paralelisht. Në garën mes Rusisë dhe BE-së se cila do të rrëzohet e para, BE-ja sapo ka parakaluar Rusinë drejt vijës së finishit.
Në të ardhmen e afërt, BE do të përballet me një dolemë serioze. Nëse ajo e lejon Britaninë e Madhe të tërhiqet nga strukturat e përbashkëta vetëm në përmasa të kufizuara, ajo do t’i sinjalizojë euroskeptikëve që ata mund të bëjnë çfarë të duan. Por nëse udhëheqësit e BE-së imponojnë kosto të lartë ndaj Mbretërisë së Bashkuar – konkretisht, duke kufizuar aksesin e saj në tregun e përbashkët – Europa mund të dëmtojë veten në përpjekje për të shpëtuar fytyrën.
Tragjedia e situatës aktuale është që BE mundet ende të shpëtojë veten dhe të rifitojë kontrollin. Ajo mund të kompensojë për humbjet e shkaktuara nga Brexit duke e transformuar krizën aktuale në një mundësi për integrim të vërtetë – diçka që deri tani ka qenë e bllokuar nga Mbretëria e Bashkuar. Një ushtrim i tillë i rigjallërimit mund të kërkojë që institucionet e BE-së të fitojnë autoritet të vërtetë për të krijuar politikë fiskale të përbashkët, mbrojtje dhe politika të energjisë, ndërsa në të njëjtën kohë të ndjekin demokratizimin (përgjatë parimit “një qytetar dhe një votë”).
Sipas këtij skenari, Europa mund të shfaqet më në fund si një aktor i fortë në çështjet ndërkombëtare. Ajo mund të bëhet vendi i tretë më i madh i botës ku ironikisht, anglishtja është gjuha administrative – do të jetë Shtetet e Bashkuara të Europës. Por, për fat të keq, vullneti politik për të arritur diçka të tillë vështirë se do të shfaqet tani shpejt – dhe ndërkohë – kushtet në Europë mund të vështirësohen shumë më tepër nga sa janë sot.
Ky koment u publikua në bashkëpunim me Wirtualna Polska.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The UK, Not the EU, Will Survive