Ashtu si shumica e votuesve në kryeqytetin britanik, unë nuk e dëgjova apo kuptova shkallën e pakënaqësisë që ziente jashtë qytetit të madh.
Epo, lexues i dashur, parashikimet e mia për referendumin britanik ishin të gabuara dhe unë dështova të shpëtoja BE-në siç kisha premtuar.
Mendova sinqerisht se mund të rezultonte në një votë – në rastin tim në votën për të qëndruar – për të përcaktuar fatin e kontinentit.
Për fat të keq, dështova të llogaris opinionet e disa miliona njerëzve që nuk i kisha takuar kurrë – apo me të cilët nuk kisha qenë shumë në kontakt – në qytetet industriale në veri të Anglisë – shumica e të cilëve kishin vendosur se BE-ja ishte burimi i të gjitha problemeve të tyre, ose të paktën disa prej tyre.
Kur vota nga verilindja industriale erdhi në 12:30 mëngjesin e datës 24 qershor – dhe ishte gjerësisht në favor të “largimit” – praktikisht më ra biskota me çokollatë nga dora.
Në 3 të mëngjesit e dija se loja mbaroi. Edhe votimi masiv i vazhdimësisë së anëtarësisë në Londër – 80 për qind në Lambeth dhe 75 për qind në Islington – nuk do e barazonte mirë rebelimin provincial.
Benjamin Disraeli, pushtetari i madh konservator nën Mbretëreshën Viktoria, dikur cilësoi se Anglia ishte bërë “dy shtete” që nuk e njihnin njëri-tjetrin.
Mesa duket nuk ka ndryshuar shumë që kur ai i shkroi këto fjalë në vitin 1845.
Në Londër, njerëzit nuk kishin ide për shkallën e pakënaqësisë që gëlonte në qytetet e Anglisë veriore, në lindje të Anglisë dhe në Uells.
Londinezët priren ta mendojnë veten si e ardhmja, të cilën pjesa tjetër e vendit ka për detyrë ta ndjekë. Si mund të sfidohet vullneti ynë kolektiv?
Mbi të gjitha, votimi shkatërrimtar, i cili nuk duhej mbajtur kurrë – dhe që mund të copëtojë Mbretërinë e Bashkuar, çfarëdo pasoje tjetër të ketë në Europë – ka treguar diçka, Londra dhe provincat angleze duhet të fillojnë të dëgjojnë njëra-tjetrën.
Liderët e kampit pro qëndrimit duhet kenë turp.
Duke i dhënë vendit leksione në një mënyrë patronizuese, duke tallur ata që donin të dilnin si të vonuar mendorë që nuk e kuptonin ekonominë dhe duke arsyetuar në mënyrë absurde se si një votim për të dalë do të “lumturonte” Rusinë e Putinit dhe ISIS, kjo ishte një rrugë e gabuar.
Anglia provinciale, me qytetet e saj të ndotura dhe spitalet e rrënuara, është lodhur së dëgjuari se globalizimi, hapja e kufijve dhe imigrimi në masë është një sfidë entuziazmuese dhe se ata bëjnë mirë të mësohen.
Ata nuk duan të mësohen dhe nuk janë të interesuar nëse Putin “lumturohet” apo jo nga dalja e Britanisë.
Tani ne përballemi me një mundësi reale që e gjithë Mbretëria e Bashkuar të shpërbëhet.
Skocia mund të votojë për pavarësi. Por edhe Anglia mund të fragmentizohet, gjithashtu. Londra ishte edhe më pro-BE sesa Skocia.
Në këtë rast, jo vetëm që mund të kthehemi te status quo-ja përpara bashkimit të kurorave në 1603, por do të ktheheshim te viti 900 pas erës sonë kur Anglia përbëhej nga një grup mbretërish në mosmarrëveshje. Prisni e do të shihni.