Deri në vitin 2085, vetëm tetë qytete të Hemisferës Veriore jashtë Europës Perëndimore do të jenë të përshtatshme për të organizuar lojërat Olimpike verore, parashikojnë kërkuesit. San Françisko do të jetë një nga vetëm tre qytetet e Amerikës Veriore që do të mund të shërbejnë si vend organizator, thonë ata.
Analiza e publikuar në The Lancet, vjen pas një kërkimi më të gjerë mbi ndryshimin klimatik.
Autorët e saj shpjegojnë se si zbulimet e tyre mund të përdoren për të ekzaminuar mundësinë e vendeve të ardhshme të Olimpiadës, bazuar në një matje që kombinon temperaturën, lagështinë, rrezatimin e nxehtësisë dhe erën – temperaturën globale ËBGT. Kërkuesit përdorën dy modele klimatike për të projektuar rritjen e temperaturave gjatë shekullit të ardhshëm dhe i aplikuan këto rezultate në procedurat aktuale të sigurisë të përdorura për të përcaktuar aftësinë e një qyteti për të qenë organizator.
Studimi përfundimtar, i cili pritet të dalë së shpejti dhe që tregon pasoja më të gjera se e ardhmja e Olimpiadës verore, ekzaminon marrëdhënien mes shëndetit dhe produktivitetit teksa klima globale vazhdon të ngrohet. Ceremonitë e hapjes së lojërave 2016 në Rio, megjithatë, e pranuan ndryshimin klimatik dhe ndikimi që temperaturat në rritje mund të kenë në të ardhmen e lojërave nuk i shpëtoi vëmendjes së kërkuesve.
“Ndryshimi klimatik mund të pengojë progresin e Olimpiadës,” thotë Kirk Smith, një profesor i shëndetit mjedisor global në Shkollën e Shëndetit Publik Berkeley të Universitetit të Kalifornisë. “Dhe jo vetëm për shkak të rritjes së niveleve të detit”.
Maratona të anuluara
Zbulimet përqendrohen në Hemisferën Veriore, shtëpi e 90 për qind të popullatës së botës. Autorët morën në konsideratë vetëm qytetet me të paktën 600,000 banorë, përmasa e konsideruar si e domosdoshme për organizimin e lojërave. Qytetet mbi një milje mbi nivelin e detit lanë jashtë, sepse lojërat Olimpike më të fundit organizuara në një lartësi të tillë (Qyteti i Meksikos në 1968) u përballen me sfida.
Zbulimet supozuan se çdo vend që kishte një shans mbi 10 për qind të anulimit të një maratone – një nga eventet më të rëndësishme të Olimpiadës verore – në një kohë të shkurtër nuk duhet të konsiderohen një qytet i mirë për të organizuar lojërat.
“Nëse shpenzon miliarda dollarë për të organizuar një event, duhet të kesh një nivel sigurie që nuk do të duhet ta anulosh në minutën e fundit,” thotë Smith.
Kriteri 10 për qind përdoret aktualisht për të vlerësuar zonat e mundshme të lojërave dimorëre. Nëse një qytet i mundshëm organizator nuk ka gjasa të prodhojë mjaftueshëm dëborë ose temperatura të ftohta, shanset që ai të fitojë janë të ulëta.
Vende të përshtatshme
Zbulimet tregojnë se deri në vitin 2085, Stambolli, Madridi, Parisi dhe Budapesti – të gjitha qytete që janë ose ishin të përshtatshme për Olimpiadën verore 2020 dhe 2024 – nuk do të jenë të përshtatshme për të organizuar lojërat. Tokio, qyteti që ka siguruar Olimpiadën verore 2020, gjithashtu do të jetë shumë i nxehtë për të qenë i sigurt për atletët, thonë parashikimet.
“Nëse atletët më elitë të botës duhet të mbrohen nga ndryshimi klimatik, po pjesa tjetër e popullsisë?”
Sipas zbulimeve, rreth 8 nga 543 qytetet jashtë Europës perëndimore do të klasifikoheshin si zona me rrezikshmëri të ulët, përfshirë Shën Petersburgun në Rusi; Rigën në Letoni; Bishkekun në Kirgizstan dhe Ulaanbaatar në Mongoli.
Në Amerikën e Veriut, Kalgari dhe Vankuveri do t’i bashkohen San Françiskos si tre nga zonat e vetme të përshtatshme. Të dyja qytetet kanadeze kanë organizuar Olimpiada më parë – por lojëra dimërore, Calgary në 1988 dhe Vankuveri në 2010. San Françisko eksploroi mundësinë e organizimit të lojërave verore të këtij viti, por e tërhoqi ofertën në 2006.
Amerika Latine dhe Afrika nuk janë cilësuar si të përshtatshme.
Europa Perëndimore ka 25 vende që do të ishin me rrezik të ulët në vitin 2085, sipas përllogaritjeve.
Por deri në shekullin 22, nëse parashikimet e tyre dalin të vërteta, shkencëtarët thanë se vetëm katër qytete të Hemisferës Veriore do të mbeteshin në listë: Belfasti dhe Dublini në Irlandë dhe Edingburgu dhe Glasgou në Skoci.
Të organizohet brenda?
Ndërsa këto zbulime lidhen me të ardhmen më të largët, siguria e atletëve përballë temperaturave në rritje është tashmë një shqetësim i garave verore të hapura. Në tetor 2007, Maratona e Çikagos u anulua në mes pasi qindra vrapues patën probleme me vapën dhe kërkuan vëmendje mjekësore. Temperaturat e larta shkaktuan gjithashtu probleme këtë vit gjatë provave të skuadrës olimpike amerikane në Los Anxheles, ku 30 për qind e pjesëmarrësve nuk arritën të përfundonin garën për shkak të temperaturës 26 gradë celsius.
Me gjithë zbulimet e mësipërme, ekzistojnë edhe mënyra të tjera për të organizuar lojërat, si për shembull organizimi i tyre në mjedise të brendshme ose heqja nga lista e eventeve që janë shumë të ndjeshme ndaj nxehtësisë si për shembull maratona. Të dyja zgjidhjet gjithsesi do të kërkonin një tjetërsim dramatik të Olimpiadave moderne.
“Ndryshimi klimatik po na detyron të ndryshojmë sjelljen tonë për traditën e gjërave,” thotë Smith. “Kjo përfshin nxjerrjen e fëmijëve tuaj për të luajtur futboll jashtë apo daljen për një vrap. Po e ndryshon botën në mënyrë thelbësore”.
Alistair Woodward në Universitetin Auckland, që ka bashkëpunuar në analizë, i theksoi edhe më shumë idetë e Smith duke thënë: “Nëse atletët më elitar të botës kanë nevojë për mbrojtje ndaj ndryshimit klimatik, po ne të tjerët?”
Ky artikull është publikuar në bashkëpunim me Futurity.