Shërbimi i vlerësimit të cilësisë së borxheve, Standard & Poor’s rriti vlerësimin për titujt e borxheve sovrane të Shqipërisë nga “i qëndrueshëm” në pozitiv duke cituar politikën e kujdesshme fiskale të qeverisë së re.
Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë mbetet B për borxhet shqiptare në monedhë vendëse apo të huaj, një nivel borxhi i keq në rangun ndërkombëtar dhe i painvestueshëm nga institucionet atagjata, por pritshmëria për periudhën në vijim bëhet “pozitive”.
“Rishikimi i pritshmërisë reflekton parashikimin tonë se deficiti i përgjithshëm i qeverisë së Shqipërisë do të ulet në 2 për qind të PBB-së deri në vitin 2017. Ne mund ta rishikojmë në rritje vlerësimin tonë në rast se performanca fiskale e qeverisë përmbush vlerësimet tona për deficitin,” tha kompania në një njoftim për shtyp.
Agjencia vlerëson cilësinë e borxhit të një vendi apo një korporate për llogari të investitorëve të këtij borxhi. S&P vlerëson aktualisht se reforma e pensioneve, përmes së cilës qeveria shqiptare uli ndjeshëm përfitimet nga skema publike e sigurimeve shoqërore me synimin për të reduktuar deficitin, është një faktor pozitiv ndërsa e nxit qeverinë të ndërmarrë reformë gjithëpërfshirëse në sektorin e energjisë.
“Ne i përmbahemi supozimit tonë se borxhi publik shqiptar do të fillojë të bjerë në raport me Prodhimin e Brenshëm Bruto në 61 për qind në vitin 2017 nga 66 për qind që pritet të jetë në vitin 2015. Ne vijojmë ta konsiderojmë borxhin neto të Shqipërisë prej 66 për qind të PBB-së si të lartë, por presionet afatshkurtra për rifinancimin e borxhit publik janë reduktuar disi,” thotë njoftimi.
Vlerësimi pozitiv i S&P pritet të ndihmojë qeverinë e Shqipërisë në planin për shitjen e eurobondeve të reja me vlerë 300 milionë euro në vitin e ardhshëm. Këto eurobonde do të duhet të shiten për të shlyer eurobondet e emetuara në vitin 2010 për të cilat qeveria aktualisht paguan 7.5 për qind kupon interesi.
Eurobondet e reja pritet të emetohen me çmim më të ulët për shkak se interesat e parasë në tregun ndërkombëtar janë reduktuar ndjeshëm përgjatë viteve të fundit.
S&P thotë gjithashtu se mund të ulë vlerësimin e Shqipërisë përgjatë 12 muajve të ardhshme në rast se bindja e Shqipërisë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar vihet në pikëpyetje apo treguesi i rritjes ekonomike dobësohet ose borxhi në raport me PBB-në vijon të rritet.