Ndërsa gjithnjë e më shumë persona LGBT nga Shqipëria dhe rajoni po i drejtohen qendrës rezidenciale Streha, kjo e fundit i tha BIRN se kërkesat janë shtuar, por kapacitetet e bëjnë të pamundur strehimin për këdo.
19-vjeçari “S” përbën një figurë të pazakontë në Shqipëri. I lindur një femër, S do të konsiderohet një ai dhe jo një ajo.
Përballë një dhune të madhe psikologjike në familje rreth orientimit seksual, S thotë se ka provuar shpesh herë të vrasë veten për shkak të presionit.
Atëherë nuk kishte se nga të përplasej, por tani “S” ka gjetur një vend që e strehon dhe i jep mbështetje në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Streha, e hapur në dhjetor 2014 – është e para qendër rezidenciale joshtetërore për personat LGBT në Europën Juglindore.
Ajo ofron vendbanim për mbi tetë të rinj të moshës 18 deri në 25 vjeç, të cilët rrezikohen nga dhuna dhe diskriminimi prej familjeve apo komunitetit nëse e shpallin haptazi seksualitetin e tyre.
Krijuar fillimisht për të ndihmuar shqiptarët, qendra ka hapur dyert edhe për shqiptarët etnikë nga jashtë vendit gjithashtu.
Një nga ata 21-vjeçarë është “T”.
Ndryshe nga “S”, ajo nuk është një person transgjinor, që po përpiqet të kalojë nga një seks në tjetrin, por një lesbike e deklaruar.
Kjo nuk është një zgjedhje e lehtë për t’u bërë nëse jeton në një fshat që është kryesisht mysliman, veçanërisht në Kosovën konservatore.
Në shtëpi, thotë ajo, familja e saj e detyroi të martohej me një burrë pa i kërkuar miratim. Familja nuk donte ta pranonte orientimin e saj seksual.
Pas një farë kohe, ajo e braktisi shtëpinë dhe e la Kosovën për Shqipërinë, ku gjeti vendbanim dhe mbështetje te Streha.
Streha ofron një shërbim riintegrimi për njerëz si ajo, të cilët nuk kanë ku të strehohen.
Të rinjtë e pranuar mund të qëndrojnë nga gjashtë muaj në një vit, kohë gjatë së cilës marrin rehabilitim nga mentorë dhe riintegrohen në shoqëri.
Marsida Çela, drejtoreshë e qendrës, i tha BIRN se një qendër relativisht e vogël nuk mund të përmbushë kërkesën për vende nga shqiptarët jashtë Shqipërisë.
“Ne mundëm të pranojmë vetëm katër raste nga rajoni gjatë vitit 2016, tre nga Kosova dhe një nga Mali i Zi,” tha ajo.
“Mund të akomodojmë vetëm një nga katër persona që kërkojnë akses në këtë shërbim,” shtoi Çela.
Ata që përfitojnë nga shërbimet e qendrës zakonisht vijnë nga familje apo komunitete abuzive dhe të dhunshme, shpjegoi ajo, duke shtuar se ndihma nis duke i ofruar shtetasve jo-shqiptarë një leje qëndrimi dhe pune në Shqipëri.
“Ndihma primare fillon me një leje banimi dhe të drejtën e punës në Shqipëri. Autoritetet e imigracionit na kanë ndihmuar në këtë proces,” shtoi ajo.
Përtej kësaj, ndihma përqendrohet te “riintegrimi dhe fuqizimi për një jetë të pavarur,” shpjegoi ajo.
“Ne fillojmë procesin e riintegrimit përmes arsimit profesional dhe programeve të punësimit”.
“Orientim special i ofrohet atyre që vijnë nga jashtë Shqipërisë kur lirohen nga programi dhe jetojnë të pavarur,” vazhdoi ajo.
Ata që përfitojnë nga shërbimet e strehës gjithashtu inkurajohen të përfshihen në një program terapie artistike.
Kjo synon të zgjidhë disa nga problemet dhe konfliktet e tyre personale, të zhvillohen aftësi ndërpersonale, të pakësohet stresi dhe të rritet vetëvlerësimi dhe ndërgjegjësimi i tyre.
Pasi përfundojnë qëndrimin në qendër, i takon klientëve nga rajoni të vendosin nëse do të qëndrojnë në Shqipëri apo do të kthehen në atdhe, siç bëjnë disa nëse marrëdhëniet e tyre me familjet dhe komunitetet janë përmirësuar ndërkohë.
Gjatë dy viteve të apra të ekzistencës, Streha ka mirëpritur 33 persona dhe ka ofruar ndihmë në distancë për tre të tjerë.
Ata që punojnë në këtë qendër ndjekin procedura strikte, që përfshijnë moszbulimin e identiteteve apo adresave të secilit person që qëndron në Strehë – ndaj personat e përmendur në këtë artikull të BIRN identifikohen vetëm me iniciale.