Presidenti i Zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump është një njeri i huaj në politikë dhe kjo i ka dhënë shumë palestinezëve shpresë për një politikë të re të jashtme, dhe më të drejtë nga ana e Shteteve të Bashkuara. Por askush nuk duhet të krijojë iluzionin se Trump, një rishtar në politikë, modus operandi i të cilit është antagonizmi dhe moskokëçarja, do të jetë paqebërës në Lindjen e Mesme.
Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane ka tronditur botën, ku shumë njerëz – veçanërisht mes aleatëve të SHBA-së – ndjehen më shumë se sa të shqetësuar mbi atë se çfarë do të sjellë udhëheqësia e tij. Për palestinezët e dëshpëruar, gjithsesi, presidenca e pritshme e Trump duket sikur ofron një arsye të vogël për të shpresuar.
Trump tërhoqi mbështetjen e palestinezëve të zemëruar dhe të lodhur, të cilët ndjehen edhe më të nxehur dhe më të pashpresë se sa amerikanët e bardhë të klasës punëtore që votuan për të. Por arsyeja kryesore e shpresës për palestinezët është po e njëjta me atë që ka shkaktuar ankth mes aleatëve të SHBA-ve: Trump është i huaj politikisht, me shumë pak lidhje me traditën e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara apo me grupet e interesit që i kanë dhënë formë kësaj politike.
Me kaq pak bagazh politik dhe ideologjik, Trump nuk është i lidhur me pozicione specifike mbi shumicën e çështjeve politike, qofshin këto vendëse apo të huaja. Kjo sugjeron se ai mund të shkelë konvencione që shpesh kanë qenë dëmtuese për Palestinën, duke transformuar rregullat e lojës.
Në fjalimin e tij të fitores, ai premtoi se administrata e tij do të jetë “e drejtë me çdokënd, – me të gjithë popujt dhe të gjitha kombet.”
Një politikë e jashtme e drejtë e Shteteve të Bashkuara tingëllon si premtim joshës, jo vetëm për aktorë të raskapitur si Palestina. Por, në një drejtim, politika e jashtme është në themel e padrejtë, për shkak se udhëheqësit kombëtarë duhet gjithmonë të kujdesen fillimisht për interesat e vendit të tyre – një realitet që Trump e vuri në dukje edhe në fjalimin e tij të fitores.
Për më tepër, normat e politikës së jashtme të SHBA nuk kanë dalë nga asgjëkundi dhe ata që kanë mbrojtur këto politika (apo i kanë kërkuar ato) nuk do të ikin me ardhjen e Trump. Trump mund të mos i ketë borxhe grupimeve të caktuara të interesit për tani; por edhe Presidenti Barack Obama, i cili u ngrit në pushtet si një i huaj që kundërshton grupimet e interesave të veçanta, ra nën ndikimin e lobistëve relativisht shpejt pasi mori postin.
Siç qëndrojnë punët, është e pamundur të dish se cilat politika do të ndjekë Trump, një rishtar në politikë – pikërisht për shkak se është e pamundur të dish se cilat grupe interesi apo donatorësh do të ushtrojnë ndikim mbi të. Tani për tani, ai nuk i detyrohet asgjë Komitetit Amerikano-Izraelit të Punëve Publike (AIPAC), grupit lobues më të fuqishëm pro-Izraelit në SHBA. Por një nga të paktët miliarderë që e mbështetën atë, Sheldon Adelson, një pronar kazinosh dhe mega-donator i republikanëve, ka advokuar prej kohësh për një axhendë të partive izraelite të krahut të djathtë.
Edhe nëse Trump ia del t’i shpëtojë ndikimeve që i kanë dhënë formë prej kohësh politikës së SHBA, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të prodhuar një përqasje të drejtë në lidhje me konfliktin Izrael-Palestinë. Për këtë, ai duhet të përmbysë ose të ndryshojë shumë politika të tjera të cilat janë zbatuar nga Shtetet e Bashkuara prej dekadash – duke filluar nga pranimi i pushtimit të vazhdueshëm të territorit palestinez nga Izraeli, i cili vijon sakaq prej gati gjysmë shekulli.
Një politikë e drejtë nga ana e SHBA-së do të duhet gjithashtu të jetë refuzimi i praktikës së Izraelit për vjedhjen e tokave (përmes krijimit të vendbanimeve ekskuzivisht të destinuara për izraelitët në territoret e pushtuara) dhe kundërshtimi i ekzistencës së një regjimi të stilit të aparteidit, në të cilën, një minorancë ilegale kolonësh jeton e qeverisur nga ligji civil ndërsa një maxhorancë jeton e qeverisur nga ligji ushtarak. A është ky niveli i drejtësisë që Trump ka ndër mend?
Ka shumë gjasa që jo. Në fakt, Izraeli duket së paku me shpresa se presidenca e Trump do të anojë peshoren në favor të tyre. Ministri i Arsimit nga krahu i djathtë i politikës së Izraelit, Naftali Bennett, tha se fitorja e Trump është një mundësi për Izraelin “për të rrëzuar idenë e një shteti palestinez në qendër të vendit.”
Natyrisht, alternativa ndaj Trump – kandidatja demokrate Hillary Clinton – mund të mos rezultonte zgjidhje më e mirë për palestinezët. Megjithëse ajo, njësoj si paraardhësit e saj, mund të advokonte për një zgjidhje me dy shtete, ka pak gjasa që ajo papritur do të vendoste ta detyronte Izraelin të tërhiqet në kufijtë e vitit 1967. Me fjalë të tjera, ajo do të ruante politikën me dy anë të jashtme të SHBA-ve, përmes të vepruarit si ndërmjetës paqeje në njërën anë dhe përmes ofrimit të sasive të stërmëdha të ndihmave për Izraelin në anën tjetër, ndihma të tilla si granti 38 miliardësh i premtuar për dhjetë vitet e ardhëshme.
Por askush nuk duhet të ketë iluzionin se Trump do të jetë një arbitër i mirë i të drejtës, e akoma më pak nuk mund të shpresohet për të si paqebërës në konfliktin Izrael-Palestinë. Antagonizmi dhe moskokëçarja janë modus operandi i tij dhe nxitja e urrejtjes ndaj myslimanëve qe themeli i fushatës së tij. Ai ka gjasa që do të vijojë në këtë rrugë, duke ushqyer islamofobinë në Shtetet e Bashkuara.
Asgjë e tillë nuk do të përkthehet në një ofensivë efikase kundër terrorizmit. Lufta e premtuar e Trump kundër “islamit radikal” nuk do të prodhojë asnjë ndryshim madhor nga strategjia aktuale e Obamës në Lindjen e Mesme. Nëse do të bëjë ndonjë gjë, ajo do të jetë që Trump do ta dobësojë rolin e Amerikës në rajon. Në Libi, për shembull, udhëheqësit Europianë tashmë mund të ndjehen të fuqizuar për të ndjekur zgjidhjen e parapëlqyer prej tyre.
Një vend ku presidenca e Trump mund të përbëjë diferencën është Siria. Duke parë raportin e dukshëm të Trump me presidentin e Rusisë Vladimir Putin, është e mundshme se ata mund të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftimeve në atë vend të rrënuar. Por një marrëveshje e tillë për t’i dhënë fund luftës ka gjasa do ta mbajë Bashar al-Asadin si president pavarësisht rolit të tij kryesor në gjakderdhje.
Natyrisht, Trump nuk do të qeverisë i vetëm. Por Kongresi i SHBA nuk ofron shumë arsye për shpresë gjithashtu. Të dyja dhomat tashmë kontrollohen nga republikanët, të cilqët kanë tendencën të tallen me organizatat ndërkombëtare dhe të rezistojnë ndaj propozimeve për të ofruar ndihmë ndërkombëtare, madje edhe ndihmë për arsye humanitare. Për rrjedhojë, ndikimi botëror që SHBA-ja ka përmes agjencisë së vet të ndihmave, USAID, ose përmes agjencive të Kombeve të Bashkuara, ka gjasa që do të vijë në pakësim, siç do të vijë edhe reputacioni sakaq i dobët i Amerikës nëpër botë.
Braktisja e objektivave humanitare dhe detyrimeve morale dhe përqendrimi vetëm te interesat e SHBA-së nuk është mënyra e duhur për të zhvilluar një politikë të jashtme efektive, e aq më pak, të drejtë. Është e pamundur të thuash nëse Amerikanët do të kërkojnë një kthim te morali dhe vlerat që prej kaq shumë kohësh ata i kanë mbajtur lart si simbole të madhështisë së vendit të tyre. Ajo që është e qartë është se, deri sa kjo gjë të ndodhë, Trump do të jetë në krye – dhe, për fat të keq të palestinezëve, ka gjasa që ai nuk do të jetë i përqendruar te drejtësia.
A mundet që një Lindje e Mesme e dobët të dalë pa pasoja nga një Amerikë e re dhe më e luhatshme?
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Art of the Middle East Deal?