“Prej mëse një dekade SHBA-ja është zotuar që të përfshijë ndryshimin klimatik në planifikimet e saj strategjike të mbrojtjes, tashmë administrata Trump duhet të heqë dorë nga premtimet elektorale dhe të luftojë për mbrojtjen e popullit amerikan,” shkruan Stephen Cheney.
Planifikimi. Ky është çelësi i veprimeve ushtarake të suksesshme – dhe në shumë mënyra çelësi për suksesin në përgjithësi – dhe Marinsat e Shteteve të Bashkuara si unë mbushemi me krenari për këtë. Por nëse kalon 30 vjet në ushtri, siç kam bërë unë, e di se një plan efektiv nuk mund të jetë statik; mjediset operacionale ndryshojnë, shpesh në mënyra të befasishme dhe të papritura. Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA përbën një ndryshim të tillë.
Mund të duhet të kalojë një kohë shumë e gjatë parpara se ne të kuptojmë plotësisht mjedisin e ri ku po operojmë. Por ne duhet të fillojmë të përshtatemi – dhe të vazhdojmë përshtatjen ndërsa fakte të reja dalin në dritë. Ndryshe, rrezikojmë të bëhemi shënjestër e dobët përballë kërcënimeve serioze strategjike – më e rënda prej të cilave me gjasa do të jetë ndryshimi klimatik.
Rritja e temperaturës së sipërfaqes së tokës përfaqëson një ndryshim thelbësor në mjedisin global, si ekonomikisht dhe ushtarakisht. Nuk është vetëm se të ashtuquajturat “elita” mendojnë se koha po ngrohet paksa. Ndryshimi klimatik nuk është i parëndësishëm dhe po kështu as pasojat për sigurinë.
Ndryshimi klimatik është ajo që ne në ushtri e quajmë “një koeficient kërcënimi”. Lidhja e tij me konfliktin nuk është lineare. Por ai intensifikon dhe komplikon rreziqet aktuale të sigurisë, përfshirë frekuencën, shkallën dhe kompleksitetin e misioneve të të ardhmes.
Urgjenca e kërcënimit klimatik po rritet me shpejtësi. Ndryshimi i klimës po zgjeron tashmë spektrin e operacioneve ushtarake, ku Marina e SHBA dhe Roja Bregdetare po peshon misione të reja në Arktik. Tajfune, thatësira dhe uragane më intensive po rrisin kërkesën për përgjigje humanitare të ndihmuara nga ushtria, kryesisht në Paqësor.
Një mot gjithnjë e më ekstrem ndryshon modelet e migracionit, numri i personave të zhvendosur (tashmë në rekord botëror) do të rritet dhe konkurrenca për burime thelbësore (si uji, ushqimi dhe energjia) do të rritet. Këto pasoja do të jenë veçanërisht destabilizuese në situata tashmë të nxehura,, duke shtuar sfidat si qeverisja e dobët, pabarazia ekonomike dhe tensionet sociale – dhe duke prodhuar konflikte shumë toksike. Kjo është arsyeja përse e quajmë ndryshimin klimatik “një katalizator të destabilitetit”.
Mos u bazoni në fjalët e mia. Establishmenti i sigurisë komëtare në SHBA e ka thënë më qartë. Në fakt, ushtria amerikane ka njohur ndryshimin klimatik si një rrezik madhor për sigurinë për më shumë se një dekadë, duke e bërë shtetin lider botëror në këtë aspekt. Strategjia Kombëtare e Sigurisë në vitin e kaluar e përsëriti këtë pikëpamje, duke e identifikuar ndryshimin klimatik si një rrezik strategjik të nivelit të lartë për interesat e SHBA, bashkë me faktorë si terrorizmi, kriza ekonomike dhe përhapja e armëve të shkatërrimit masiv.
Këto nuk janë fjalë boshe. Ushtria amerikane prej kohësh e ka integruar ndryshimin klimatik në planifikimett e saj. Mbi të gjitha, dështimet më të këqija të sigurisë – për shembull sulmi japonez në Pearl Harbor, që çoi SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore dhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 – priren të vijnë prej përgatitjes jo të duhur.
Duke reflektuar këtë mësim, gjatë administratës së presidentit George W. Bush, legjislacioni u përdor për të bërë që të gjitha agjencitë amerikane të mbrojtjes të konsiderojnë efektet e ndryshimit klimatik në politikat e zhvillimit strategjik në të ardhmen. Në katër vitet e fundit, Departamenti i Mbrojtjes ka publikuar një seri direktivash për ta vënë gatishmërinë e ndryshimit klimatik në qendër të mënyrës si veprojmë.
Është shumë herët për të thënë se çfarë do të bëjë administrata Trump kur vjen puna për ndryshimin klimatik. Në fushatën zgjedhore, ai premtoi të zhbënte disa politika kyçe të klimës, madje duke kërcënuar të kthejë pas marrëveshjen klimatike të Parisit. Është shumë e rëndësishme që ai dhe kabineti i tij të kuptojnë se ndjekja e premtimit të tij do të ishte jashtëzakonisht miope.
E vërteta është se i shërben interesit më të lartë të SHBA-së, në kuptimin e sigurisë dhe ekonomisë të vazhdojë rrugën drejt një të ardhme më të pastër. Tashmë, revolucioni ii energjisë së pastër ka sjellë vende pune, para dhe industri te Amerika rurale. Është një burim i mundësive të patregueshme. Dhe nuk po identifikohet si mundësi për një nga fuqitë më të mëdha të Amerikës?
Ndryshimi i mjedisit ekonomik operacional shton këto mundësi. Kina, India dhe ekonomi të tjera në zhvillim po garojnë të jenë superfuqi të energjisë së pastër; nuk do të ishte në interesin e Amerikës të mbetej prapa. Nëse Amerika do të jetë madhështore, siç Trump ka premtuar, duhet të ndërtojë më shumë industri të orientuara nga e ardhmja që të konkurrojnë në shkallë globale – dhe kështu të ofrojë vende pune për punëtorët amerikanë.
Për më tepër, administrata e Trump duhet të vazhdojë punën e ushtrisë së SHBA dhe të krijojë një strategji kombëtare të sigurisë më elastike. Projekti Amerikan i Sigurisë, ku unë jam drejtues, pret t’i ofrojë administratës Trump këshillat dhe zgjidhjet e nevojshme. Ne gjithashtu do ta quajmë administratën përgjegjëse nëse nuk mbron siç duhet interesat e SHBA.
Shpërfillja e kërcënimeve mund të funksionojë në politikë, por nuk funksionon në siguri. Mohimi i realitetit të ndryshimit klimatik nuk do ta bëjë problemin të zhduket; në vend të kësaj do të gërryejë ekonominë dhe do ta ekspozojë SHBA-në ndaj rreziqeve serioze. Ky do të ishte dështim i Trump në përmbushjen e një prej përgjegjësive të tij kryesore si president: sigurimit të mbrojtjes për popullin amerikan.
Rreziqet strategjike serioze nuk mund të jenë një lojë politike. Kërcënimi i ndryshimit klimatik nuk është i ndarë me thikë nga njëra anë apo nga tjetra; ai është – dhe duhet të mbetet – pjesë e planifikimit strategjik të SHBA. Kushdo që është përfshirë në një planifikim të tillë e di që nuk mund të përgatitemi vetëm për luftërat që duam të luftojmë; duhet të jemi të gatshëm edhe për luftrat që do të vijnë, na pëlqejnë ose jo.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Trump’s Choice on Climate Change