Një punëtor i rafinerisë së Fierit u ngjit në majë të një oxhaku 40 metra të lartë dhe kërcënoi me vetëdjegie në protestë për pagat e prapambetura, ndërsa telashet e industrisë së përpunimit të naftës duket se nuk kanë të sosur.
Agim Myrdini, 59 vjeç, hipi në majë të një oxhaku në Rafinerinë e Fierit mëngjesin e të hënës dhe kërcënoi me vetëvrasje në protestë për pagat e pashlyera, për të cilat, 150 punonjësit e rafinerisë kanë protestuar prej disa ditësh. Pas tri orësh negociatash, babai i dy fëmijëve pranoi të zbresë nën premtimin se katër pagat e prapambetura do të shlyhen së shpejti.
Kompania DPT Drilling, e cila gjatë viteve të fundit ka menaxhuar rafinerinë e Fierit, deklaroi se kontrata e saj me ARMO për marrjen me qira të rafinerisë së Fierit ka “përfunduar më 31 dhjetor” dhe se rafineria “i është dorëzuar përmbaruesve të ngarkuar nga bankat që janë në proces ekzekutimi të rafinerisë së Fierit kundrejt kredive të pashlyera të Armo sh.a ndaj tyre”.
Industria e rafinimit të naftës ka hyrë në vështirësi të mëdha që nga viti 2008, kur qeveria e atërhershme e privatizoi kompaninë ARMO, e cila ka nën pronësi rafineritë e Ballshit dhe të Fierit.
Gjithsesi, në nëntor 2016, qeveria aktuale deklaroi se e ka rilindur rafinerinë e Ballshit duke ndihmuar një kompani të panjohur të quajtur Ionian Refining & Trading Ltd, e cila ka arritur një marrëveshje private me pronarët e mëparshëm të ARMO për të rivënë në punë rafinerinë.
Në një njoftim për shtyp të Kryeministrisë, u deklarua se jo vetëm rafineria e Ballshit është rivënë në punë, por ajo është në gjendje të prodhojë diezel të standardeve Europiane si dhe do të shërbejë si një zinxhir industrial për të furnizuar me avullin që prodhon si produkt anësor, serat që gjenden në zonën e Mallakastrës.
Por për punëtorët e rafinerisë së Fierit, e cila ka qenë në punë edhe gjatë kohës kur Ballshi qe mbyllur, ndryshimi i pronësisë nuk solli rilindje pasi ata thonë se kanë shumë muaj që nuk marrin pagat.