Një gjykatë franceze ka refuzuar kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe ish-guerilasit Ramush Haradinaj, i cili kërkohet nga Beogradi për krime lufte.
Gjykata e Apelit në qytetin francez Colmar të enjten hodhi poshtë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-guerilasit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë lider i një partie politike, Ramush Haradinaj në Beograd ku të përballet me akuzat për krime të dyshuara lufte.
Haradinaj u lirua menjëherë dhe zyrtarë nga Aleanca e tij për Ardhmërinë e Kosovës, partia AAK, thanë se ata presin që Haradinaj të kthehet në Kosovë të enjten në mbrëmje.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e mirëpriti vendimin e gjykatës.
“Edhe një herë u vërtetua se shpifjet e sigurimit të shtetit në Serbi kundër Ushtrisë ]lirimtare të Kosovës nuk janë të besueshme dhe nuk respektohen nga bota demokratike,” shkroi Thaçi në Facebook.
Por zyrtarët serbë reaguan ashpër.
Kreu i komisionit parlamentar të Serbisë në Kosovë, Milovan Drecun, tha për BIRN se ky ishte një vendim politik.
“Franca tashmë padyshim u bashkua me ata që diskriminojnë viktimat dhe që i trajtojnë kriminelët ndryshe, në varësi të kombësisë së tyre,” tha Drecun.
Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat nga Gjykatën e Hagës për krime lufte të kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë, më i fundit në vitin 2012.
Megjithatë, zyrtarët serbë këmbëngulin se ata kanë prova se Haradinaj ishte i përfshirë në krime të tjera lufte për të cilat ai s’është gjykuar ende.
Ata thonë se ai dyshohet për vrasje të civilëve, përfshirë vrasjen e një fëmije dy javësh, torturimin dhe përdhunimin e një të mituri
Arrestimi i tij në një aeroport francez pasi ai u nis nga Kosova në fillim të këtij viti rriti tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës.
Kjo shkaktoi gjithashtu protesta nga shqiptarët brenda dhe jashtë Kosovës, të cilët bëjnë thirrje për lirimin dhe e dënojnë arrestimin e tij si një akt politik.