Shoferi i Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, i akuzuar për trafikim armësh, kontrabandë droge dhe pastrim parash, nuk u lirua me kusht për shkak se lidhjet e tij diplomatike mund t’i lehtësojnë atij largimin nga shteti.
Autoritetet amerikane kanë refuzuar lirimin me kusht të Albert Veliut, shoferit në konsullatën e Kosovës në Nju Jork, me arsyetimin se mund të sigurojë një pasaportë të re dhe status diplomatik nëse lirohet nga paraburgimi, mësoi BIRN.
Veliu, një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, akuzohet nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA për kontrabandë armësh, tregtim droge dhe pastrim parash, si dhe me lidhje me organizatën kriminale Cosa Nostra dhe figurat shqiptare të krimit të organizuar në Nju Jork dhe në Republikën Çeke.
Në një deklaratë me shkrim të cilën BIRN e disponon, prokurorja Bridget Rohde argumentoi se Veliu nuk duhet të marrë lirim me kusht pasi ai paraqet “rrezik për komunitetin” dhe përbën rrezik për arratisje. Gjyqtari Stiven Gold e pranoi arsyetimin e saj dhe e ktheu Veliun në paraburgim.
Rohde shkroi se Veliu ishte mburrur në disa raste te një agjent i fshehtë i DEA se mund të transportonte “kontrabandë përmes aeroporteve sepse punonte në konsullatë”.
Prokurorja tha: “Është shqetësuese për qeverinë që lidhjet e Veliut me konsullatën kosovare do t’i siguronin atij dokumente zëvendësuese udhëtimi dhe kredenciale diplomatike”.
Në një deklaratë me shkrim Ambasada e Kosovës në Uashington, e cila është përgjegjëse për konsullatën e Nju Jorkut, tha se Veliu kishte qenë shofer nga viti 2010, por u shkarkua menjëherë pas arrestimit.
“Konsullata e Përgjithshme do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet amerikane, siç bëri policia e Kosovës për këtë çështje”, shkruhej në deklaratë.
“Përpara punësimit të tij në Konsullatën e Përgjithshme, ai ka sjellë dëshmi se nuk kishte dosje penale,” sqaronte deklarata.
“Z. Veliu nuk ishte diplomat i Kosovës dhe nuk dispononte një pasaportë diplomatike,” këmbënguli ambasada.
Si pjesë e një aksioni të Agjencisë së Rendit për Drogën, DEA, Veliu akuzohet se i ka shitur një agjenti të fshehtë 15, armë të tipit AK-47 dhe një anti-tank raketë-hedhës të periudhës jugosllave.
Ai i kishte siguruar armët gjatë një udhëtimi në Kosovë më herët këtë muaj, përpara se të kthehej në Nju Jork më 21 qershor, nga ku drejtonte operacionet.
Më 27 qershor, katër nga bashkëpunëtorët e tij u arrestuan në Klina, në perëndim të Kosovës, me armë, ndërsa Veliu dhe pesë të tjerë u arrestuan në Nju Jork.
Veliut iu tha se kartelet meksikane të drogës kishin nevojë për armët për të luftuar një luftë droge pranë kufirit amerikan.
34-vjeçari gjithashtu dyshohet se ka pastruar 800.000 dollarë të dyshuara si para droge përmes një seri kompanish me ndihmën e bashkëpunëtorëve, përfshirë të vëllai, Alban Veliu.
Alban Veliu, Dilber Kukic, Ekram Sejdija, Xhevat Gocaj dhe Agim Rugova gjithashtu janë akuzuar për pastrim parash.
Në një seri përgjimesh me agjentët e DEA, Veliu mburrej se kushëriri i tij ishte Aleks Rudaj, një lider shqiptar i njohur për krimin e organizuar në Nju Jork, sipas padisë që BIRN e disponon.
Në 2006, Rudaj u dënua për shantazh dhe u dënua me 27 vjet burg në SHBA.
Veliu dhe një tjetër i pandehur, Christopher Curanoviç, një bashkëpunëtor i La Cosa Nostra, janë akuzuar me ndërmjetësim të shitjes së 2 kg marijuane te një burim i besuar i DEA-s.
Anthony Noterile, një tjetër partner i krimit të organizuar italian, është akuzuar për pastrim parash.
Richard Levitt, avokati i Veliut i tha BIRN: “Nuk mund të komentojmë në këtë çast”.
Të akuzuarit pritet të dëgjohen.