Një raport i ri thotë se disa pronarë mediash po i përdorin këto të fundit për qëllime politike, televizioni publik i Kosovës i është nënshtruar ndërhyrjes politike, ndërsa kushtet e punës për gazetarët mbeten të këqija.
Sipas një studimi të titulluar “Liria e medias dhe siguria e gazetarëve”, që u botua të hënën nga Shoqata e Gazetarëve të Kosovës, liria e medias në Kosovë po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga presione politike që përfshijnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga politikanët.
Sipas studimit, korniza kushtetuese dhe ligjore e Kosovës përfshin masa që mbrojnë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, por vënia në praktikë e tyre është e dobët.
Disa pronarë mediash “ua diktojnë politikat e tyre editoriale gazetarëve nëpërmjet redaktorëve, të cilëve u kërkohet të shkruajnë lajme në favor të një partie të caktuar politike,” thuhej në raport.
Tridhjetë për qind e gazetarëve të intervistuar për raportin thanë se censura ka ndikim në punën e tyre.
Raporti tha gjithashtu se televizioni publik i Kosovës, RTK, ka vazhduar të vuajë nga ndërhyrja politike këtë vit.
“Gazetarët që u intervistuan theksuan se ndërhyrja politike në pavarësinë editoriale të transmetuesit publik ka vazhduar,” thuhej në raport.
Shkumbin Ahmetxhekaj, një redaktor në RTK, tha për BIRN se politikanët e shohin transmetuesin publik si një aset për të ndikuar në opinionin publik.
“Presioni ndaj gazetarëve është shumë i madh, sepse politikanët i shohin mediat si një forcë që mund të ndikojë te qytetarët,” tha Ahmetxhekaj.
“Presioni është i vazhdueshëm, nuk do të ndalojë ndonjë ditë, por është e rëndësishme që gazetarët dhe redaktorët të përballen me të në mënyrën e duhur,” shtoi ai.
Agron Bajrami, kryeredaktori i gazetës së përditshme Koha Ditore, tha për BIRN se presionet mbi median janë ekonomike dhe politike.
“Ne kemi parë rritje të presioneve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve këtë vit, por kemi gjithashtu një situatë të përkeqësuar ekonomike për mediat në përgjithësi dhe një politizim të madh brenda vetë mediave,” tha Bajrami.
Kjo ndodh kryesisht nëpërmjet ndërhyrjeve direkte nga politikanë që janë bashkëpronarë të disa organizatave mediatike, shpjegoi ai.
“Problemi i madh në Kosovë është se pronësia e një pjese të madhe të medias është e paqartë, nuk është shumë transparente, gjë që thjesht i shton dyshimet në lidhje me ndërhyrjen politike,” shtoi ai.
Kjo ndikon jo vetëm lirinë e medias, por edhe vetë demokracinë, u shpreh ai, “sepse pa një media të lirë dhe të pavarur nuk mund të ketë një demokraci kuptimplote”.
Ahmetxhekaj tha gjithashtu se një problem kyç është se tregu i medias po mbushet nga faqe interneti me lajme, të cilat nuk përmbushin as normat bazë të gazetarisë profesionale.
“Është e rëndësishme të ketë media që ende mbajnë gjallë gazetarinë profesionale,” tha ai.
Raporti tha gjithashtu se kushtet e këqija të punës, pagat e ulëta dhe pasiguria e përgjithshme në punë mbeten problemet më të mëdha të gazetarëve në Kosovë.
“Në ditët e sotme gazetarët në Kosovë punojnë në kushte të mjerueshme,” tha për BIRN redaktorja e gazetës së përditshme Zëri, Anita Kadriu.
“Ne jemi në një pozitë kur gazetarët nuk mund të flasin për të drejtat e tyre themelore, kështu që si mund të ngrenë ata zërin për shkeljen e të drejtave të banorëve të Kosovës?,” pyeti Kadriu.
Bajrami theksoi gjithashtu “ka shumë pak media që ofrojnë kontrata pune për punonjësit e tyre dhe kanë stabilitet ekonomik dhe ligjor”.
Sipas Ahmetxhekajt, problemi i kushteve të këqija të punës “ndikon drejtpërsëdrejti në profesionalizmin e gazetarëve”.
Raporti tha gjithashtu se viti 2017 u shoqërua gjithashtu me disa raste kërcënimesh verbale, kërcënimesh me vdekje dhe sulmesh fizike ndaj gazetarëve.
Incidenti i fundit përfshiu reporterin e BIRN, Taulant Osmani, i cili u kërcënua me sulm fizik dhe u abuzua verbalisht më 11 nëntor në një protestë kundër zhvendosjes së një monumenti kushtuar atyre që vdiqën në Luftën e Dytë Botërore.
Vehbi Kajtazi, kryeredaktor i gazetës online në Prishtinë, Insajderi, u sulmua në një bar në qendër të qytetit më 13 tetor.
Më 16 gusht, gazetari investigativ Parim Olluri, u sulmua në Prishtinë. Ai tha se dyshonte se sulmi kishte lidhje me artikujt e tij në media.
Megjithatë autoritetet kanë reaguar në mënyrë më të përshtatshme ndaj incidenteve këtë vit, thuhej në raport.
“Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë ishin më aktive në mbrojtjen e gazetarëve këtë vit pas rekomandimeve të bëra vitin e kaluar nga Raporti për Sigurinë e Gazetarëve (nga Shoqata e Gazetarëve të Kosovës),” thuhej në raport.
Por ai paralajmëroi se gjykimi i disa çështjeve në të cilat të dyshuarit dhe autorët janë identifikuar nuk ka përparuar në mënyrë efikase apo mjaftueshëm shpejt nëpër gjykata.