Nga Shkupi në Glasgou, aktivistët po organizojnë protesta të përbashkëta kundër ndërtimit në Parkun Kombëtar Pirin në Bullgari, të zemëruar me aferat korruptive.
Të enjten bullgarët do të dalin në rrugët e Sofjes dhe në 15 qytete të tjera të vendit për t gjashtën herë këtë muaj, për të protestuar kundër vendimit të qeverisë për të lejuar ndërtim në Parkun Kombëtar Pirin, të vetmen zonë të trashëgimisë së vendit përfshirë në UNESCO.
Në dhjetor, personalitete amerikane, përfshirë yllin e kinemasë Leonardo DiCaprio dhanë mbështetje për fushatën e Fondit Botëror të Kafshëve WWF kundër punimeve të planifikuara. Protesta e radhës në Bullgari do të mbështetet nga protesta të tjera në të paktën nëntë qytete të BE-së dhe një në Shkup, Maqedoni.
“Në Sofje dhe në shumë qytete të tjera bullgare është e pamundur të marrësh frymë, dhe tani ata duan të shkatërrojnë mushkëritë e vendit”, tha Nadia Esen, organizatorja kryesore e protestës në Kopenhagës, që do të zhvillohet të shtunën.
Esen pretendoi se shumë zyrtarë në Bullgari kanë rezultuar të jenë “të korruptuar, të lig dhe të paepur” dhe nuk mund t’u besohej e ardhmja e mjedisit të vendit.
Protestuesit kërkojnë që qeveria të zbulojë “pronarin e vërtetë të kompanisë [Yulen AD] që zotëron koncesionin e Parkut” dhe një kryerjen e një auditimi ndërkombëtar të koncesionit. Yulen AD ka koncesionin për zonën e skive Bansko në parkun kombëtar dhe megjithëse e ka shtrirë përtej kontratës zotërimin e vet, nuk është penalizuar nga administrata.
Përveç kësaj, sipas planit të ri të menaxhimit, të miratuar më 28 dhjetor, koncesioni u zgjat. Kjo nxiti nisjen e protestave mjedisore, ku demonstruesit pretendojnë se kushtet e reja lejojnë prerjen e pemëve në shkallë të gjerë dhe lejojnë ndërtimet mbi 48 për qind të Parkut Kombëtar të Pirit. Ata kërkojnë tërheqje të vendimit.
Parku Kombëtar i Pirinit është i vetmi vend i Bullgarisë në UNESCO, që përfshin rreth 40,000 hektarë dhe mbulon mbi 70 liqene akullnajore, kullota alpine, si dhe ujëvara të mrekullueshme apo shpella. Zona ka 17 bimë endemike për Bullgarinë dhe është shtëpi e mbi 220 llojeve të kafshëve, duke përfshirë lloje të rralla si ariu i murrmë, ujku gri dhe shqiponja e artë, mes shumë të tjerave.
Ralitsa Angelova, një bullgare që studion psikologji në qytetin skocez të Glasgou, organizoi një protestë të vogël në mbështetje të tubimeve në Sofje javën e kaluar, duke vendosur postera në pedonalen kryesore të Glasgous dhe duke folur me kalimtarët rreth kauzës.
Angelova do të organizojë një protestë tjetër të enjten në Glasgou; Ajo thotë se është rritur nga prindërit duke dashur malet e vendit dhe se ka shëtitur atje që e vogël. “Çdo mal bullgar është një botë tjetër për mua”, shpjegoi ajo.
Megjithatë studentja thotë se protestat janë të një teme të gjerë veç mjedisit. “Është një mundësi e mirë për të treguar se ka shpresë për ndryshim [në Bullgari]”, tha ajo.
Edhe në Berlin do të ketë gjithashtu një tubim të dytë; i pari tërhoqi rreth 70-80 persona, sipas organizatores, Lubomila Jordanova nga Plan A, një platformë e OJQ-ve mjedisore.
Tubimi i Berlinit tërhoqi jo vetëm emigrantët bullgarë, por edhe shumë të huaj dhe tërhoqi vëmendjen e medias bullgare dhe gjermane, tha Jordanova.
Për Natyrën, një koalicion i grupeve aktiviste mjedisore që po organizon protestën kryesore në Sofje, tha se bullgarët janë veçanërisht të interesuar në mbrojtjen e kauzave mjedisore.
Ata cituan një raport të Programit të Bashkëpunimit Bullgari-Zvicër, i cili zbuloi se 85 për qind e bullgarëve mendojnë se natyra është gjëja më e rëndësishme që i përkufizon ata si komb, pasuar nga historia (82 për qind) dhe folklori (79 për qind).
Constantin Ivanov, menaxheri rajonal i WWF Bulgaria, tha se njerëzit po dilnin në rrugë edhe prej zemërimit prej korrupsionit.
“Bullgarët jashtë vendit bashkohen, sepse është më e lehtë për ata të shohin problemet që ka vendi me korrupsionin dhe sundimin e ligjit”, tha Ivanov për BIRN.
Aktivistët në Maqedoninë fqinjë gjithashtu po mblidhen këtë javë në mbështetje të protestave në Bullgari.
“Natyra nuk ka kufij”, tha Elena Nikolovska, kryetare e shoqatës mjedisore maqedonase Eco-Svest, e cila po organizon aksion solidarizues dhe po qarkullon një peticion.
“Nëse shkatërrojmë rrëqebullin e Ballkanit në Bullgari, kërcënojmë gjithashtu mbijetesën e tij në Maqedoni dhe Shqipëri”, shtoi Nikolovska.
Ajo tha se fushata për ruajtjen e Parkut Kombëtar të Pirit ishte e afër për aktivistët mjedisorë maqedonas, sepse ata janë të përfshirë në një luftë paralele.
“Për dy vitet e fundit kemi luftuar të njëjtën betejë për të shpëtuar Parkun Kombëtar Galichica, i cili është gjithashtu një vend i trashëgimisë së UNESCO-s dhe kërcënohet nga një resort skish dhe një autostradë”, shpjegoi ajo.