Një raport i ri i jep një notë mesatare sundimit të ligjit në Shqipëri, ndërsa ekspertët vendorë i thanë BIRN se qeveria duhet të tregojë më shumë vullnet për të çuar përpara të drejtën dhe për të luftuar korrupsionin.
Një raport i publikuar së fundmi nga World Justice Project, e renditi Shqipërinë në vendin e 68 në rang global për nga sundimi i ligjit.
Indeksi i Sundimit të Ligjit, i cili mati respektimin e sundimit të ligjit në 113 vende të botës në dy vitet e fundit, e analizoi atë nga perceptimi i shtetasve dhe ekspertëve në secilin vend.
Në vlerësimin e përgjithshëm Shqipëria mori 0.51 pikë, ku zero është vlerësimi më i ulët dhe 1 pikë nënkupton se një vend është shtet ku sundon ligji plotësisht.
Fushat mbi të cilat u krye pikëzimi ishte performaca në kufizimin e pushtetit të qeverisë, mungesa e korrupsionit, qeveria e hapur, të drejtat e njeriut, rendi dhe siguria, zbatimi i ligjeve, si dhe drejtësia civile dhe ajo penale.
Ekspertë vendas i thanë BIRN se bien dakord me pasqyrimin e situatës shqiptare në raport, ndërsa nënvijëzuan nevojën për më shumë vullnet në fuqizimin e shtyllave të sundimit të ligjit nga qeveria shqiptare.
Ekspertja e të drejtave të njeriut në Shqipëri, Vasilika Laçi, nga organizata ndërkombëtare Civil Rights Defenders pranoi cilësimin nga raporti i Sundimi i Ligjit se drejtësia është një nga fushat më problematike në vend.
Sipas saj, shpresa e nxitur nga Reforma në Drejtësi ka filluar të zbehet.
“Pas shpresës së përkohshme se mund të kishte përmiresim të menjëhershëm të aspekteve të sundimit të ligjit kur Reforma në Drejtësi të miratohej, jemi kthyer në një fazë të zhgënjimit. Duket qartë që aktorët politikë dhe shumë persona të sistemit të drejtësisë po përpiqen ta minojnë procesin si të munden,” tha Laçi.
Raporti vëren se vendi vuan kryesisht nga korrupsioni në gjykata, si në çështjet penale dhe ato civile, kohëzgjatja e paarsyeshme e proceseve dhe ndërhyrja e papërshtatshme e qeverisë në këtë shtyllë të demokracisë.
Indeksi po ashtu konstatoi se korrupsioni është veçanërisht i përhapur në degët kryesore të funksionimit të shtetit, ku shifrat alarmante vijnë respektivisht nga legjislativi (0.18 pikë nga 1), ekzekutivi (0.37 pikë), gjyqësori (0.32 pikë). Policia dhe ushtria shihen si më pak të korruptuara në shifrën 0.52 pikë.
Një fushë tjetër, në të cilën Shqipëria kaloi në lupë qenë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Liria e besimit dhe e drejta e jetës dhe sigurisë, qenë pikat ku Shqipëria iu afrua më shumë vlerësimit maksimal në përmbledhjen e të drejtave themelore të njeriut, por pati gjithsesi një vlerësim nën mesataren për të drejtat e punës.
Mungesa e diskriminimit, liria e shprehjes dhe e tubimit, si dhe e drejta e privatësisë u vlerësuan mesatarisht.
Megjithatë, sipas ekspertes Laçi, panorama e të drejtave të njeriut në vend është komplekse, për sa kohë qeveria vazhdon të mos i marrë ato seriozisht, duke i trajtuar si tretësore.
“Hap pas në këtë drejtim ka qenë shkrirja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe atashimi si aneks pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Patriarkalizmi dhe mbyllja e shoqërisë shqiptare nuk mund t’u lihen si detyrë vetëm organizmave si shoqëria civile apo agjencive të OKB-së apo Këshillit të Evropës,” argumentoi Laçi.
Sipas saj, diskriminimi ekonomik dhe me baza të tjera, shkelja e të drejtave të të burgosurve, apo të drejtat e liritë e të shprehurit kanë qenë problematike në dy vitet e fundit “sidomos nga agresioni verbal dhe presioni i shëmtuar që i është bërë medias nga ana e kryeministrit”.
“Ka pasur një përkeqësim të situatës sidomos përsa i përket mbrojtjes së jetës dhe mjedisit, kombinuar këtu me injorimin e mendimit të qytetarëve,” shtoi Laçi, duke listuar po ashtu një mori fushash ku shteti duhet të përmirësojë angazhimin e tij, si komuniteti rom dhe egjiptian, personat me aftësi ndryshe, grupet LGBTI dhe gratë e dhunuara apo diskriminuara.
Në vlerësimin mbi qeverisjen e hapur, sipas raportit publikimi i ligjeve dhe të dhënave të qeverisë, si dhe e drejta e informimit, pjesëmarrja civile dhe mekanizmat e ankimit në këto dy vitet e fundit në Shqipëri kanë një performancë të dobët që e rendisin vendin në rang global në vendin e 87 nga 113 shtete.
Aranita Brahaj, e cila drejton Institutin Shqiptar të Shkencës AIS dhe Open Data Albania, një organizatë që merret me transparencën përmes të dhënave të hapura, shprehet se vendit nuk i mungojnë shembujt pozitivë të transparencës për publikun, si për shembull shpenzimet dhe buxhetet e institucioneve.
“Legjislacionin Shqipëria e ka goxha të mirë dhe i jep mundësi për të dhëna të hapura,” tha për BIRN, Brahaj, duke përmendur edhe përpjekjen aktuale për deklarim të pasurive të zyrtarëve të lartë.
Megjithatë, Brahaj argumenton se hapja e qeverisjes mund të përmirësohet edhe më tej, nëse burimet monetare do të investoheshin duke ndërthurur edhe faktorë të tjerë socialë.
“Ka një tendencë për të shpenzuar në teknologji, por mungojnë kapacitetet dhe vullneti,” Brahaj.
“Hapja e të dhënave nuk duhet të shihet vetëm si një shërbim kontraktor, por duhet vlerësuar impakti dhe duhet marrë një mendim nga shoqëria civile apo ekspertët vendorë,” përfundoi ajo.
Parë nga spektri i zbatimit të ligjeve, raporti thotë se vendi ynë vuan kryesisht prej mungesës së zbatimit efektiv të rregullave, kombinuar me ndërhyrjen e pajustifikuar, mosrespektimin e një procesi të drejtë dhe shpronësimin pa kompensim të duhur.
Ekspertja Laçi gjithsesi shprehu vlerësim për dy ligje kyçe të kaluara së fundmi, atë të pakicave kombëtare dhe ligjin për Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti.
“Qasja në ndihmën juridike falas është një aspekt shumë i rëndësishëm që do t’i ndihmojë njerëzit të jetojnë një jetë më të mirë,” tha ajo, duke shtuar se përfitimet e zbatimit të këtyre ligjeve do të ndihen më mirë kur shteti të hartojë akte nënligjore që garantojnë zbatimin, të trajnojë administratën shtetërore mbi to, të caktoje buxhetet përkatëse, si edhe të hartojë fushata ndërgjegjësuese për të tilla ligje.
Indeksi vlerësoi Shqipërinë dhe në fusha si rendi dhe kufizimet e qeverisjes, ku kufizimet ndaj legjislativit dhe auditimi i pavarur morën 0.6 pikë, ndërsa mungesa e kufizimeve ndaj gjyqësorit dhe mos-ndëshkimi i shkeljeve të zyrtarëve e ulën shigjetën në vlerësim negativ.
E vetmja pikë ku Shqipëria mori vlerësim maksimal qe mungesa e konfliktit civil, në vlerësimin për Rendin dhe Sigurinë, pasuar nga mungesa e krimit (0.85 pikë).
Krahasuar me të dhënat e të njëjtit raport për vitin 2016, vendi ynë u ngjit me katër vende në klasifikimin botëror, ndërsa në renditjen rajonale mban vendin e gjashtë nga trembëdhjetë shtete.