Kryetarja e Bashkisë Sarandë, Florjana Koka, u bë të mërkurën e treta kryebashkiake e kallëzuar këtë javë në prokurori nga organe mbikëqyrëse, pasi IKMT e akuzoi atë dhe dy ish-punonjës të tjerë të bashkisë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT, njoftoi të mërkurën se ka kallëzuar penalisht në prokurori, kryebashkiaken e Sarandës, Florjana Koka, ish kryetarin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të kësaj bashkie, Edmond Gjoka dhe ish shefin e Urbanistikës, Panajot Gunari, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve.
Ata akuzohen për dhënien në kundërshtim me ligjin të një leje ndërtimore dhe rinovimin e saj, për një kompleks multifunksional të një firme private, në zonën e Kanalit të Çukës në bregdet.
Inspektorati shkruan në kallëzimin penal se ka konstatuar mospërputhje të lejes së miratuar në vitin 2010 për kompaninë dhe lejes për shtyrje afati në vitin 2017, ku ka pasur ndryshime thelbësore të cilat bien në kundërshtim me disa ligje për planifikimin e territorit dhe zhvillimin e tij.
“Meqenëse ekzistojnë akte miratuese që shprehin vendimmarrje të njëjtë për këtë objekt/subjekt, por me të dhëna teknike të ndryshme… lind nevoja për një hetim të detajuar nga organet kompetente për saktësimin e kësaj problematike,” shkruan IKMT në kallëzim.
IKMT argumenton gjithashtu se leja e rinovuar në vitin 2017, shton me një kat ndërtesën e planifikuar, ia jep atë një kompani ndryshe nga e para, shkel planimetrinë e zonës ku lejohen ndërtime për shërbime dhe jo banim, si dhe i është dhënë një kompanie dhe jo pronarit të truallit.
Kryebashkiakja e Sarandës, Florjana Koka i tha BIRN se nuk kishte koment për çështjen në hetim, por shtoi se “për këtë leje ka një vendim gjykate që detyron bashkinë e Sarandës ta bëjë shtyrjen e afatit të kësaj leje”.
Koka është bërë kështu e treta kryebashkiake e akuzuar brenda kësaj jave nga institucione mbikëqyrëse për shpërdorim të detyrës, pasi më 29 maj Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi gjithashtu në prokurori kryebashkiakun e Belshit, Arif Tafani dhe ish-kryebashkiakun e Rrogozhinës, akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është një organ publik i ngarkuar me parandalimin e ndërtimeve të paautorizuara apo në kundërshtim me legjislacionin dhe planet urbanistike.
Shënim: Ky shkrim u përditësua më 31 maj për të shtuar reagimin e kryebashkiakes Koka, pasi në kohën e publikimit ajo nuk ishte e arritshme për koment.