Leku shqiptar humbi 0,7% të vlerës gjatë të Enjtes, një ditë pasi Banka e Shqipërisë shpalli ndërhyrjen e saj të jashtëzakonshme në treg ndërsa agjencitë e këmbimit valutor zgjeruan marzhet e tregtimit për shkak të pasigurisë së krijuar nga ndërhyrja.
Monedha e përbashkët Europiane, euro, u shkëmbye për mesatarisht 125.25 lekë gjatë ditës së mërkurë, me një rritje 83 qindarkash ose 0,7% në krahasim me të martën, në ditën e parë pas deklaratës së Bankës së Shqipërisë për ndërhyrje në treg. Tregtia e valutës në mëngjesin e së mërkurës u karakterizua nga luhatje të konsiderueshme në kursin e këmbimit dhe në zgjerim të diferencës mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes nga një pjesë e agjencive të këmbimit valutor, shenja këto të pasigurisë në rritje mes operatorëve të tregut mbi ecurinë e ardhshme të kursit.
Marzhet e tregtimit në këmbimin valutor nëpër agjenci janë zakonisht shumë të ulëta në Shqipëri. Agjencia tipike e blen euron vetëm 0.5% më lirë nga sa e shet. Por frika për luhatje të fuqishme të shkaktuara nga ndërhyrja e BSH apo nga faktorë të tjerë bën që agjencitë të mbrohen duke e rritur marzhin mes blerjes dhe shitjes së valutës.
Banka e Shqipërisë njoftoi të martën pas mbylljes së ditës së punës nëpër banka se kishte vendosur të ndërhynte në treg për të blerë valutën e tepërt me synimin e shmangies së forcimit të mëtejshëm të lekut dhe efekteve me potencial destabilizues të forcimit. Sipas guvernatorit Gent Sejko, ndërhyrja e BSH do të vijojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Sejko dhe Banka e Shqipërisë janë përballur me kërkesa për ndërhyrje në treg që prej disa muajsh nga grupe biznesi apo aktorë politikë. Disa shoqata biznesesh prodhuese dhe eksportuese u ankuan se forcimi i lekut po gërryente fitimet e tyre dhe po i shtynte të rimendonin planet e investimeve dhe punësimeve, veçanërisht për shkak të shpejtësisë së forcimit.
Pyetur nga gazetarët, Sejko deklaroi në prill se kursi i këmbimit të lekut reflekton fondamentat e ekonomisë, duke kundërshtuar kështu spekulimet se në treg ka sasi të konsiderueshme eurosh të sjella nga krimi i organizuar përmes trafikut masiv të drogës. Por në 2 maj, Sekjo ndryshoi kurs dhe deklaroi se, ndonëse forcimi deri në muajin mars 2018 ishte pasojë e fondamentave, forcimi i muajit prill ishte jashtë fondamentave dhe rrjedhimisht i përkohshëm. Deklarata e 2 majit, ndonëse përbën në vetvete një ndërhyrje në treg përmes deklaratës, nuk arriti të ndryshojë drejtimin dhe leku vijoi të forcohej gjatë majit, madje me një ritëm edhe më të shpejtë se më parë. Më 6 qershor Sejko shkoi më tutje duke shpallur se Këshilli Mbikëqyrës kishte vendosur ndërhyrje në treg përmes blerjes së valutës së tepërt.
Fondamentat e ekonomisë janë faktorët që ndikojnë kërkesën dhe ofertën në tregun e këmbimit valutor, të tilla si deficiti tregtar, deficiti i llogarisë korrente apo çmimet relative. Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një model disa vite më parë për të llogaritur çmimin e ekujlibrit në bazë të fondamentave dhe për ta krahasuar me kursin real të këmbimit të ofruar nga tregu. Problemi është se modele të tilla kërkojnë statistika shumë cilësore, të cilat Shqipëria nuk i disponon për shkak të shkallës së gjerë të ekonomisë informale. Kjo e bën rezultatin e nxjerrë nga modeli me shkallë të ulët besueshmërie. Por ky nuk është problemi i vetëm. Deklarata e fundit e Sejkos theksoi faktin se operatorët e tregut janë në gjendje të marrin vendime duke parashikuar prurje të caktuara valutore. Sipas Sejkos, “pritshmëritë” e operatorëve për flukse hyrëse në valutë ishin përgjegjëse për forcimin e lekut gjatë muajit të fundit. Sejko renditi tre “pritshmëri”: Njëra ishte fakti që disa banka pritej të konvertonin në lekë një sasi kapitali të tyren në euro. Faktori i dytë ishte “një korporatë publike”, e cila mori një kredi në euro për të shlyer kredi overdraft të marra më parë pjesërisht në lekë. E treta ishte supozimi për një sezon turistik më të mirë se zakonisht, gjë që shoqërohet me prurje valutore. Korporata publike për të cilën bëhet fjalë është KESH. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare mori së fundmi gjysmën e një kredie prej 240 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kredi që do të përdoret për të shlyer kredi më të shtrenjta overdraft të marra nga KESH gjatë viteve 2010-2013. Dy nga tre faktorët të cilët sipas Sejkos shkaktuan “pritshmëri” për ofertë më të lartë të euros duket se lidhen me përmasat e vogla të tregut shqiptar dhe faktit që dy faktorë të tillë gati rutinë, si konvertimi i një sasie kapitali apo marrja e një kredie nga KESH, janë lehtësisht të parashikueshëm nga operatorët kryesorë të këmbimit valutor në vend, të cilat janë bankat e nivelit të dytë.
Ndërhyrje që rrit pasigurinë
Ndonëse kërkesat te Banka e Shqipërisë për ndërhyrje kanë qenë të shumta, vetë BSH ka ngurruar të ndërhyjë deri tani për shkakun e thjeshtë se regjimi i këmbimit valutor i zbatuar në Shqipëri që nga rënia e komunizmit, kursi i lirë luhatës, kërkon qëndrim neutral të BSH në këtë treg, ndërsa vetë ndërhyrja mund të shkaktojë shumë pasiguri në treg, duke e kthyer një ndërhyrje që synon stabilitet në një faktor destabiliteti më vete.
Sipas rregullores së ndërhyrjes në tregun e këmbimit valutor [Link rregullorja], Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në treg me deklaratë ose me ankand për blerjen apo shitjen e valutës. Në disa raste, deklarata e BSH mund të mjaftojë për ta mbajtur kursin në drejtimin e dëshiruar, ndërsa në raste të tjera, BSH-së i duhet të blejë ose të shesë me kontrata të atypëratyshme (spot) ose kontrata të mëvona (Forëard) sasi valute nga bankat e nivelit të dytë. Në rastet kur BSH ndërhyn me deklaratë, siç ishin deklaratat e 2 majit dhe 6 qershorit, të gjithë operatorët në treg mund të ndryshojnë sjelljen për shkak të pritshmërisë së re të krijuar. Një qytetar apo kompani që dëshiron të blejë valutë, ka gjasa që nxiton ta blejë për të marrë një çmim më të ulët ndërsa një qytetar që dëshiron ta shesë valutën, ka gjasa do të presë disa ditë për të marrë një çmim më të mirë. Në fund, efektiviteti i ndërhyrjes varet shumë nga përmasat e saj.
Leku shqiptar është forcuar me ritme të jashtëzakonshme gjatë muajve të fundit ndërsa shkaqet e forcimit janë shumë të debatuara. Ndërsa BSH e interpreton forcimin më së shumti si një efekt psikologjik i shkaktuar nga pritshmëritë, të tjerë mendojnë se paratë e pista kanë hyrë në ekonominë shqiptare në përmasa të konsiderueshme përmes sektorit të ndërtimit. Ndërtimi filloi të rigjallërohej më 2017 pas tre vitesh bllokimi lejesh nga ana e qeverisë dhe lejet e dhëna gjatë kësaj periudhe kërkojnë disa qindramilionë euro investime për t’u realizuar. Këto investime aktualisht po kryhen ndërkohë që kredia për ekonominë nga sistemi bankar nuk ka pësuar ndonjë rritje të ndjeshme.