Ministria e Brendshme njoftoi se ekspertiza mjeko-ligjore kishte shfajësuar policinë për 27 vjeçarin Enea Ftoj që u gjet i vdekur në qelitë e komisariatit të Korçës, por prindërit e të ndjerit e cilësuan këtë “vrasje të dytë”, ndërsa thanë se shenjat e dhunës kishin qenë të dukshme.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit shpërndanë pasditen e të mërkurës një video komunikatë për shtyp, ku njoftuan se ekspertiza mjeko-ligjore nuk bënte me faj punonjësit e policisë për vdekjen e Enea Ftojit dhe se ndaj të riut që humbi jetën në komisariatin e Korçës nuk ishte ushtruar dhunë.
Por familja e tij tha se nuk kishin dijeni për rezultatet e ekspertizës. “Nuk dija gjë që kishte dalë akti i ekspertimit. Askush nuk na ka thënë gjë. Tani që mësova se e kanë mohuar dhunën, është sikur ma vranë përsëri”, i tha BIRN Mimoza Ftoji. Avokati që po përfaqëson familjen Ervin Muja tha po ashtu në një bisedë telefonike se “nuk i ishte vënë në dispozicion akti i ekspertizës”.
Enea Ftoj, baba i tre fëmijëve, ishte arrestuar sipas policisë më 14 maj me akuzën e vjedhjes me dhunë, dhe duhej të dilte para gjykatës për masën e sigurisë, por në pritje të seancës të afërmve iu tha se ai ishte gjetur i vdekur në qeli më 17 maj të këtij viti. Policia përmes një komunikate zyrtare njoftoi se: “Në dhomat e sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë, ka vdekur shtetasi Enea Ftoj, 27 vjeç, banues në Korçë, i arrestuar në datë 14.05.2018, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Sipas saj në trupin e të riut nuk kishte pasur shenja dhune, ndërsa njoftohet edhe se ai ishte përdorues droge.
Familjarët e viktimës akuzuan policinë se kishte përdorur dhunë ndaj të ndjerit, ndërsa aktivistë dhe pjesëtar të komunitetit Egjiptian e atij Rom protestuan në Korçë dhe Tiranë duke e cilësuar rastin shkelje të të drejtave të njeriut.
Në video-komunikatën për shtyp që u shpërnda në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, zv.ministrja Romina Kuko thotë se ata kishin vendosur të reagonin vetëm pas ekspertizës. “Ne nuk kemi dashur të dalim në konkluzione të cilat janë të pabazuara shkencërisht. Sot, siç e përmendi edhe Drejtoresha e Përgjithshme e SHÇBA-së, Policia e Shtetit shkarkohet nga përgjegjësia e ushtrimit të dhunës fizike ndaj shtetasit Enea Ftoji”, tha Kuko.
Në të njëjtën video-komunikatë ishin bashkangjitur po ashtu pamje të një vizite të zv.ministres së Brendshme Romina Kuko, zv.drejtores së Policisë së Shtetit Aida Hajnaj dhe Drejtores së Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave Anila Trimi në familjen e të ndjerit, të cilës ata thonë se i është “ofruar mbështetje”. ““Natyrisht është një humbje je te, e kjo humbje dhe dhimbja për familjarët është shumë e madhe. Ne i kemi qëndruar pranë dhe do të vazhdojmë t’i qëndrojmë pranë familjarëve të Enea Ftojit”, thotë Kuko. Video nuk përcakton kohën kur është bërë vizita dhe as pse ajo i ishte bashkëlidhur njoftimit për rezultatin e ekspertizës mjeko-ligjore.
Familjarët e të ndjerit i thanë BIRN se vizita ishte bërë ditë pas vdekjes së 27-vjeçarit, ndërkohë që thanë se nuk kishin asnjë besim te ekspertiza. “Djali im kishte shenja dhune, kishte krahun e thyer, kishte një shenjë poshtë mjekrës, kishte njërën anë të fytyrës të nxirë dhe të enjtur. Përveç kësaj ma ka deklaruar vetë me gojën e tij gjatë ditëve që është mbajtur në komisariat. Ma ka thënë disa herë që më kanë dhunuar”, tha babai i të ndjerit Tomor Ftoj. Ai po ashtu tha se do të kërkonte ekspertizë të re. Avokati i familjes tha se fliste pasi të njihej me aktin dhe me veprimet e tjera hetimore të prokurorisë.