Takimi i fundit në Bruksel midis presidentit serb dhe atij të Kosovës, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, përfundoi shpejt pa ndonjë progres të dukshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Takimi i ndërmjetësuar nga BE-ja të mërkurën në Bruksel midis krerëve të Kosovës dhe Serbisë përfundoi me të dyja palët që mbetën të ngulitura në qëndrimet e tyre dhe pa progres drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore për normalizimin e marrëdhënieve.
Hashim Thaçi i Kosovës tha se Serbia dhe presidenti i saj Vuçiç duhet të pranojnë se Kosova është shtet i pavarur dhe se nuk mund të ketë kompromis për këtë çështje.
“Fatkeqësisht, Serbia vazhdon me mentalitetin e saj nga e kaluara,” tha Thaçi pas takimit të shkurtër, duke shtuar se ajo ishte biseda më e vështirë që kishte mbajtur në gjashtë vjet negociata.
Vuçiç tha se ai do të vazhdojë të përpiqet për “kompromis”, duke akuzuar palën shqiptare se dëshiron të marrë gjithçka.
“I vetmi ‘kompromis’ që pala kosovare ofron është të njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Kjo nuk funksionon në këtë mënyrë,” tha Vuçiç për shtypin.
Në një njoftim të shkurtër për shtyp, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Çështjet e Jashtme, Federica Mogherini, e cila ndërmjetëson negociatat, tha se të dy presidentët kishin shqyrtuar progresin e bërë në diskutimet e mëparshme dhe “kishin rënë dakord të takoheshin përsëri pas disa javësh për të vazhduar punën e tyre”.