Në mungesë të konsensusit ndërkombëtar, një sërë shtetesh europiane po nisin luftën për drejtësi në Siri në gjykatat e tyre, duke u mbështetur në dëshmitë e atyre që u arratisën që atje.
Z3 ishte 12 vjeç kur iu bashkua protestave kundër liderit sirian Bashar al-Assad në vitin 2012 në qytetin e Alepos. Në këmbim, thotë ai, policia i hodhi plastikë të shkrirë mbi këmbë dhe e torturoi më shkarkime elektrike.
Z1 ishte një mësuese matematike dhe anglishteje në Damask dhe ishte e njohur për deklaratat e saj politike online. Në vitin 2012, ajo u kap nga oficerë zbulimi të forcave ajrore siriane gjatë një udhëtimi në fshat dhe, sipas saj, u ndalua dhe u rrah për shtatë muaj me radhë në një burg nëntokësor.
Z12 është nëna e 15-vjeçares Z13. Të dyja u arrestuan për herë të parë në një pikë kontrolli në kryeqytetin sirian në tetor 2013 dhe u sulmuan seksualisht, u rrahën, u torturuan me shkarkime elektrike dhe u dogjën për disa vite në ndërtesat e qeverisë. Z13 thotë se pa një vajzë adoleshente që vdiq pasi u përdhunua vazhdimisht.
Z-ja do të thotë “Zeugin” ose dëshmitar.
Z1, Z3, Z12 dhe Z13 janë midis 16 burrave dhe grave të paidentifikuara – refugjatë nga Siria – pretendimet e të cilëve për torturë midis vitit 2011 dhe 2017 janë të përfshira në një kallzim penal prej 120 faqesh të ngritur nga avokatët e të drejtave të njeriut në prokurorinë e shtetit në Vjenë në maj, kallëzimi i parë në Austri kundër autoriteteve siriane.
Dokumenti, i vulosur për arsye ligjore, akuzon 24 anëtarë të lartë të qeverisë së Asadit për krime kundër njerëzimit, përfshirë torturë, vrasje, shfarosje, dëmtimin e rëndë trupor dhe heqjen e lirisë. Avokatët e informuan BIRN-in për përmbajtjen e kallëzimit.
Ai bazohet në parimin e “juridiksionit universal”, ku një shtet ose një organ ndërkombëtar mund të pretendojë juridiksion mbi autorin e një krimi, pavarësisht se ku është kryer krimi.
Dhe ajo daton që nga koha e fundit kur Europa e pa një largim kaq të madh refugjatësh, kur Jugosllavia u shpërbë në dekadën e fundit të shekullit të 20-të dhe Vjena hapi dyert e veta për refugjatët nga e gjithë federata që po rrëzohej.
Më pas, avokatët vjenezë të të drejtave të njeriut morën në pyetje 1,000 refugjatë boshnjakë (boshnjakë myslimanë) nga qyteti boshnjak i Zvornikut, midis dhjetëra mijëra të shpërngulurve nga forcat serbe të Bosnjës në ditët e para të luftës së viteve 1992-1995. Kur Kombet e Bashkuara krijuan Gjykatën Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ICTY, në vitin 1993, avokatët paraqitën dëshminë e tyre. Drejtësia erdhi shumë vite më vonë.
Tani, prokurorët austriakë duhet të vendosin nëse do të hapin një hetim zyrtar dhe do të lëshojnë urdhra arresti, duke iu bashkuar Gjermanisë, Suedisë dhe Francës në një luftë të gjatë për drejtësi për viktimat e një lufte shtatë vjeçare që ka vrarë më shumë se 500,000 njerëz, ka zhvendosur miliona dhe ka parë me dhjetra mijëra të torturohen në burgjet e qeverisë.
“Ata mund të fillojnë nesër,” tha për prokurorët avokatja nga Vjena Tatiana Urdaneta Wittek, e cila ka punuar për kallëzimin në emër të Qendrës jofitimprurëse Ndërkombëtare për Zbatimin e të Drejtave të Njeriut, CEHRI.
“Ne kemi prova shumë precize.”
Mungesa e veprimit ndërkombëtar
Që nga fillimi i luftës siriane në vitin 2011, dhjetëra mijëra janë mbajtur në burgjet e qeverisë, familjet e tyre janë lënë në errësirë për fatin e tyre. Qindra, ndoshta mijëra, besohet se kanë vdekur dhe në javët e fundit, pas viteve të tëra heshtje zyrtare, qeveria ka filluar të nxjerrë lajmërime vdekjeje. Shumë konfirmojnë vdekjet e ndodhura në fillim të kryengritjes kundër Asadit.
Fakti që shtete individuale europiane janë ata që kërkojnë vendosjen e drejtësisë është rezultat i paralizës në nivel ndërkombëtar.
Duke pasur parasysh se Siria nuk është nënshkruese e Statutit të Romës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ICC, në Hagë nuk ka juridiksion të hetojë Asadin, vetëm nëse udhëzohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Por atje Siria ka aleatë Rusinë dhe Kinën që mund të vendosin veton.
Në vitin 2011, kur regjimet autokratike në të gjithë Lindjen e Mesme u përballën me kërkesat e Pranverës Arabe për demokraci, Kombet e Bashkuara krijuan “Komisionin Ndërkombëtar të Pavarur të Hetimeve në Republikën Arabe Siriane” për të hetuar shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut që nga marsi i atij viti.
Pesë vjet më vonë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi për të krijuar Mekanizmin Ndërkombëtar, të Paanshëm dhe të Pavarur, ose IIIM, për të hetuar shkeljet e së drejtës ndërkombëtare në Siri.
IIM është i ngarkuar me “grumbullimin, konsolidimin, ruajtjen dhe analizimin e provave” të krimeve të luftës dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe asistimin e gjykatave kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në gjykimin e autorëve.
Ai po punon gjithashtu për një “qasje të integruar” për të mbrojtur ata që mund të dëshmojnë për krimet sirianë të luftës. Shumë prej tyre janë midis qindra mijërave që ikën në Europë si pjesë e krizës së refugjatëve dhe emigrantëve që arriti kulmin në vitin 2015 dhe vazhdon edhe sot.
Rasti i Austrisë mbështetet gjithashtu në të ashtuquajturat “fotografitë e Cezarit’, rreth 55,000 fotografi të viktimave të torturës siriane të kontrabanduara nga vendi dhe të publikuara në internet nga një ish-fotograf i mjekësisë ligjore i njohur vetëm me emrin e koduar Cezari.
Me asnjë shans për t’iu drejtuar ICC-së, viktimat po i drejtohen gjykatave kombëtare.
Dhe zbulimi më i madh i tyre erdhi në qershor, kur Gjykata Federale Gjermane e Drejtësisë (Bundesgerichtshof – BGH) lëshoi një urdhër për arrestimin e Jamil Hassan, kreu i shërbimit të inteligjencës të Forcës Ajrore Siriane.
Urdhër arresti bazohet në dëshminë e 24 sirianëve që jetojnë në Gjermani dhe dëshmive të tjera të mbledhura nga avokatët sirianë dhe Qendra Europiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Drejtat e Njeriut me bazë në Berlin, ECCHR.
ECCHR deri më tani ka paraqitur katër kallëzime penale në Gjermani për krime të dyshuara lufte në Siri dhe ndihmoi me rastin e Austrisë.
Nëse Austria lëshon urdhër arreste, ajo do të kufizonte menjëherë udhëtimin për të akuzuarit. Avokatët e kanë identifikuar vetëm një – Ali Mamlouk, këshilltar special për sigurinë i Asadit dhe kreu i Zyrës së Sigurisë Kombëtare.
Në fund të marsit, francezja Le Monde raportoi se Mamlouk ishte pritur në Romë në janar nga shefat e inteligjencës italiane, pavarësisht se ishte midis zyrtarëve të qeverisë siriane që janë të renditur në listën e zezë nga Bashkimi Europian.
Ish-rebeli dënohet në Suedi
Prokurori Publik Federal i Gjermanisë po shqyrton Sirinë që nga viti 2011 përmes asaj që e quan një “hetim strukturor” – mbledhjen e provave për t’u siguruar për përdorimin e tyre në të ardhme. Deri më tani, prokuroria është përqendruar kryesisht në krimet e kryera nga anëtarë të rangut të ulët të grupeve të armatosura jo-shtetërore.
Suedia dhe Franca gjithashtu kanë ndërmarrë veprime. Në shtator 2017, një gjykatë suedeze dënoi një ish-rebel sirian, Haisam Omar Sakhanh, me burgim të përjetshëm për pjesëmarrjen e tij në vrasjen e shtatë ushtarëve sirianë të kapur në vitin 2002. Ai kishte udhëtuar në Suedi në vitin 2013 dhe kishte marrë azil.
Dy hetime të tjera janë duke u zhvilluar në Francë, një në lidhje me zhdukjet e detyruara dhe torturat.
Tjetri ka përfshirë gjigantin francez të çimentos Lafarge, i cili u akuzua më 28 qershor për pjesëmarrje në krime kundër njerëzimit, financim të terroristëve dhe vënien në rrezik të jetëve në Siri. Një degë e Lafargut thuhet se ka paguar islamikët radikalë, përfshirë Shtetin Islamik, për të vazhduar operacionet e tyre. Lafarge ka thënë se do të apelojë akuzat.
Fokusi i Austrisë deri më tani ka qenë në rastet e terrorizmit dhe posaçërisht në rekrutimin e luftëtarëve.
Një rast krimesh kundër njerëzimit po apelohet. Në vitin 2017 një refugjat palestinez u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë rajonale në Innsbruck për ekzekutimin e 20 të burgosurve sirianë në rajonin e Homsit.
Vendimi u rrëzua në dhjetor 2017 nga gjykata më e lartë e Austrisë dhe një rigjykim është planifikuar për këtë vit.
Rasti nuk është i pari i Austrisë i një refugjati që akuzohet për krime të kryera në konfliktin nga i cili ai ose ajo kërkoi strehim. Në vitin 1993, serbi i Bosnjës Dusko Cvjetkoviç iu dha statusi i refugjatit në Austri, vetëm për t’u paditur për gjenocid në Bosnjë një vit më vonë nga prokurorët në Salzburg, pasi u identifikuan në rrugë nga një boshnjak tjetër. Ai u lirua më vonë nga akuzuan.
Mësimet e Jugosllavisë
Avokatët në Austri janë realiste në lidhje me mundësitë e tyre për të parë një aleat të lartë të Asadit në bankën e të akuzuarve në një gjykatë në Vjenë. Por mësimi i Jugosllavisë është se duhet të tregohemi të duruar.
Gjykata e Hagës filloi të mbledhë prova në fillim të viteve 1990, por vetëm disa vjet më vonë, ndonjëherë edhe dekada më vonë, kriminelët kryesorë e gjetën veten në një gjykatë në bregun verior të Holandës.
Avokatët austriakë ishin ndër ata që kontribuuan me provat që kishin mbledhur duke marrë në pyetje refugjatët nga Bosnja.
“Aktualisht në Austri ka rreth 40,000 sirianë që kanë marrë azil,” tha avokati Wittek. “Ne po kërkojmë nga dëshmitarë të tjerë që të dalin para.”
Hannes Tretter, një avokat dhe drejtor i Institutit Ludwig Boltzmann i të Drejtave të Njeriut me qendër në Vjenë, i cili ka ndihmuar CEHRI në përpilimin e çështjes së Sirisë, tha: “Ajo që po bëjmë ne tani është e ngjashme me punën tonë në Bosnjën e viteve ’90.”
“Ishte një kontribut i rëndësishëm në gjykatën jugosllave që u krijua më vonë.”
“Kujtesa zbehet,” tha ai. “Tani është e rëndësishme të dokumentojmë dëshmitë e dëshmitarëve.”