Një grup aktivistësh ndërkombëtarë dhe banorë të luginës së Valbonës bllokuan të hënën në mëngjes hyrjen e kantierit të hidrocentralit Dragobia, ndërsa kërkuan zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative për pushimin e punimeve nga ana e kompanisë.
Një grup aktivistësh mjedisorë nga fushata “Mbro Lumenjtë e Ballkanit” dhe banorë të Luginës së Valbonës bllokuan të hënën në mëngjes hyrjen në kantierin e ndërtimit të HEC-it Dragobia në Valbonë.
Duke krijuar një zinxhir njerëzor, aktivistët dhe banorët qëndruan të ulur për disa orë në atë, që sipas tyre nuk ishte një protestë, por një veprim ligjor që autoritetet shqiptare kishin dështuar ta ndërmerrnin.
“Kjo është një përgjigje ndaj mungesës së veprimit të forcave ligjore vendore dhe kombëtare në Shqipëri ndaj vendimit të 6 qershorit që urdhëroi kompaninë Dragobia Energy të ndalojë punimet në zonën e ndërtimit të hidrocentralit,” thanë aktivistët në një deklaratë për shtyp.
Ata i referohen vendimit të Gjykatës Administrative në Tiranë, e cila më 6 qershor të këtij viti vendosi që ndërtimet për hidrocentralet në parkun Kombëtar të Valbonës të ndalonin, deri në një vendim të procesit gjyqësor paralel që po shqyrton lejen e ndërtimit të kompanisë.
Pas këtij vendimi, shoqata Toka, një organizatë vendase që kërkon anulimin e HEC-eve në zonë dhe 27 banorët paditës të Tropojës, u vunë në kërkim të një përmbaruesi që do të merrte përsipër ekzekutimin e vendimit.
Megjithatë, dy ditë përpara ekzekutimit nga përmbaruesi, më 31 korrik, në një veprim kontrovers Gjykata e Rrethit Tropojë e përmbysi vendimin e Gjykatës Administrative në Tiranë duke lejuar vazhdimin e punimeve nga kompania ndërtuese e hidrocentraleve në parkun kombëtar të Valbonës.
Në një deklaratë për shtyp më 8 gusht, zv.ministri i drejtësisë Toni Gogu e quajti vendimin e gjykatës Tropojë “haptazi në kundërshtim me ligjin” dhe lajmëroi se gjyqtari i çështjes Sami Ujkashi do të inspektohej nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Lexoni të ngjashme
Procesi i vetingut, i cili ka si synim të kontrollojë përputhshmërinë me postin të gjyqtarëve të sistemit të drejtësisë, ka shkaktuar paralelisht një ngërç institucional pas shkarkimit të disa gjyqtarëve të Gjykatës së Administrative të Apelit.
Ankimi ndaj vendimit të Gjykatës Tropojë vazhdon të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit të Shkodrës, por ndërkohë kompania Dragobia Energy vazhdon punimet.
Aktivistët njoftuan se situata u tensionua me përgjegjësin e kompanisë në terren rreth orës 8 të ditës së sotme, kur punëtorët kanë gjetur hyrjen e kantierit të bllokuar. Në një video të publikuar nga aktivistët në Facebook, ai shfaqet duke mbajtur shënim emrat e aktivistëve.
Policia e pranishme siguroi vazhdimësinë e bllokimit nga ana e aktivistëve.
“Kjo është një shenjë e qartë se grupi ishte brenda ligjit dhe është një fitore e qartë për të gjithë njerëzit që po punojnë për drejtësinë sociale dhe mjedisore në Luginën e Valbonës,” u shprehën aktivistët në deklaratën e tyre, duke iu referuar mosndërhyrjes së policisë.
Lexoni të ngjashme
- Aktivistët në mbrojtje të Valbonës paditen nga kompanitë koncensionare të HEC
- WWF: Vendimi i Gjykatës për HEC-et kërcënim për biodiversitetin në Valbonë
Prej dy vitesh, banorët e zonës dhe kompanitë ndërtuese të HEC-eve në Valbonë, Dragobia Energy dhe Gener 2 vazhdojnë të përplasen, ndërsa banorët i kanë quajtur lejet për ndërtimin e HEC-eve në kundërshtim me ligjin dhe të miratuara pa konsultimin publik me ta.
Kompanitë kanë këmbëngulur se autoritetet shqiptare i kanë autorizuar atyre punimet përmes lejeve të dhëna dhe kanë vazhduar ndërtimin.