Prokurorët rumunë të premten paditën krerët e policisë për përdorim dhune të tepruar kundër protestuesve anti-korrupsion në një tubim kundër qeverisë që u mbajt më 10 gusht.
Prokurorët rumunë të premten thirrën disa shefa të lartë të policisë për t’i njoftuar ata se po ndiqen penalisht për koordinimin e ndërhyrjes së dhunshme dhe përdorimin e gazit lotsjellës në një protestë anti-qeveritare më 10 gusht, ku mbetën me qindra të plagosur.
Shefi i Xhandarmërisë, Catalin Sindile, zëvendësi i tij, Sebastian Cucos, dhe kreu i divizionit të Bukureshtit, Laurentiu Cazan, u thirrën të merrnin njoftimin zyrtar se ata do të ndiqen penalisht për shpërdorim të detyrës dhe dhunë të tepruar.
Ata u përballën me një grusht protestuesish të mbledhur në hyrje, të cilët thërrisnin “Shko në burg!”, “Dorëhiqu!” dhe “Vrasës!”.
Një njeri që ishte midis të plagosurve gjatë protestës më 10 gusht vdiq disa javë më vonë dhe shumica e aktivistëve e kanë lidhur vdekjen e tij me plagët që ai mori. Hetimi është ende në vazhdim e sipër.
Pasi Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm mori mbi 650 ankesa nga njerëz të plagosur më 10 gusht, ai thirri një numër politikanësh dhe shefash policie që të shpjegonin sjelljen e tyre.
Hetimi çoi në përçarje në Partinë Social Demokrate në pushtet, me kryebashkiaken e Bukureshtit, Gabriela Firea, që akuzoi Ministren e Brendshme Carmen Dan se po përpiqte të shpëtonte nga dënimi guvernatoren e Bukureshtit Speranta Cliseru për ndërhyrjen e rëndë.
Dan, një aleate e ngushtë e kryetarit të partisë Liviu Dragnea, një seancë në Komitetin e të Drejtave të Njeriut në parlament të martën mohoi të kishte koordinuar ndërhyrjen e policisë. Ajo gjithashtu mbrojti policinë e trazirave, duke deklaruar se ata vepruan brenda ligjit pasi u sulmuan nga protestuesit.
“Fatkeqësisht, kam vënë re se policia e trazirave nuk i intereson këtij komisioni,” u tha ajo të martën deputetëve.