Vëllezërve shqiptaro-amerikan Bytyqi, të cilët luftuan për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë nga forcat serbe në vitin 1999, u jepet medalja “Hero i Kosovës” nga presidenti Hashim Thaçi.
Presidenti Hashim Thaçi të enjten dha urdhrin “Hero i Kosovës” për Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, tre vëllezër shqiptaro-amerikanë të vrarë pasi u arrestuan nga policia serbe në vitin 1999.
“Ju nuk kursyet asgjë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës,” tha Thaçi në një ceremoni në konsullatën e Kosovës në Nju Jork.
Ahmet Bytyqi, babai i tre burrave, tha se çmimi nuk ishte vetëm për fëmijët e tij, por për të gjithë ata që ranë për liri, sipas një deklarate të presidencës së Kosovës.
“E kam pritur këtë. Kjo ishte ëndrra ime. Akoma më duket sikur jam në ëndërr. Faleminderit për nderin, secilin prej jush,” tha Ahmet Byqyqi.
Thaçi gjithashtu nderoi Batalionin Atlantik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, anëtarët e të cilit vinin kryesisht nga Shtetet e Bashkuara. Vëllezërit Bytyqi ishin pjesë e batalionit.
Ai i dha batalionit medaljen Jubilare të Dhjetë Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke i përshkruar anëtarët e saj si “ura lidhëse të marrëdhënieve tona me SHBA-në”.
Medalja u mor nga ish-komandanti i UÇK-së, Gani Shehu, kryetar i Shoqatës së Atlantikut, i cili tha se shqiptaro-amerikanët bënë shumë sakrifica për lirinë e Kosovës.
“Ata kanë dhënë shumë për lirinë. Ata dhanë bijtë e tyre, të cilët shkuan për t’u bashkuar me UÇK-në,” tha Shehu.
Vëllezërit Bytyqi udhëtuan nga SHBA-ja në Kosovë për të luftuar kundër forcave serbe gjatë luftës.
Pas marrëveshjes së paqes të qershorit 1999 që i dha fund luftimeve, ata më pas ranë dakord të shoqëronin disa romë në Serbi.
Por kur ata shkelën një vijë kufitare të pashënuar midis Serbisë dhe Kosovës pranë Merdares, ata u arrestuan nga policia serbe për hyrje të paligjshme në atë që ishte atëherë Jugosllavia.
Pas kryerjes së dënimeve, ndërsa po largoheshin nga burgu i rrethit në qytetin Prokuplje në jug të Serbisë, ata u arrestuan përsëri, u dërguan në qendrën e trajnimit të policisë në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një depo atje.
Gjatë mbrëmjes së 9 korrikut 1999, ata u lidhën me tel nga persona të panjohur dhe u çuan në një gropë që përdorej për hedhje plehrash, ku u ekzekutuan me plumb pas qafe.
Në 19 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi në qershor, Komiteti i Punëve të Jashtme në Uashington miratoi një rezolutë mbi rastin, i cili mbetet një problem i madh bilateral midis Serbisë dhe SHBA-së.
Rezoluta thoshte se Serbia “duhet ta bëjë përparësi hetimin dhe gjykimin sa më shpejt të jetë e mundur të zyrtarëve aktualë ose ish-zyrtarëve që besohet se janë përgjegjës për vdekjet e vëllezërve, drejtpërdrejt ose tërthorazi”.
Zyrtarët serbë përfshirë presidentin Aleksandër Vuçiç kanë këmbëngulur vazhdimisht që Beogradi është i angazhuar për t’i ndjekur penalisht personat përgjegjës.
Por familja Bytyqi e ka akuzuar Vuçiçin se ka shkelur premtimet për zgjidhjen e çështjes dhe ka refuzuar ta mbajë familjen të informuar në lidhje me hetimin.
Familja beson se Goran Radosavljeviç “Guri”, ish-komandanti i njësisë speciale të policisë dhe i qendrës së trajnimit të Petrovo Selos, është i dyshuari kryesor në këtë rast.
Radosavljaviç, i cili tani është një zyrtar i lartë i Partisë Progresive në pushtet e Vuçiçit, pretendon se ai ishte me pushime në kohën e vrasjeve dhe mohoi çdo keqbërje.