Vetëm disa ditë para një referendumi për martesat e të njëjtit seks, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë vendosi se çiftet homoseksuale kanë të njëjtat të drejta si çiftet e tjera.
Gjykata Kushtetuese e Rumanisë vendosi të enjten se çiftet e të njëjtit seks kanë të drejta të barabarta për një jetë private dhe familjare si çiftet heteroseksuale – vetëm një javë përpara një referendumi mbi ndalimin e martesës të të njëjtit seks që do të mbahet më 6-7 tetor.
Gjyqtarët vendosën se çështja bie nën kushtet e mbrojtjes së të drejtës themelore për një jetë private dhe familjare të garantuar sipas nenit 7 të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, nenit 8 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Liritë Themelore dhe nenit 26 të Kushtetutës Rumune.
Përkrahësit dhe kundërshtarët e referendumit për ndryshimin e kushtetutës së Rumanisë, për ta përkufizuar martesën në terma rreptësisht heteroseksuale, reaguan ndryshe ndaj vendimit.
Koalicioni për Familjen kundër martesave homoseksuale është ankuar prej kohësh se mediat kryesore po injorojnë dhe bllokojnë thirrjen e tij që njerëzit të marrin pjesë dhe të votojnë në referendum.
“Duke pasur parasysh se të gjitha dispozitat ligjore dhe kushtetuese parashikojnë të drejtën e rumunëve për të qenë të informuar për objektin e vërtetë të këtij referendumi, ne paralajmërojmë se një politikë e bllokimit të transmetimeve radio dhe televizive nuk mund të çojë në informim të vërtetë të publikut dhe është një praktikë jodemokratike,” tha Koalicioni në një deklaratë për shtyp.
Prano, një OJQ që mbron të drejtat e komunitetit LGBT, të enjten përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese si provë se referendumi është i pakuptimtë.
“Vendimi i sotëm konfirmon përsëri se familja homoseksuale është e barabartë me çdo familje tjetër. Referendumi po bëhet krejtësisht i padobishëm në çdo aspekt pasi Kushtetuta e Rumanisë tashmë respekton barazinë e një familje heteroseksuale dhe çifteve të të njëjtit seks,” tha Romaniţa Iordache, zv/kryetare e Prano.
Një nga artistët më të njohur në Rumani dhe shumë aktiv në tema sociale dhe politike, Tudor Chirila, shkroi në profilin e tij në Facebook se ai planifikon të bojkotojë referendumin, duke e akuzuar qeverinë se po e përdor atë për të fshehur gjëra të tjera.
“Pas perdes së referendumit, përparësitë e vërteta të qeverisë PSD-ALDE janë zhvendosur. Prioriteti kryesor është shmangia e dënimeve për rastet e korrupsionit, burgu dhe përgatitja e vazhdueshme për devijimin e parave publike pa frikë nga gjykimi,” shkroi Chirila.
Lideri i Partisë Social Demokratike, PSD, që mbështet referendumin, Liviu Dragnea, ka insistuar se partia e tij nuk po bën fushatë për njërën anë apo tjetrën në votim, por thjesht po kryen “veprime informuese”.
“Ne duam të informojmë popullin rreth dispozitave të ligjit që është miratuar në Senat dhe çfarë nënkuptohet me ndryshim të kushtetutës,” tha ai, duke shtuar se shumë njerëz nuk i kanë kuptuar çështjet “dhe ne duhet t’i ndihmojmë ata t’i kuptojnë”.
Kostoja për referendumin dy-ditor është vlerësuar në rreth 43 milionë euro. Kritikët thonë se paratë mund të ishin përdorur më mirë për çështje sociale, siç janë sistemet arsimore dhe shëndetësore të financuara dobët.