Kryeministri Zoran Zaev i dha fund fushatës së tij për një votim “po” në referendumin e ditës së dielë në Tetovë me një thirrje të fundit për një pjesëmarrje të madhe, ndërsa presidenti Ivanov në Nju Jork u ankua se vendit të tij po i kërkohej të kryente vetëvrasje.
Përpara referendumit të së dielës në Maqedoni mbi marrëveshjen historike të vendit me Greqinë, kampi “Po”, i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, përfundoi fushatën e tij “Për Maqedoninë Europiane” në qytetin veriperëndimor të Tetovës, duke bërë thirrje për një pjesëmarrje të madhe dhe unitet kombëtar, pavarësisht nga përkatësia politike.
Gjatë heshtjes parazgjedhore që filloi të premten, nuk lejohet më asnjë fushatë. Të dielën, rreth 1.8 milion votues duhet të zgjedhin nëse do të mbështesin ose jo marrëveshjen e “emrit” Greqi-Maqedoni të arritur këtë verë. Një votim “po” do të lehtësojë rrugën e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
“Ja ku jemi, të bashkuar si kurrë më parë. Bëni të mundur që ky brez të lërë gjurmë duke deklaruar se kemi gjetur kurajën për të siguruar të ardhmen e kësaj Maqedoni multietnike,” tha Zaev në një debat publik të enjten në Tetovë.
“Më 30 shtator, të gjithë së bashku, në mënyrë konsensuale, ne kemi një detyrë të dalim dhe të votojmë për një Maqedoni Europiane, sepse fëmijët dhe e ardhmja jonë janë në rrezik,” shtoi Zaev.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar me Greqinë këtë verë, Maqedonia ra dakord të ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Greqia ra dakord të heqë veton e saj të gjatë për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.
Por që marrëveshja të bëhet efikase, populli fillimisht duhet t’i përgjigjet pyetjes së referendumit: “A e mbështesni anëtarësimin në BE dhe NATO duke pranuar marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë?”
Kampi “Po” ka këmbëngulur se marrëveshja është e drejtë dhe dinjitoze, duke i lejuar vendit të ecë përpara, duke mos rrezikuar etninë dhe gjuhën maqedonase.
Partia kryesore opozitare VMRO DPMNE e kundërshton marrëveshjen, duke këmbëngulur se është një akt kapitullimi.
Megjithatë, partia nuk ka drejtuar një fushatë “jo” klasike, nuk i bëri thirrje mbështetësve të saj që të votojnë dhe nuk ofroi ndonjë strategji alternative në lidhje me rrugën euroatlantike të vendit.
Duke këshilluar secilin qytetar të vendosë nëse do të votojë apo do ta bojkotojë referendumin, partia megjithatë u akuzua se po inkurajonte një bojkot të heshtur, i cili mund të vinte në rrezik pjesëmarrjen e kërkuar prej më shumë se 50 për qind.
Të enjten, nënkryetari i VMRO DPMNE, Aleksandar Nikolovski, përsëriti se referendumi nuk do të arrijë pragun e pjesëmarrjes dhe ngriti frikën e manipulimit të votave.
“Mesazhi im i fundit, i drejtuar kryesisht qeverisë, është të mos e çojë nëpër mend të manipulojë referendumin e së dielës, duke i detyruar njerëzit të bëjnë diçka që nuk duan dhe të mbushin kutitë e votimit, sepse ne do ta kundërshtojmë ashpër këtë,” tha Nikolovski.
Më parë, kreu i VMRO DPMNE, Hristijan Mikovski, parashikoi se referendumi do të dështonte dhe se asnjë deputet nga radhët e tyre nuk do të mbështeste ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të ndryshuar emrin e vendit.
Tubimi i fundit i kampit jozyrtar që mbron bojkotimin e referendumit, i përbërë nga partitë e vogla jo parlamentare dhe shoqatat e krahut të djathtë, përfundoi të enjten në konfuzion.
Vetëm rreth 100 vetë u shfaqën në tubim para ndërtesës së parlamentit në Shkup, pasi organizatorët e anuluan eventin në minutën e fundit, duke deklaruar se kishin frikë se provokatorët mund të shkaktonin dhunë, duke e përshkruar në mënyrë të rremë të gjithë lëvizjen si të dhunshme.
Në mungesë të organizatorëve, ata që u paraqitën në tubimin e anuluar mbetën vetëm për të peshuar fjalimin e të enjtes të presidentit maqedonas Gjorge Ivanov në OKB.
Ivanov, i cili gjithashtu është kundërshtar i marrëveshjes së emrit, tha në Asamblenë e Përgjithshme se vendit të tij po i kërkohej të kryente “vetëvrasje”, duke sugjeruar se ai do ta bojkotonte plebishitin.
“Më 30 shtator unë nuk do të dal të votoj dhe e di që edhe ju, bashkëqytetarët e mi, do të merrni një vendim të ngjashëm,” tha Ivanov në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Një votim “Po” të dielën do t’i japë dritën e gjelbër deputetëve për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat do të impononin përdorimin e emrit të ri.
Që parlamenti të miratojë ndryshimet kushtetuese, atij i nevojitet një shumicë prej dy të tretash, që do të thotë se të paktën 80 nga 120 deputetët do të duhet t’i mbështesin ato.
Shumica qeverisëse, plus partitë e opozitës që mbështesin marrëveshjen, kanë vetëm 71 vende, nëntë më pak nga shumica e kërkuar prej dy të tretave.