Kryeministri Edi Rama njoftoi të mërkurën largimin nga detyra e Avokatit të Shtetit të znj. Alma Hicka, një post që pritet të plotësohet nga Artur Metani.
Kryeministri Edi Rama njoftoi nëpërmjet një postimi në Twitter tërheqjen nga detyra e Avokatit të Shtetit të znj. Alma Hicka, një detyrë që kjo e fundit e mbante që nga viti 2003.
“Kazanët po ziejnë një broçkull për “shkarkimin” e Alma Hiçkës. Në fakt, Alma u largua me dëshirën e saj, për arsye krejt personale e për gjithë keqardhjen time që e konsideroj një Avokate të shkëlqyer të Shtetit. Me neveri për kazanët i them Almës mos u mërzit e paç vetëm sukses”, shkruan Rama në rrjetin social Twitter.
Sipas njoftimeve në media, Hicka pritet të zëvendësohet nga Artur Metani, i cili deri tani ishte Drejtor i Departamentit të Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Antikorrupsionit, në Kryeministri.
Me profesion jurist, Metani ka studiuar në fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës nga viti 1992 deri në vitin 1996, më pas ai ka bërë një master në ‘Central European University' në Budapest dhe një master të dytë në Universitetin e Utah në SHBA.
Nga viti 1999 deri në vitin 2003, ai ka shërbyer si drejtor i programit ligjor të fondacionit Soros në Tiranë. Më tej nga viti 2002 deri në vitin 2012, Metani ka punuar si këshilltar ligjor për Presidentin e Republikës.