Pas shqyrtimit të propozimeve të Partisë Demokratike për ndalimin e politikanëve “me lidhje me krimin” të zgjidhen apo të emërohen, Komisioni i Venecias thotë se propozimi mund të shkaktojë abuzim me pushtetin.
Komisioni Europan për Demokraci përmes ligjit, i cili njihet më së shumti si Komisioni i Venecias, kritikoi në një deklaratë të premten propozimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë për veting në politikë duke argumentuar se propozimi “nuk ofron udhërrëfyes dhe masa mbrojtëse dhe mund të sjellë abuzim me pushtetin.”
Partia Demokratike propozoi atë që e quajti “Veting për Politikanët” përmes disa ndryshimeve kushtetuese që synojnë të ndalojnë njerëzit e dënuar “dhe ata të lidhur me krimin” që të garojnë në zgjedhje.
Partia Socialiste e dërgoi propozimin për opinion në Komisionin e Venecias, i cili është një organ këshillimor i Këshillit të Europës dhe përbëhet nga ekspertë të pavarur të të drejtës kushtetuese.
Në deklaratën për shtyp të publikuar të premten, Komisioni e kritikon propozimin në mënyrë tërësore dhe këshillon që synimi i propozimit, pastrimi i politikës nga krimi, duhet të kryhet “përmes dialogut parlamentar mes të gjitha partive politike” si dhe përmes debatit në shoqërinë shqiptare në tërësi.
“Komisioni mendon se amendimet kushtetuese të propozuara për vetingun e politikanëve, duke përfshirë vlerësimin e lidhjeve të tyre me krimin e organizuar, dështon të përcaktojë kritere të qarta dhe masa mbrojtëse për një proces të tillë delikat dhe mund të sjellë lehtësisht abuzim me pushtetin,” thuhet në njoftim.
“Megjithëse është një synim i ligjshëm heqja e shkelësve dhe ndikimit të tyre nga qeverisja dhe jeta politike, Komisioni i Venecias shpreh shqetësime për mungesën e qartësisë ligjore dhe sigurisë në lidhje me hapësirat e zbatimit të procedurës së propozuar të vetimit, gjë që mund të sjellë komplikime të rënda për të drejtat e atyre që i nënshtrohen asaj.”
Opinioni i Venecas është që nga propozimi nuk del e qartë se kush do të jetë përgjegjës për vetingun, nëse ky do të bëhet nga një organ juridik apo i pavarur dhe se nuk ka qartësi, gjë që mund të sjellë diskualifikimin e kandidatëve në zgjedhje në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare.
Propozimi dështon të saktësojë se çfarë nënkupton me “kontakte me persona të caktuara; çfarë nënkupton të jesh i përfshirë në krimin e organizuar; çfarë do të thotë të jesh i përfshirë në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me persona.
Komisioni thotë se propozimi shkel Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut për shkak se ndalon personat të garojnë në zgjedhje vetëm sepse kanë kontakte me krimin e organizuar pa marrë paraysh natyrën e këtyre kontakteve.
“Duke marrë parasysh kriteret ekzistuese kushtetuese, legjislacionin e lidhur me to dhe mekanizmat e tjera demokratikë të disponueshëm, Komisioni i Venecias beson se vlera e shtuar e amendamenteve të propozuara është e dyshimtë,” thuhet në deklaratë, e cila bën të ditur gjithashtu se raporti i plotë do të jetë i disponueshëm publikisht më 17 dhjetor.
Partia Demokratike u përpoq të mbrohej pas deklaratës duke theksuar vlerësimin që Komisioni i Venecias i ka bërë synimit të PD-së për pastrimin e politikës nga krimi si një “objektiv i ligjshëm”.
“Komisioni i Venecias përcaktoi guidën e detajuar për miratimin përfundimtar nga Parlamenti të amendamenteve kushtetuese dhe ligjin e detajuar, që ashtu si dekriminalizimi, do të duhet të largojë politikanët e lidhur me mafien,” deklaroi Oerd Bylykbashi, deputet i PD-së.
Kryeministri Edi Rama u shpreh nga ana i tij i lumtur me opinionin. “Vate e u mbyt në ujin e Venecias edhe Gjojavetingu yt, një nga ato manovrat e tua në xunkth që e kanë bërë PD aq shumë joserioze,” shkroi ai duke iu referuar kryetarit të demokratëve Lulzim Basha.
Pjesëmarrja e elementëve me të shkuar kriminale është një shqetësim i vazhdueshëm në Shqipëri. Në vitin 2015, pas presioneve të konsiderueshme nga opozita dhe nga faktori ndërkombëtar, Partia Socialiste pranoi miratimin e një kuadri ligjor që ndalon personat që kanë kryer vepra të rënda penale nga kandidimi në zgjedhje dhe nga mbajtja e posteve publike, si dhe dënon politikanët apo zyrtaët e lartë që gënjejnë në plotësimin e formularëve të vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës.
Disa deputetë socialistë dhe kryebashkiakë kanë rënë deri tani nga ligji në fjalë, i njohur më së shumti si ligji i dekriminalizimit të politikës.
Ligji gjithsesi duket se nuk mjafton për të shkëputur lidhjet e krimit me politikën. Një hetim dyvjeçar i prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuloi në tetor një organizatë kriminale të stërmadhe, e cila, krahas aktiviteteve kriminale dukej se ishte angazhuar si forcë mobilizuese votash për llogari të Partisë Socialiste.
Link: Propozimet e Partisë Demokratike për ndryshime kushtetuese