Një hetim dy vjeçar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda solli arrestimin e të paktën 27 të dyshuarve si pjesëtarë të një organizatë kriminale trafiku narkotikësh me qendër në Shijak, por me anëtar në të gjithë vendin. Ndërkohë përgjimet zbuluan lidhjet e të akuzuarve për trafik me dy ish-deputetë të Partisë Socialiste dhe disa zyrtarë lokalë të përfshirë në tjetësim pronash dhe transferim të burgosurish.
Hetimi dy vjeçar i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lidhur me një grup kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të narkotikëve në zonën e Shijakut, çoi në zbulimin e një rrjeti trafikantësh në gjithë vendin, nga Hasi në Delvinë e në disa shtete të Bashkimit Evropian.
Njëkohësisht hetimet, që çuan në arrestimin e 27 pjesëtarëve të organizatës, sekuestrimin e një sasie narkotikësh, zbuluan sipas prokurorisë se grupi i goditur pas operacionit “VOL-VO 4”, ishte përfshirë në një sërë aferash korruptive, duke ushtruar ndikim te funskionarë të administratës.
“Gjatë gjithë hetimit rezultoi se pjesëtarët e këtij grupi kriminal, kryenin edhe vepra të tjera penale, si korrupsion në sektorët publikë të ndryshëm, hipotekë, polici, bashki, dhe institucione të tjera të administratës shtetërore, për të cilat po vazhdojnë hetimet në vijimësi”, tha të hënën gjatë një konference për shtyp drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela.
Ndër të arrestuarit si pasojë e këtij hetimi ishin dy ish-deputetë të Partisë Socialiste. Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Arben Çuko dhe ish-deputeti i Lezhës Arben Ndoka. Çuko akuzohet për trasferimin të paligjshëm të një të dënuari. Ndërkohë Ndoka sëbashku me 12 persona të tjerë të arrestuar dhe katër të shpallur në kërkim, një pjesë anëtarë të familjes së tij akuzohet për tjetërsim pronash. Numri total i të arrestuarve në aksionin siç tha Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu në të njëjtën konferencë për shtyp është 44 ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas policisë organizata e goditur me qendër në Shijak drejtohej nga vëllezërit Avdyli.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa lavdëruan punën e policisë dhe prokurorisë pas operacionit. Rama shkroi në Twitter se do ta bënte vendin “të pajetueshëm për kriminelët”, ndërsa tha se kjo ishte dëshpëruese për ata “që bënin politikë me krimin”. Kryeministri më herët shprehu keqardhje për arrestimin e njërit nga dy ish-deputetët e tij, por sipas tij qeveria do qëndronte në “krah të drejtësisë”.
Në krahun tjetër kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se të arrestuarit ishin “peshq të vegjël që sërish do të lirohen, siç ka ndodhur më parë”. Basha akuzoi Ramën dhe prokurorinë se po manipulonin dosjen “hetimore të Vangjush Dakos”. “Rama, Xhafa dhe Prela po bëjnë gjithçka që arrestimi i Vangjush Dakos të degjenerojë në arrestimin e disa cironkave”, tha kreu i PD-së. Akuza të cilat Rama i cilësoi shpifje.
Megjithë qëndrimin e Ramës dhe ministrit të Brendshëm dhe asaj të Drejtësisë, arrestimi i dy ish-deputetëve të PS nuk është pritur njësoj nga deputetët e majtë. Deputeti i Lezhës Pjerin Ndreu, pasi tha se nuk gjykonte provat, e cilësoi skandaloze mënyrën se si ishte arrestuar ish-kolegu i tij Ndoka, ndërsa aludoi po ashtu për standard të dyfishtë duke iu referuar një dosje të ngjashme për të cilën u arrestua kryebashkiaku i Lezhës i kandiduar nga PD Fran Frrokaj.
Arrestimi i dy ish-deputetëve
Ish deputeti i PS Arben Ndoka “dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash”. Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka zbuluar se grupi kriminal ka abuzuar me trojet shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit. Ndoka është arrestuar sëbashku me një nga vëllezërit dhe disa të afërm të tjerë.
“Është për tu theksuar se një grup personash që vepron në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal , kanë kryer vepra penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, vulave stampave dhe formularëve”, tha gjatë konferencës për shtyp prokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela.
Prokuroria njoftoi veç ish-deputetit se ishin arrestuar; Gjevi Ndoka, alias Xhevahir, Vlash Gazulli, Zef Ndoka, Zef Lazri, Lule Zeneli, Marjeta Perskura, Bledi Ndokaj, Vasil Nika, Kol Lleshi, Luigj Paloka, Mimoza Ndoka dhe Paulin Simonit. Katër persona u shpallën në kërkim për të njëjtën çështje.
Ndoka u bë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga listat e Partisë Socialiste në Qarkun Lezhë në vitin 2014 pas dorëheqjes së dy deputeteve socialiste njëra pas tjetrës. Gjatë viteve 2014 e 2015, Ndoka u sulmua nga opozita për të shkuarën e tij kriminale, pasi ishte dënuar në Itali për trafik qeniesh njerëzore. Ndoka dha dorëheqjen në shtator 2015 dhe deklaroi se ishte viktimë e rrethanave dhe i pafajshëm. Në dhjetor 2017, ish-deputeti humbi të vëllain Aleksandër Ndoka, i cili u gjet i ekzekutuar me armë zjarri në Lezhë.
Deputeti tjetër i arrestuar është ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Arben Çuko. Çuko u shkarkua disa javë më parë, por arsyet e largimit nuk u bënë publike, derisa pas arretimit të tij Ministrja e Drejtësisë bëri me dije se ai ishte shkarkuar për shkak të dyshimit për korrupsion.
Prokurorja Prela theksoi se gjatë këtij hetimi ndaj grupi të trafikantëve u konstatua se Arben Çuko, me detyrë Drejtor i përgjithshëm i Burgjeve ishte përfshirë në “korrupsionit pasiv”, ndërsa tha se dy të tjerë ishin ndaluar për “korrupsionit aktiv”.
Kryeministri Rama e interpretoi arrestimin e dy ish-depuetëteve të PS si shenjë se shumica nuk po bënte kompromis dhe se ishte në anën e drejtësisë. Ndërkohë që PD dhe LSI reaguan duke pretenduar se dy të ndaluar ishin të parëndësishëm dhe se aksioni po mbulonte të tjerë të pushtetshëm pranë socialistëve.
Hetimi, që sipas prokurorisë është kryer me metoda speciale, duke përfshirë përgjime ambjentale, të bisedave telefonike dhe veprime të tjera hetimore, ka zbuluar se trafikantët e drogës ndikonin edhe tek zyrtarët e administratës publike dhe politikës, në bashkëpunim me të cilët kryenin veprime të paligjshme e korrupsion.
Drejtuesja e Krimeve të Rënda Donika Prela gjatë daljes për mediat tha se hetimet në lidhje me implikimin e administratës dhe politikës me organizatën kriminale vijonin dhe se të tjera institucione mund të prekeshin. “Në përfundim, bëjmë me dije se nga hetimet ka rezutluar se ka veprime të paligjshme, si korrupsion, në bashki, prefektura, në polici, në universitete, në prokurori, në gjykata dhe në organet e pushtetit vendor, për të cilat po vazhdojnë hetimet në vijimësi”, tha Prela.
Goditja e organizatës kriminale
Kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë me dije në konferencën për shtyp se bllokimi të premten i një laboratori për prodhimin e heroinës në Has, u u arrestuan 5 persona dhe u shpallën në kërkim katër të tjerë përfshi dy shtetas turq, ishte i lidhur me goditjen në vijim të një strukture kriminale me qendër në Shijak dhe me anëtarë në të gjithë vendin.
Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela tha se hetimet kishin filluar më datë 28 dhjetor 2016, bazuar në aktet e referuar fillimisht nga shërbimet e policisë gjyqësore të Komsiariatit të Policisë së Kavajës, për kryerjen e verpave penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, “trafikimit të narkotikëve, grupit të strukturuar kriminal” si dhe kryerjes së veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sipas Prelës, ka pasur dyshime të arsyeshme se persona të paidentifikuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin nga Shqipëria lëndë narkotike drejt Italisë si dhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Pas dy vitesh hetime, sipas prokurorisë, ka rezultuar se personat e kryenin aktivitetin e tyre në qytete të ndryshme si në Shijak, Shkodër, Lezhë, Sarandë, Tiranë, Fier, Vlorë.
“Nga hetimet e kryera në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase e të huaja, është konkluduar se, ka të dhëna të mjaftueshme për identifikimin e disa grupeve kriminale që kanë vepruar në territorin e Republikës së Shqipërisë, si edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian, si Gjermani, Angli, Hollandë, Itali, Turqi, etj”, tha Prela.
Më 18 tetor prokuroria mori nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda miratimin e 44 fletë arresteve, disa dhjetra kontrolleve të banesave dhe një sërë veprimesh të tjera ligjore. Ajo tha se ishin dokumentuar gjithësej 13 episode të trafikimit dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike të kryera në gjithë territorin e vendit, si në Lezhë, Shkodër, Durrës, Sarandë, Burrel, Lushnjë, Kukës dhe Itali.
“Po kështu, theksojmë se gjatë hetimit të këtij procedimi penal, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i i laboratorit të përpunimit të drogërave të forta në Kukës, si dhe sekuestrimi i një sasie prej 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, e 22 litra lëndë e djegshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës”, sqaroi Prela.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shetetit tha se në aksionin për të ekzekutuar masat e arrestit ishin përfshirë 1500 forca policia. Ndërsa njoftoi arrestimin e vëllezëve Avdyli në Shijak dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Veliu tha se ishin arrestuar “Jasin Kala alias Jasin Avdyli, me pseudonimin “Çine”, nga Shijaku; Shkëlqim Avdyli, me pseudonimin“Kiçi”; Denis Llaftiu; Fatos Llaftiu e Hajri Seferi, të katër nga Shijaku; Petro Kuçi, alias Abedin Kuçi, nga Delvina; Ilirjan Prifti, nga Fieri; Elton Shehaj e Armand Spiro, nga Tirana; Astrit Balliu alias Avdyli Sulejmani, me pseudonimin “Titi”, nga Shijaku; Altin Avdyli, me pseudonimin“Niçja”, nga Shijaku; Saimir Gjepali, nga Shijaku; Gjevi Ndoka, alias Xhevahir, me pseudonimin“Xhevi”, nga Lezha; Esat Mehmeti, me pseudonimin“Çakja”, nga Fieri; Saimir Sulejmani, nga Fieri; Orges Jahelezi, alias Artan Elezi, me pseudonimin“Nita”, nga Tirana; Elis Bahushi, nga Elbasani; Elis Guri, nga Shkodra dhe Artur Balla, nga Elbasani”.
Ai tha po ashtu se aksioni i zhvilluar të premten në Has kishte lidhje me të njëjtin grup. Sipas Veliut pas një kontrolli banese në në fshatin Brenogë, Has, u kapën prekursorë për prodhimin e lëndës narkotike heroinë dhe se u arrestuan në flagrancë 5 persona për veprat penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “trafikim i narkotikëve”, “prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale. Të arrestuarit në Has janë: Vehbi Berushi, 57 vjeç; Flamur Çela, 48 vjeç; Xhevit Shuti, 48 vjeç; Mustaf Shuti, 76 vjeç dhe Anila Shuti, 42 vjeç. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim 4 persona; 2 shtetas turq, 1 kosovar dhe 1 shqiptar.
Të arrestuarit në Has mohuan gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë se ishin përfshirë në trafik. Pronarët e shtëpisë thanë se nuk e dinin kush ishte qiramarrësi dhe as nuk kishin dijeni për aktivitetin e tij. Dy të ndaluar të tjerë pretenduan se ishin punësuar për të kryer ndërhyrje elektrike dhe punë të tjera, por nuk kishin dijeni për aktivitetin dhe as për atë që i kishte punësuar.
Gjatë këtij operacioni po ashtu është zbuluar edhe implikimi i 3 punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët akuzohen për veprat penale “shpërdorim detyre”, “ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale, të cilët janë: Ardit Gjyriqi, nga Tirana; Jasin Abduli nga Saranda dhe Bledar Koçi nga Lushnja.
“Në këtë procedim penal janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit. Goditja e kësaj veprimtarie kriminale është bërë në periudha të ndryshme, duke u finalizuar këtë fundjavë”, pohoi Veliu.
Sipas policisë, në bilancin e sendeve të sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara janë: 3 pistoleta; 3 armë gjahu, çifte dhe fishekë; 1 shotgan; presë për lëndë narkotike të llojit heroinë; peshore elektronike; sasi lëndë narkotike heroinë e kokainë; 13 mjete, njëri i blinduar; sasi e konsiderueshme parash dhe rreth 75 telefona celularë. Por, nuk janë bërë të ditura sasitë e lëndëve narkotike të sekuestrura dhe e sasive të parave të gjetura.
Vëllezërit Avdyli po ashtu janë përmendur për lidhje politike. Rreth një vit më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë emisionit ‘Opinion' akuzoi shumicën për lidhje me ta.
Mbrëmjen e të dielës, u njoftua po ashtu se ishin ushtruar kontrolle edhe në banesën e Lulëzim Berishës, i dënuar si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal dhe i liruar pas një sërë vendimesh të diskutueshme të gjykatave.
Të pyetur nga BIRN, burime zyrtare të Policisë së Shtetit pohuan se, kontrolli i ushtruar në banesën e Lulëzim Berishës është kryer bazuar në një vendim gjykate, por shtuan se nuk ka asnjë urdhër arresti ndaj tij dhe se nuk figuron i shpallur në kërkim.
Avokati i Berishës Detar Hysi kundërshtoi këtë versiojn, ndërsa pretendoi se kontrolli kishte qenë i paligjshëm. Sipas avokatit Hysi gjatë kontrollit të ushtruar nga policia mbrëmjen e të dielës, sipas tij në tejkalim të kompetencave nga ana e policisë, nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm.