Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se Kastriot Piroli, kandidati numër shtatë në listën me tetë emra të Partisë Socialiste për qarkun Lezhë në zgjedhjet e vitit 2013, nuk plotësoi formularin e vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës dhe rrjedhimisht humbi mandatin ndërsa ky i fundit deklaroi për mediat se ka hequr dorë nga mandati.[custom-related-posts title=”Related Posts” order_by=”title” order=”ASC” none_text=”None found”]
Saga e listës së deputetëve të vitit 2013 të Partisë Socialiste për Qarkun Lezhë duket e u mbyll të enjten kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se kandidati i shtatë nga tetë emrat në listë, Kastriot Piroli, 46 vjeç, nuk i është përgjigjur kërkesës së KQZ-së për plotësimin e “formularit të vetëdeklarimit” të të shkuarës penale sipas detyrimeve të lindura nga ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit.
Sipas njoftimit të KQZ-së, Piroli duhej ta kishte plotësuar formularin brenda datës 16 mars, në mënyrë që të konsiderohej për të marrë mandatin e deputetit të liruar nga dorëheqja e Armando Prengës, por afati kaloi dhe formulari nuk mbërriti në KQZ. Në të njëjtën datë me skadimin e afatit, Piroli foli për gazetën “Panorama” dhe tha se kishte hequr dorë nga kërkesa e tij e mëhershme për marrjen e mandatit të deputetit, pasi sipas tij “dy muaj mandat të mbetur nuk ia vlejnë” mundin.
KQZ bëri të ditur gjithashtu se do të zbatojë nenin 164 të kodit zgjedhor, i cili thotë se në rast se lista me kandidatë e një partie politike përfundon, mandatin e merr një parti tjetër e të njëjtit koalicion qeverisës, që në rastin konkret besohet se do të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Lista me tetë kandidatë e Partisë Socialiste në Lezhë u sakatua përgjatë katër viteve nga përfundimi i zgjedhjeve të vitit 2013 nga dorëheqjet e shumta të deputetëve socialistë, gjysma e të cilëve kanë pasur probleme me drejtësinë, ndonëse ironikisht, vetëm Piroli është zyrtarisht i kapur nga ligji i dekriminalizimit për shkak se nuk plotësoi formularin.
Në Qarkun Lezhë në zgjedhjet e vitit 2013 u zgjodhën shtatë depuetë, por Partia Socialiste emëroi tetë kandidatë në listë për të plotësuar kriterin e favorizimit të grave në zgjedhje, kriter ligjor që thotë se një e treta e listës së kandidatëve duhet të jenë gra. Nga zgjedhjet në Lezhë, Partia Socialiste fitoi dy deputetë, LSI 1 dhe PD fitoi katër.
Lista e Partisë Socialiste për Qarkun Lezhë u kryesua nga Mimi Kodheli, e cila dha dorëheqjen pasi u emërua Ministre e Mbrojtjes, sipas një rregulli të mbrendshëm të Partisë Socialiste, në bazë të së cilit, ministrat e qeverisë duhet të dorëzojnë mandatet e kuvendit për kandidatët e tjerë në listë.
Kodi zgjedhor i Shqipërisë aktualisht ka formula të detajuara që synojnë të rrisin praninë e grave në karriget e kuvendit. Një nga këto rregulla thotë se nëse një deputete jep dorëheqjen, ajo duhet të zëvendësohet me një grua tjetër por jo me një burrë deputet. Më 26 dhjetor 2013, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia dha mandatin e fituar nga Kodheli, kandidates tjetër socialiste, Mejreme Ibrahim Delishi, e cila qe numri pesë në listën me tetë emra. Vetëm tre javë më vonë, më 17 janar 2014, Kuvendi i Shqipërisë njoftoi KQZ-në se Zonja Delishi kishte dhënë dorëheqjen nga mandati. Tre ditë pas njoftimit të vakancës, më 20 janar 2014, KQZ vendosi t’ia japë mandatin kandidates numër tetë dhe të fundit në listën e socialistëve, zonjës Mirela Neli. Neli, 41 vjeç, dorëzoi dorëheqjen e saj tre ditë më vonë, më 23 janar 2014, ndërsa KQZ-së iu deshën katër ditë kohë për t’ia dhënë mandatin më datë 28 janar, doli në konkluzionin se përparësia që Kodi Zgjedhor i jep grave në përfaqësimin politik është i pavlefshëm në këtë rast sepse gratë në listën e Lezhës kanë “shterruar”.
“Sipas deklaratës model 03 “Deklarim për vendet sipas kuotës gjinore të listës shumemërore”, të depozituar nga PS-ja në dokumentacionin e listës shumemërore të zonës zgjedhore qarku Lezhë, rezulton se pas znj. Mirela Nelit nuk ka më kandidatë nga gjinia femërore, e cila është dhe gjinia më pak e përfaqësuar. Në këto kushte, KQZ-ja nuk mund të aplikojë rregullin e përjashtimit, pasi emrat e gjinisë më pak të përfaqësuar, pra të gjinisë femërore kanë shteruar,” thuhet në vendimin e KQZ-së, ku Arben Ndoka, sot 43 vjeç, mori mandatin pasi ishte i treti në listë.
I dyti në listën socialiste të Lezhës qe i dorëhequri tjetër Armando Prenga.
Të dy, Ndoka dhe Prenga shkaktuan kokëçarje të konsiderueshme politike për Partinë Socialiste dhe u bënë sinonim i nevojës së vendit për pastrimin e politikës nga persona me të shkuar penale.
Në fillim të vitit 2014, Partia Demokratike në opozitë nisi një sulm frontal ndaj qeverisë socialiste duke e akuzuar atë se ka përdorur grupe kriminale për të fituar zgjedhjet e vitit 2013. Më 14 korrik 2014, deputeti Genc Strazimiri i Partisë Demokratike publikoi në Kuvendin e Shqipërisë faktin se Ndoka qe dënuar për trafik qeniesh njerëzore në Itali. Ndoka, sëbashku me deputetin tjetër socialist Pjerin Ndreu, reaguan dhunshëm ndaj këtij ekspozimi duke dhunuar në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë me grushte deputetin Strazimiri. Pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat rrodhën në media dhe u publikuan, tregojnë Ndokën që i tërheq vëmendjen Strazimirit me një sjellje të pafajshme para se ta godasë pa mëshirë me grushte. Ndërsa Ndoka largohet, deputeti tjetër socialist, Pjerin Ndreu, iu afrua nga pas Strazimirit dhe e goditi me shpullë në kokë.
Gjykata e Lartë, e cila ka ekskluzivitetin e gjykimit të personave me imunitet si deputetët, i habiti shqiptarët në qershor 2015 kur deklaroi se rrahja në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë “nuk përbën vepër penale” dhe se një ngjarje e tillë duhet të “gjykohet dhe ndëshkohet nga vetë Kuvendi”. Ndoka shpëtoi nga ndëshkimi për rrahjen e pamëshirshme të Strazimirit, por pozicioni i tij u bë gjithnjë e më i vështirë. Faktori ndërkombëtar filloi të mbështesë kërkesën e Opozitës për dekriminalizimin e politikës shqiptare. Në dhjetor 2014, pasi Partia Demokratike kishte bojkotuar punimet e kuvendit per disa muaj, ndërmjetësimi i ambasadorëve të huaj mundësoi miratimin e një rezolute kompromisi në Kuvendin e Shqipërisë në të cilën bëhej thirrje për fillimin e procesit të dekriminalizimit.
Çështja e dekriminalizimit u intensifikua si debat politik në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor 2015, kur ambasadat dhe në veçanti, Ambasadori Amerikan Donald Lu, përsëritën në mënyrë të vazhdueshme kërkesën për partitë politike që të mos kandidojnë persona me të shkuar kriminale.
Partitë kryesore në garë pretenduan gjatë të gjithë kohës se mes kandidatëve të tyre nuk kishte persona me të shkuar penale. Kryeministri Edi Rama deklaroi se sfidonte çdokënd që pretendon ndryshe të paraqiste prova.
BIRN publikoi në qershor 2015 një investigim në të cilin raportohej se së paku dy kandidatë socialistë për kryetar bashkish dhe një demokrat kishin pasur probleme të rënda me drejtësinë.
Pas zgjedhjeve për pushtetin vendor, u bë e qartë se rezistenca e Ramës ndaj kërkesës së ndërkombëtarëve për dekriminalizim po merrte fund. Arben Ndoka dha dorëheqjen më 7 shtator 2015. Zyrtarisht ai nuk u shkarkua në bazë të ligjit për dekriminalizimin, i cili u votua në kuvend katër muaj më vonë, në dhjetor 2015. Deri në fund Ndoka pretendoi se dënimi i tij penal ishte i padrejtë dhe se ai është i pafajshëm.
Tre ditë para dorëheqjes së Ndokës, deputeti tjetër, Armando Prenga, qe arrestuar pasi kishte hapur zjarr ndaj disa qytetarëve në qendër të qytetit të Laçit, me të cilët kishte mosmarrëveshje mbi të drejtat e peshkimit në lagunën e Patokut, një biznes fitimprurës që prej vitesh shfrytëzohej nga familja Çali por që vëllai i Prengës e kishte fituar me një tender të ri të Ministrisë së Bujqësisë.
Dorëheqja e Ndokës ekspozoi për herë të parë listën e plotë të kandidatëve socialistë në Lezhë. Tjetri në rradhë, Ndrec Dedaj, ish-drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës, qe zgjedhur kryebashkiak i Mirditës dhe vendosi të mbajë mandatin e kryebashkiakut. Numri gjashtë, Eduart Ndocaj, qe grindur në atë kohë me Partinë Socialiste pasi kishte deklaruar se kishte shpenzuar gjysmë milioni euro gjatë fushatës elektorale dhe nuk kishte përfituar gjë. Ndocaj e korrigjoi më vonë deklaratën duke thënë se e kishte pasur fjalën për shpenzime të tij personale gjatë fushatës dhe jo për financim të fushatës së socialistëve. Ai u ripajtua me Partinë Socialiste dhe mori mandatin e Ndokës.
I fundit në listë qe Kastriot Piroli, i cili kërkoi me ngulm mandatin pasi deklaroi se “kishte bërë vetëm dy muaj burg”. Pas zgjedhjeve të vitit 2013, Piroli qe emëruar drejtor i Hipotekës së Lezhës, punë gjatë së cilës u arrestua dhe dënua për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Ironikisht, Piroli është i vetmi që zyrtarisht është kapur nga procesi i dekriminalizimit për qarkun Lezhë, jo për shkak se vepra penale për të cilën qe dënuar përfshihet në listën e veprave penale që ndalojnë zgjedhjen deputet, por për shkak se nuk dorëzoi formularin e vetëdeklarimit, siç qe kërkuar nga KQZ.