Prokuroria e Përgjithshme e akuzon Prengën për “Plagosje të Lehtë me Dashje” në aktakuzën e paraqitur në gjykatë në përfundim të hetimeve nga akuza fillestare për Plagosje të Rëndë me Dashje” që qe në fillim kur ai u arrestua.
Deputeti Armando Prenga do të ketë një përballje më të lehtë me drejtësinë në krahasim me akuzën fillestare për shkak se Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur ta ndryshojë akuzën pas daljes së akteve të ekspertizave mjekësore të dy të plagosurve të familjes Cali në sherrin e 4 shtatorit 2015.
Prokuroria njoftoi sot (12 dhjetor 2015) se i ka përfunduar hetimet për ngjarjen e 4 shtatorit dhe se ka ngritur tri akuza për deputetin Armando Prenga, “Plagosje e Lehtë me Dashje”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”. (Kliko këtu për të parë njoftimin e Prokurorisë).
Prokuroria pati ngritur fillimisht akuzën për Plagosje të Rëndë me Dashje në kërkesën e saj për arrestimin në flagrancë të Prengës, në Gjykatën e Lartë në shtator 2015. (Kliko këtu për të parë vendimin e Gjykatës së Lartë për masën e arrestit). Por pas kryerjes së ekspertizave mjekoligjore mbi plagët e dy të plagosurve të familjes Cali, konkluzioni ka qenë se bëhet fjalë për Plagosje të Lehtë me Dashje dhe jo Plagosje të Rëndë.
Diferenca është e madhe për shkak se plagosja e lehtë me dashje dënohet sipas nenit 89 të Kodit Penal me gjobë deri në dy vjet burg ndërsa plagosja e rëndë, dënohet nga neni 88 në masën 3 deri në 15 vjet burg.
Për dy veprat e tjera penale akuza nuk ka ndryshuar. Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake në ambientet publike, kur kjo armëmbajtje ka sjellë pasoja të rënda, dënohet nga neni 278 i Kodit Penal me 7 deri në 15 vjet heqje lirie, por nuk është e sigurtë nëse gjykata do të pranojë akuzën e prokurorisë për këtë vepër penale.
Plagosje para komisariatit
Sipas njoftimit të prokurorisë dhe vendimit të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë, deputeti Armando Prenga ka vajtur mbrëmjen e 4 shtatorit 2015 në një lokal nën pronësinë e familjes Cali në zonën e Patokut pranë Laçit dhe ka debatuar me dy të rinj të familjes, Dorian dhe Julian Cali. Të dy kanë njoftuar pronarin e lokalit dhe babain e Dorianit Gjok Cali. Ky i fundit është nisur për të vajtur në lokalin e tij dhe është përballur në rrugë me deputetin Prenga dhe tre shoqërues të tij. Sipas kallëzimit të Gjok Calit, Prenga e ka goditur atë me qytën e pistoletës në kokë dhe ka hapur zjarr në ajër. Akti i Ekspertimit mjekoligjor ka dalë në konkluzionin se dëmtimet që ka mësuar Cali përbëjnë plagosje të lehtë.
Gjok Cali ka njoftuar për plagosjen që ka pësuar, komisariatin e policisë së Laçit. Policët pasi kanë vizituar lokalin e tij, i kanë kërkuar të dëmtuarit të shkojë në komisariat për të bërë kallëzim penal ndaj Prengës. Gjok Cali me dy vëllezër dhe dy kushërinj të tij janë nisur drejt Laçit dhe ndërsa Gjoka gjendej në komisariat për të bërë kallëzimin penal ndaj Prengës, ky i fundit është shfaqur para komisariatit, i shoqëruar nga i vëllai, Edmond Prenga dhe disa njerëz të tjerë.
Sipas prokurorisë, Prenga ka kërcënuar familjen Cali duke i thënë: “Do t’ju qisim faret si fis” ndërsa ka hapur zjarr ndaj tyre. Tom Cali dhe Nikoll Cali mbetën të plagosur në këmbë nga të shtënat e Prengës. Mjekësia ligjore i ka konstatuar plagët e tyre si “plagosje e lehtë”. Për rrjedhojë, prokuroria ka ngritur akuzë për tre plagosje të lehta me dashje ndaj Prengës, plagosjen me qytën e pistoletës ndaj Gjok Calit dhe plagosjet në këmbë të Tom e Nikoll Cali.
Misteri i armës
Prokuroria thotë se Prenga ka një pistoletë me leje, por kjo pistoletë nuk rezulton të jetë përdorur në ngjarje pasi nuk ka shenja baruti. “Kjo armë zjarri, nga përfundimet e Aktit të Ekspertimit datë 05.09.2015, rezulton të jetë e ndryshme nga ajo për të cilën personi nën hetim Armando Prenga është paisur me leje nga organet e kompetente,” thotë Prokuroria. Prokuroria thotë gjithashtu se para Komisariatit të Policisë së Laçit është shtënë edhe me automatik, por nuk bëhet e ditur nëse arma pa leje pistoletë apo automatiku, janë përdorur apo jo. Fakti që gjatë ngjarjes është përdorur një automatik, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë vjen nga dëshmitë e policëve në vendngjarje. Ndërkohë, avokati i Prengës, Baftjar Rusi, ka deklaruar në Gjykatën e Lartë se Prenga është kërcënuar nga Gjok Cali dhe se pas ngjarjes, “Armando ka shkuar në lokalin e vëllait të tij ku ka pastruar armën, të cilën më pas ja ka dorëzuar bashkëshortes së tij”.
Vetë Prenga deklaroi para gjykatës se “në episodin e parë unë jam ndjerë i kërcënuar nga ky shtetas. Vëllai dhe Gazmiri janë nisur për të bërë kallëzimin, ndërsa unë kam qenë duke pastruar armën”.
Policia e arrestoi deputetin Armando Prenga 12 orë pas ngjarjes. Gjykata e Lartë miratoi masën e arrestit me burg për të më 8 shtator 2015. E njëjta gjykatë vendosi më 23 nëntor të ndryshojë masën e sigurisë nga burg në arrest shtëpiak për Prengën. Deri më sot, Gjykata e Lartë nuk e ka publikuar vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë.
Prokuroria nuk bën të ditur në njoftimin e saj për dërgimin e çështjes në gjykatë nëse ka zbuluar apo jo motivet e konfliktit, por dokumente të zbuluara më herët nga BIRN sugjerojnë se konflikti lidhet me të drejtat për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut për peshkim.
Laguna e Patokut shfrytëzohej prej dy dekadash për peshkim nga familja Cali, e cila thelemoi edhe një kompani për këtë qëllim në vitin janar të vitit 2004. Por një tender i shpallur në janar të vitit 2015 nga Ministria e Bujqësisë për shfrytëzimin e luginës së Patokut ndryshoi rrjedhën e këtij biznesi.
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, fitues i tenderit u shpall kompania “Tenki-01” me administrator Eduard Prengën-vëllai i deputetit socialist Armando Prenga, ndërsa familja Cali e denoncoi publikisht si klientelist këtë tender.
Prenga është një nga shumë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që ka probleme me drejtësinë. Ai është zgjedhur deputet nga lista e Partisë Socialiste për qarkun Lezhë në vitin 2013. Po në Qarkun Lezhë, i cili përfshin rrethin Kurbin, qe zgjedhur deputet Arben Ndoka, i cili dha dorëheqjen në shtator 2015 pasi u zbulua se qe dënuar më herët nga drejtësia italiane për shfrytëzim prostitucioni. Ndoka thotë se dënimi i tij nga drejtësia italiane ka qenë i padrejtë. Pak ditë pas dorëheqjes, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e denoncoi atë në prokurori për 1.5 milionë euro pasuri të padeklaruar.
Ndërkohë, Mark Frroku, ish aleat i kryeministrit Rama është arrestuar për llogari të drejtësisë belge, pas akuzave të përfshirjes së tij në një vrasje në vitin 1999. Ai ka dhënë sakaq dorëheqjen si deputet.
Akuza fillestare | Akuza finale |
Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake në ambientet publike neni 278 (7-15 vjet) | “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, në ambjente publike, e parashikuar nga neni 278/5 Kodit Penal (7-15 vjet) |
Plagosje e rëndë me dashje 88 (3-15 vjet) | “Plagosja e lehtë me dashje” e shtetasve Gjok Cali, Tom Cali dhe Nikoll Cali, e parashikuar 3 (tre) herë nga neni 89 (Gjobë deri në 2 vjet) |
Kanosje 84 (Gjobë deri në 1 vit) | “Kanosja” (4 herë) 84 (Gjobë deri në 1 vit) |