
SPAK akuzon si bashkëpunëtorë të Becit edhe gjashtë të pandehurit e tjerë, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni.
Nga shtatë të pandehurit, vetëm Premtim Dauti ka kërkuar gjykim me procedurë të zakonshme. Gjashtë të pandehurit e tjerë konfirmuan qëndrimin e tyre për procedimin me gjykim të shkurtuar, gjykata vendosi ndarjen e çështjes për Dautin.
Në vijim, prokurori Dritan Prençi paraqiti parashtrimet duke i qëndruar kërkesës për gjykim. Sipas tij, të pandehurit kanë shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”, me fond limit 69 milionë lekë.
SPAK vlerëson se i pandehuri Benet Beci, në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të tenderit, “Consulting & Management Albania” sh.p.k,”.
Prokurori Prençi kërkoi kohë për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku dhe Rudin Gjoni, sollën në vëmendje të gjykatës ligjin nr. 57/2026, datë 18.6.2026, “Për dhënie amnistie”, duke pretenduar se çështja ndaj të mbrojturve të tyre duhet të pushohet. Ata argumentuan njëri pas tjetrit se të pandehurit nuk janë subjekte të posaçme dhe për rrjedhojë, vepra penale për të cilën akuzohen përashikon një masë dënimi që sipas këtij ligji, bënë që të pushohet çështja.
Mbrojtësi i Becit nuk parashtroi kërkesë për përfitimin nga ligji “Për dhënie amnistie”.
Benet Beci, për arsye të funksionit shtetëror që ka mbajtur në kohën kur sipas SPAK ka ndodhur vepra penale, ka qenë subjekt deklarues pranë ILDKPKI-së, duke u konsideruar zyrtar i nivelit të lartë, ç’ka e bënë atë subjekt të posaçëm.
Kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari Besmir Stroka bëri me dije se për kërkesat për pushimin e çështjes, gjykata do të shprehet në vendimin përfundimtar.
Lidhur me këto kërkime, prokurori Dritan Prençi tha se do të mbajë qëndrim në seancën e ardhshme, kur do të paraqesi edhe bisedimet përfundimtare. Seanca u shty për më datë 14 shtator, në orën 09:00.
Hetimi ndaj Becit dhe ish-vartësve të tij për këtë çështje filloi pas verifikimit dhe analizimit të provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e bashkëshortit të të pandehurës Edlira Ruko, Evis Berberit, i cili edhe ky akuzohet për shkelje të barazisë në tendera e pastrim parash në çështje të tjera.






