
Ish-presidenti Bamir Topi dëshmoi të hënën më 20 korrik në Gjykatën e Posaçme, në funksion të procesit penal ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe disa të pandehurve të tjerë, lidhur me privatizimin e ambienteve të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Topi u pyet lidhur me planin e përhapjes së ushtrisë të nënshkruar prej tij një muaj pasi kishte marrë postin e presidentit. Plani përhapjes është një dokument strategjik dhe operacional që përcakton ndër të tjera dhe pronat ose territoret që mund të përdoren për nevoja ushtarake. Në planin e përhapjes së vitit 2007 të nënshkruar nga Topi, nuk figuronin objektet e ish-klubit sportiv “Partizani”, të cilat u privatizuan më pas nga ish-pronarët e truallit.
Në përgjigje të pyetjeve të prokurores, se cila institucione e propozonin tek presidenti planin e përhapjes së ushtrisë, Topi sqaroi se pjesa politike ishte e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa plani teknik hartohej nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Ish-presidenti deklaroi se ai ishte hallka e fundit e procedurës që e mbyllte juridikisht duke e nënshkruar.
Topi po ashtu, nënvizoi se çdo pronë që dilte nga plani i përhapjes vinte si pronë e shtetit dhe dilte sërish po si pronë shtetërore pas nënshkrimit të presidentit. Sipas tij, pjesa tjetër që merrej me menaxhimin e procedurave të tjera për privatizim ishte kompetencë e institucioneve të tjera administrative.
Në vijim, Topi deklaroi se presidenti kishte kompetencë, por edhe detyrë për të nënshkurar planin e përhapjes, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, por sipas tij, plani përhapjes dorëzohej nga Shtabi i Përgjithshëm.
Po ashtu, Topi evidentoi se gjithë procedurat për planin e përhapjes asistoheshin edhe nga ekspertë të NATO-s.
Topi tha se në vitin 2009 kishte shkuar një herë në Presidencë gjenerali Valdimir Qirjazi, i cili kishte ngritur shqetësim lidhur me objektet e ish-sport klub “Partizani”-t. Ai sqaroi se i kishte kërkuar shefit të kabinetit të mundësonte një takim mes Qirjazit dhe këshilltarëve, që ishte zhvilluar dhe e kishin dëgjuar për shqetësimet e tij. Sipas Topit, pasi ishin konsultuar dhe ndarë mendimet, ishte arritur në përfundimin se nuk ishte kompetencë e presidentit ajo çështje, pasi ambjentet në fjalë kishin dalë nga plani i përhapjes që prej vitit 2007.
Lidhur me procedurën e privatizimit, Topi deklaroi se kishte dëgjuar, por konstatoi se ky proces nuk i përkiste presidentit.
I pandehuri Jamarbër Malltezi e pyeti Topin nëse kishte qenë në dijeni se ish-klubi sportiv “Partizani” kishte dalë nga plani përhapjes që në vitin 2004, në kohën kur president ishte Alfred Moisu. Malltezi tha se po prezantonte dhe një shkresë të Shtabit të Përgjithshëm, ku konstatohej se këto ambjente nuk kishin qenë në planin e përhapjes së vitit 2006. Malltezi dhe mbrojtësit e të pandehurve të tjerë e pyetën Topin se nga e kishte mësuar se kishte dalë nga plani përhapjes në vitin 2007.
Topi deklaroi se nuk kishte nga ta dinte, pasi plani i përhapjes përgatitej nga Shtabi i Përgjithshëm. “Presidenti nuk futet të analizojë si është përgatitur shkresa”, tha ai.
Avokatja Klodiana Gjyzari konstatoi se në planin e përhapjes objektet shënohen me numra dhe e pyeti Topin se si ai e kishte mësuar se ish-klubi “Partizani” nuk ishte në planin e përhapjes.
Topi shpjegoi se ka miratuar atë procedurë me nënshkrimin e tij, në pjesën finale, ku sipas kujtesës së tij kanë qenë shumë reparte, nuk ka qenë një. “Në mënyrë rigoroze është ndjekur procedura”, tha ai dhe shtoi se nuk ka qenë e ndaluar të mësoje se me kë reparte e objekte ka pasur të bëjë, ashtu si në rastin e “Partizanit”.
Po ashtu, Topi nënvizoi se procedura e planit të përhapjes është asistuar nga ekspertët e NATO-s, pranë Shtabit të Përgjithshëm.
Malltezi solli sërish në vëmendje dekretin e Moisiut të vitit 2004 për planin e përhapjes, ku sipas tij nuk gjenden pronat e ish-klubit “Partizani” dhe e pyeti Topin nëse kishte pasur mundësi që të hynte sërish një pronë në planin e përhapjes pa nënshkrimin e presidentit.
Topi deklaroi se sipas logjikës kushtetuese nuk mund të futej pa miratimin e presidentit, por ritheksoi se plani i përhapjes kishte ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm.
Malltezi e pyeti nëse kishte pasur ndonjë presion prej tij apo të pandehurve të tjerë për të nënshkruar planin e përhapjes. Topi mohoi një gjë të tillë dhe sqaroi se këtë gjë e kishte shprehur dhe në Prokurori në funksion të komunikimit që kishte pasur kur kishte dhënë deklarimet.
Në seancën e të hënës iu përgjigj pyetjeve të prokurorisë edhe ish-drejtori i shitjeve të pronave shtetërore pranë Ministrisë së Financave, Urim Muja, i cili kishte nënshkurar shitjen e objekteve tek ish-pronarët e truallit. Ai deklaroi se procedurat e shitjeve të pronave ish-pronarëve ishin më të thjeshtat dhe se në dhjetëra të tilla që kishte trajtuar nuk kishin hasur asnjëherë probleme.
Ai pohoi, se roli i tyre ishte vetëm për të realizuar shitjen, pasi dosja hartohej nga Ministria e Ekonomisë. Sipas Mujës, në rastet kur konstatohej ndonjë mangësi në dokumentacionin e dosjes, kërkohej dhe pasi plotësohej vijohej me shitjen.
Ish-ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediu nuk u paraqit për të dëshmuar, duke vendosur në dispozicion të gjykatës një ftesë për një takim jashtë Shqipërisë, për arsye të pozicionit të tij si deputet.
Gjykata vendosi të përsërisë thirrjen e tij dhe për dëshmitarin Paro Laçi. Ndërkohë, u vendos të thirren edhe tre dëshmitarë të tjerë, mes tyre edhe gjenerali Vladimir Qirjazi.
Për dëshmitarin Isa Tarja, ish-drejtor i kompleksit sportiv “Partizani”, i biri kishte njoftuar gjykatën se është i moshuar dhe vuan nga humbja e kujtesës e për rrjedhojë, nuk është në gjendje të japë dëshmi. Gjykata vendosi të caktojë një ekspert, duke i lënë detyrë të përcaktojë nëse Tare ka qenë në gjendje për të dhënë dëshmi në prokurori, si dhe nëse është në gjendje të dëshmojë aktualisht.
Seanca e radhës u shty për më datë 14 shtator, në orën 10:00.







