
Ato kultivohen vetëm në pak fshatra të vendit: domate qershi të verdha në formë dardhe, që përdoren për përgatitjen e reçelit; misër kokoshkash me kokrra të zeza; fasule me ngjyrë rozë të ndezur; bishtaja jeshile që arrijnë deri në një metër gjatësi; si dhe varietete pjepri e fasulesh që nuk gjenden askund tjetër në botë.
Bëhet fjalë për një pasuri bujqësore pak të njohur, pothuajse ekzotike, e ruajtur në farat e kultivarëve të vjetër vendase. Ato kanë mbijetuar falë një nisme të ndërmarrë rreth 15 vjet më parë nga profesorja Mirjana Jankulovska, e Fakultetit të Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit në Shkup, së bashku me kolegët e saj.
Qëllimi ishte të vizitonin çdo fshat në Maqedoninë e Veriut dhe të mblidhnin e ruanin farat e rralla përpara se ato të zhdukeshin, ndërsa fshatrat po boshatiseshin dhe gjithnjë e më pak njerëz po merreshin me prodhimin e ushqimit për nevojat e tyre.
Ky material gjenetik mund të ketë rëndësi të veçantë në kushtet e ndryshimeve klimatike. Gjatë shekujve, këto bimë janë përshtatur me mjediset ku janë kultivuar, duke zhvilluar aftësinë të mbijetojnë në kushtet specifike lokale.
“Kur sheh një farë, mund të të duket e parëndësishme, por pa të nuk mund të mbijetojmë. Do të vdisnim nga uria. Nëse humbasim këto varietete, nëse humbasim këto fara, nuk ka më kthim pas,” paralajmëron Jankulovska.
Të trashëguara ndër breza

Larmia e varieteteve bimore që studiuesit zbuluan i tejkaloi pritshmëritë e tyre.
Jankulovska kujton habinë kur pa për herë të parë një grua në një treg lokal që shiste misër kokoshkash me kokrra të zeza – një varietet, fara e të cilit ishte ruajtur në familjen e saj për dekada me radhë dhe ishte mbjellë vit pas viti.
Një tjetër zbulim i veçantë ishte një lloj pjepri që banorët e quanin shkoravki ose badatki. Fruti ishte jashtëzakonisht i ëmbël, ndërsa farat ishin të grumbulluara në një masë të fortë e kompakte në qendër të pjeprit – një tipar tepër i pazakontë.
“Shfletuam gjithë literaturën që kishim në dispozicion, por edhe sot nuk kemi gjetur një shembull tjetër si ky,” thotë profesoresha.
Lart në malet mbi Strumicë, në fshatin Dorlombas, ku mund të mbërrish vetëm nëpërmjet një rruge të paasfaltuar, studiuesit gjetën një varietet të vjetër vendas të domates qershi të verdhë në formë dardhe, të cilën banorët e përdornin tradicionalisht për përgatitjen e reçelit.
Pikërisht për shkak të izolimit nga qyteti i afërt, banorët e fshatit e kishin mbështetur për një kohë të gjatë jetesën te prodhimi i ushqimit për nevojat e tyre, duke ruajtur pa e kuptuar një pasuri të jashtëzakonshme të varieteteve tradicionale.
“Kishin gjithçka që mund ta imagjinoni dhe të gjitha farat ishin trashëguar nga gjyshet dhe stërgjyshet e tyre,” kujton Jankulovska.
Gjatë një tjetër ekspedite, studiuesit morën fara lulëkuqeje që ishin ruajtur në një kavanoz qelqi për më shumë se 20 vjet.
Kur i mbollën, mbinë vetëm disa bimë. Megjithatë, edhe një bimë e vetme mjaftonte për të nisur një cikël të ri shumimi të farës.
“Ndonjëherë njerëzit nuk kanë mundësi të na japin shumë fara, ndaj marrim vetëm tre ose pesë kokrra,” shpjegon ajo.
Si rezultat i kësaj pune, ekipi ka krijuar një koleksion me rreth 10 mijë mostra farash, që përfaqësojnë 80 lloje bimësh, të mbledhura në më shumë se 600 fshatra në të gjitha komunat e Maqedonisë së Veriut, të cilat studiuesit i kanë vizituar personalisht.
Të gjitha këto janë mundësuar pa asnjë mbështetje nga shteti.
Ruajtja e këtyre farave nënkupton edhe ruajtjen e biodiversitetit bimor, i cili po tkurret gradualisht me zgjerimin e bujqësisë konvencionale dhe me rritjen e numrit të njerëzve që e blejnë ushqimin në supermarkete, në vend që ta prodhojnë vetë.
Në të njëjtën kohë, larmia e kulturave bujqësore rrit mundësinë për të identifikuar bimë që mund të zhvillohen në toka të varfra ose t’u rezistojnë thatësirës, dëmtuesve dhe sëmundjeve.
Jankulovska thotë se po e sheh këtë humbje të ndodhë para syve të saj. Kur ekipi nisi misionin 15 vjet më parë, plot entuziazëm, gjeti një bollëk farash. Por gjatë pesë viteve të fundit, “është bërë gjithnjë e më e vështirë të gjesh varietete vendase që kanë mbijetuar”, thotë ajo.
Fillimisht, të mbështetur pjesërisht nga projekte të financuara nga donatorë të huaj, studiuesit besonin se do të mund të vizitonin çdo fshat brenda pak vitesh. Këto plane u vonuan ndjeshëm kur kuptuan se punën do t’u duhej ta vazhdonin të vetëm.
Sipas Jankulovskës, ekspeditat për mbledhjen e farave ishin vetëm një pjesë e punës, e cila ishte gjithmonë e paparashikueshme.
Ndonjëherë ata ktheheshin nga terreni me makinën plot mostra, të cilat duhej të përpunoheshin brenda dy ose tre ditësh, në mënyrë që farat të nxirreshin në kohë.
Kjo shpesh nënkuptonte të kalonin net të tëra në fakultet duke nxjerrë farat nga pjeprat, shalqinjtë, domatet dhe frutat e tjera, përpara se ato të fillonin të kalbeshin.
Patëllxhanë që nga kohërat e lashta

Një nga zbulimet më befasuese të ekipit ishin ato që banorët vendas i quanin “patëllxhanë të bardhë”, farat e të cilëve studiuesit i morën gjatë një prej ekspeditave të tyre.
Në fakt, ai nuk ishte i bardhë, por i gjelbër. Kur farat u mbollën në parcelat eksperimentale të fakultetit, studiuesit mbetën të habitur: bima ishte e mbuluar me gjemba të mprehtë, jo vetëm përgjatë kërcellit, por edhe në lule.
“Vetëm më vonë e kuptuam se bëhej fjalë për një nga kultivarët më të hershëm të patëllxhanit të njohur në histori. Pikërisht këto tipare të padëshirueshme ishin ndër të parat që seleksionuesit e bimëve u përpoqën të eliminonin,” thotë Jankulovska.
Për të përcaktuar nëse farat e mbledhura përfaqësonin kultivarët të ndryshëm apo dublonin ata ekzistues, ekipi u desh të kryente analiza molekulare – teste të kushtueshme, të cilat shpesh i paguanin nga xhepi i tyre.
Po aq i madh ishte edhe interesi i studiuesve për larminë e fasuleve. Me kalimin e viteve, ata krijuan një koleksion prej më shumë se 2,200 mostrash.
Fasulet e bardha që gjenden zakonisht në supermarket përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të kësaj pasurie. Koleksioni përfshin edhe mashurka, si dhe varietete fasulesh me forma e ngjyra të shumta – vjollcë, të zeza, kafe, bezhë – përfshirë edhe fasule me ngjyrë rozë të ndezur, të cilat sot janë bërë pothuajse të pamundura për t’u gjetur nëpër fshatra.
Dy vjet më parë, për të studiuar karakteristikat e tyre, studiuesit mbollën rreth 400 kultivarë fasulesh në një parcelë eksperimentale prej një hektari.
Nga maji deri në dhjetor, një grup i vogël grash nga departamenti i kaloi ditët në arë. Dhe natyra u rezervoi edhe një surprizë.
Normalisht, gjethet e fasules përbëhen nga tre fletëza. Por mes farave të mbledhura, studiuesit zbuluan bimë me katër, pesë, madje edhe më shumë fletëza.
“Është hera e parë që një fenomen i tillë dokumentohet në botë,” thotë Jankulovska.
Pas botimit të një monografie kushtuar varieteteve të fasules në Maqedoninë e Veriut, ekipi synon të përgatisë botime të ngjashme edhe për specat dhe domatet.
Ka ende disa fshatra ku studiuesit nuk kanë arritur të shkojnë. Ata planifikojnë t’i vizitojnë, me shpresën se do të gjejnë ende diçka që ia vlen të ruhet. Megjithatë, Jankulovska beson se aty do të përmbyllet edhe misioni i mbledhjes së farave.
Studiuesit e kanë pranuar tashmë se nuk do të arrijnë të shpëtojnë gjithçka që kishin shpresuar të ruanin.
Deri tani, ata kanë dërguar më shumë se 5,000 mostra farash në banka gjenetike jashtë vendit, të bindur se atje do të ruhen në mënyrë të sigurt dhe do të identifikohen përgjithmonë si materiale me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Brenda vendit, koleksionet ruhen në bankën kombëtare gjenetike pranë Institutit të Bujqësisë, e cila aktualisht numëron 721 mostra që përfaqësojnë 43 lloje botanike.
Koleksione të tjera mbahen në Fakultetin e Bujqësisë në Shtip dhe në Institutin e Duhanit në Prilep.
Megjithatë, këto koleksione mbeten dukshëm më të vogla se materiali i mbledhur nga departamenti i Jankulovskës.
“Nëse ne vetë nuk i mbledhim, nuk i studiojmë, nuk i ruajmë dhe nuk vazhdojmë t’i përdorim kultivarët tanë vendase, askush nuk ka nevojë të na i vjedhë – do t’i humbasim për shkak të neglizhencës sonë,” paralajmëron Jankulovska.
Ajo thotë se e ka humbur numrin e premtimeve për mbështetje dhe fjalëve inkurajuese që ka dëgjuar ndër vite nga institucionet publike dhe kompanitë private.
Asnjë prej këtyre premtimeve nuk është shndërruar në mbështetje konkrete.
Sipas saj, është e vështirë të kuptohet se si, në një kohë kur ruajtja e identitetit maqedonas është bërë një temë e rëndësishme në diskursin publik, një element kaq themelor i këtij identiteti vazhdon të neglizhohet.
“Këto fara mbartin kujtesën e së kaluarës. Ato ruajnë recetat tradicionale, dijet vendase dhe mënyrën e jetesës së njerëzve në komunitete të caktuara rurale,” thotë profesoresha.
Drejt një kasaforte në Arktik

Një nga synimet më të fundit të ekipit është që një pjesë e koleksionit të tij të pasur të ruhet nën akujt e Arktikut, në Norvegji.
Atje ndodhet Kasaforta Globale e Farave në Svalbard, ku ruhen koleksione farash nga pothuajse çdo vend i botës. Ajo është krijuar për të mbrojtur diversitetin e kulturave bujqësore nga katastrofat globale, qoftë luftërat apo ndryshimet klimatike ekstreme.
Pikërisht falë kësaj kasaforte, Siria arriti të rikthente koleksionet e saj të farave pasi banka kombëtare gjenetike u shkatërrua gjatë luftës.
“Atje duam të dërgojmë atë që unë do ta quaja koleksioni ynë i sigurisë, polica jonë e sigurimit. Nëse nesër do të ndodhte çfarëdo fatkeqësie dhe do të humbnim rezervat tona të farave, do të mund t’i merrnim sërish prej andej,” thotë Jankulovska.
Megjithatë, dërgimi i farave në Svalbard nuk është aspak i thjeshtë.
Çdo varietet duhet të përfaqësohet nga një sasi minimale farash, të cilën ekipi ende nuk e ka. Prandaj, hapi i radhës do të jetë përzgjedhja e mostrave më të vlefshme dhe shumëzimi i tyre derisa të sigurohet sasia e nevojshme.
“Problemi ynë nuk është mungesa e aktivitetit, por mungesa e një sistemi. Kemi fara, koleksione, ekspertizë dhe profesionistë të kualifikuar. Ajo që na mungon është angazhimi i qëndrueshëm politik, financimi afatgjatë dhe koordinimi në nivel kombëtar. Kjo pasuri ekziston, por e ardhmja e saj nuk është e garantuar,” përfundon Jankulovska.







