
Epoka kur rendi global mbështetej në monopolin e Shteteve të Bashkuara mbi fuqinë ushtarake, ekonomike dhe sistemin e vlerave ka marrë fund, duke i dhënë fund njëkohësisht edhe periudhës së gjatë të stabilitetit të Evropës. Bota është bërë dukshëm më e trazuar dhe më e pasigurt, ndërsa e ardhmja e afërt pritet të sjellë edhe më shumë paqëndrueshmëri.
Në të kaluarën, konturet e rendit botëror pasqyroheshin qartë në formatin G7/G8, i cili bashkonte vendet kryesore të industrializuara. Por tani ekzistojnë formate rivale, si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait e udhëhequr nga Kina, Bashkimi Ekonomik Euroaziatik i udhëhequr nga Rusia dhe BRICS+ (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut dhe rreth gjashtë vende të tjera anëtare, si edhe dhjetë vende partnere), të cilat përbëhen kryesisht nga ekonomi në zhvillim.
Hegjemonia amerikane i ka lënë vendin një konfigurimi të ri të bazuar në rivalitetin dhe konkurrencën midis disa fuqive të mëdha, ku nuk ekziston më një grup i qëndrueshëm dhe i kodifikuar rregullash. Në vend të tyre, përcaktuese janë fuqia ekonomike, teknologjike dhe ushtarake, gjë që nënkupton një rrezik më të madh për konflikte, madje edhe për luftëra midis fuqive bërthamore.
Ky rend i ri vetëm i qëndrueshëm që nuk është. Luftërat në Ukrainë dhe në Gjirin Persik, si edhe lufta civile në Mianmar, të cilën askush nuk duket se po përpiqet seriozisht ta ndalë, e dëshmojnë këtë. Po ashtu, kërcënimi i vazhdueshëm i një lufte midis Kinës dhe Tajvanit ose në Gadishullin Korean mbetet i pranishëm. Dy luftërat e hapura, të shoqëruara me bllokadën iraniane të Ngushticës së Hormuzit, kanë pasur tashmë një ndikim të konsiderueshëm në ekonominë globale, për shkak të rritjes së kostove të naftës, gazit, plehrave kimike dhe mallrave të tjera jetike. Shumë njerëz po humbin jetën në të dy konfliktet dhe rreziku i përshkallëzimit vazhdon të rritet.
Nuk është për t’u habitur që Ukraina dhe Irani po tërheqin vëmendjen më të madhe të opinionit publik. Megjithatë, këto konflikte kanë edhe karakterin e luftërave përmes palëve të treta (proxy ëars), sepse implikimet e tyre strategjike nuk mund të kuptohen pa marrë parasysh rivalitetin historik midis Shteteve të Bashkuara, fuqisë dominuese të tanishme, dhe Kinës, sfidueses në ngritje. Kina po mban një profil të ulët dhe, në heshtje, po fiton epërsi, ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me vështirësi në Gjirin Persik dhe përplasen me miq e aleatë të kahershëm.
Kjo përplasje e fuqive të mëdha është një duel midis dy sistemeve thellësisht të ndryshme, që do të formësojnë shekullin XXI. Shtetet e Bashkuara kanë një ekonomi tregu shumë konkurruese dhe janë demokracia më e vjetër në botë, megjithëse aktualisht po përballen me dominimin e oligopoleve të industrisë së teknologjisë.
Ndryshe nga kjo, Kina është një shtet i centralizuar, i qeverisur nga një parti gjithëpushtetshme që mund të ushtrojë kontroll absolut mbi ekonominë, ushtrinë dhe shoqërinë. Brenda një brezi të vetëm, ajo është shndërruar nga një vend jashtëzakonisht i varfër dhe i pazhvilluar në një pretendente serioze për vendin e parë në rendin botëror. Ky është një sukses kolosal, pavarësisht se si përpiqesh ta interpretosh.
Goditja më mjeshtërore e komunizmit kinez erdhi pas çmendurisë së Revolucionit Kulturor të Mao Ce Dunit. Duke ruajtur pushtetin absolut dhe kontrollin e partisë, Deng Xiaoping lejoi që një sektor privat në rritje të shpejtë të lulëzonte brenda ekonomisë ekzistuese të kontrolluar nga shteti, e cila me kalimin e kohës tejkaloi edhe Shtetet e Bashkuara në shumë sektorë industrialë. Rezultati, i mbështetur nga një treg i brendshëm gjigant, është një lloj hiperkapitalizmi komunist.
Modeli kinez qëndron në kontrast të fortë me atë të Bashkimit Sovjetik, i cili që në fillim ishte një projekt antikapitalist, i udhëhequr kryesisht nga ideologjia. Kinezët synonin njëkohësisht të ruanin rrënjët e tyre dhe të merrnin si model ekonominë kapitaliste më të suksesshme në histori; dhe ia dolën. Kjo qasje, në dukje paradoksale, ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme dhe vazhdon t’i japë edhe sot.
Kina ia detyron suksesin e saj disa faktorëve, përfshirë një treg të brendshëm që mundëson ekonomi të mëdha shkalle, investime gjigante në infrastrukturë, një bum ndërtimi, urbanizim të përshpejtuar, konkurrencë të ashpër në tregun e brendshëm dhe investime masive shtetërore në kërkim dhe zhvillim. Shteti kinez është përqendruar me vendosmëri në objektivat e tij strategjikë, veçanërisht në forcimin dhe modernizimin e ushtrisë, si dhe në fitimin e garës për epërsi globale në teknologji si energjia e rinovueshme dhe inteligjenca artificiale. Askush nuk mund ta mohojë se aftësia e Partisë Komuniste të Kinës për planifikim afatgjatë dhe vendosmëria e saj për të arritur në krye kanë krijuar një sistem të dyfishtë jashtëzakonisht të suksesshëm.
Nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje t’i bëjnë ballë sfidës kineze ndaj epërsisë së tyre – siç bënë dikur me Bashkimin Sovjetik – kjo mbetet për t’u parë. Përgjigjja do të varet pjesërisht nga fakti nëse ato do të vazhdojnë të largohen nga modeli i kapitalizmit demokratik që vetë e përsosën. Prirja e tanishme drejt një oligopoli autoritar të magnatëve privatë të teknologjisë dhe kapitalizmit klientelist është një dhuratë për Partinë Komuniste të Kinës.
Por përgjigjja do të varet edhe nga fakti nëse lidershipi kinez do t’i rezistojë tundimit për të përdorur forcën kundër Tajvanit. Nëse Kina i përmbahet modelit të saj të suksesshëm, ajo mund dhe do të jetë në gjendje t’i arrijë shumicën e objektivave të saj me mjete paqësore, me kalimin e kohës. Megjithatë, do të duhet të shmangë iluzionin se historia zhvillohet sipas ligjeve që Partia Komuniste e Kinës pretendon t’i kuptojë. Rrethanat e paparashikuara dhe gjykimi i gabuar janë gjithmonë të mundshme, dhe pasojat e tyre mund të jenë jashtëzakonisht të kushtueshme. Mjafton të pyesni Vladimir Putin-in dhe Donald Trump-in.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Who Will Sit Atop the Next World Order?







