Aleksandër Ndoka, anëtar i këshillit bashkiak të Lezhës u vra në orët e para të mëngjesit të së shtunës nga persona ende të paidentifikuar në afërsi të banesës së tij.
Aleksandër Ndoka, anëtar i këshillit bashkiak të Lezhës dhe vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka u ekzekutua mëngjesin e së shtunës në afërsi të banesës së tij nga persona ende të paidentifikuar nga policia.
Policia e Shtetit deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se ishte njoftuar për vrasjen në orën 4.25 minuta të mëngjesit, ndërsa trupi i pajetë i 48 vjeçarit Ndoka u gjet në makinën e tij “Mitsubishi” me targa AA 382 SE në lagjen “Nënë Tereza” të Lezhës.
“Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendin e ngjarjes, ku po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë.. Në mbështetje të veprimeve që po kryhen nga D.V.P Lezhë për kapjen e autorëve janë dërguar edhe dy grupe të FNSH Shkodër,” thuhet në njoftimin e policisë.
Aleksandër Ndoka, baba i katër fëmijëve nuk rezulton sipas policisë të ketë pasur precedentë penalë. Ai u bë anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës në zgjedhjet lokale të vitit 2015 nën siglën e partisë “Rruga e Lirisë”.
Djali i tij, Samuel Ndoka u arrestua nga policia në tetor të këtij viti, pasi akuzohej për plagosjen e një aktivisti të Lëvizjes Socialiste për Integrim në ditën e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit në Shëngjin. Ai akuzohet për veprat penale të “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesmarrësve në zgjedhje”.
Në shtator të vitit 2015, vëllai i viktimës, Arben Ndoka hoqi dorë nga mandati i deputetit për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi rezultoi i dënuar në vitin 2003 në Romë me 7 vjet e 6 muaj burg për trafikimin e një vajze. Në një letër publike, Ndoka pretendoi se ishte dënuar gabimisht nga gjykata italiane.