Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) shpalli moskompetencë rreth kërkesës së partive opozitare PD-LSI, për shkarkimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) shpalli të premten moskompetencë rreth kërkesës së Partisë Demokratike dhe LSI, për shkarkimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. Në mbledhjen e këtij Këshilli u tha se ky vendim nuk është në kompetencat e KLP dhe se kërkesa për shkarkimin e Markut duhej t’i adresohej Komisionit të Disiplinës.
“Nuk është në kopentencat tona, argumentimin do ta bëjë me një shkresë që do t’ia drejtoj opozitës”, u shpreh kreu i KLP, Gent Ibrahimi për mediat.
Grupet parlamentare të PD dhe LSI depozituan më 29 Janar një kallëzim penal për kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku, për shkelje ligjore në zgjedhjen e Bujar Sheshit anëtar të KLP-së. Ato po ashtu i kërkuan KLP të shkarkonte Markun për këtë çështje. Kërkesat erdhën pas publikimit të një raporti të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, AISSH, i cili e akuzonte Sheshin se ka qenë ish-bashkëpunëtor i Sigurimit.
Opozita akuzoi Prokurorinë e Përgjithshme se nuk kishte pritur verifikimin nga AISSH dhe kishte lejuar zgjedhjen e Sheshit në KLP pa kryer verifikimet. Prokuroria e Përgjithshme nga ana e saj nisi një hetim ndaj AISSH-së duke fajësuar këtë të fundit për vonesë në kthimin e përgjigjes.
Ndërkohë në krahun tjetër Sheshi ka mohuar akuzat dhe ka fajësuar politikën për sulm ndaj tij. “Është shpifje, nuk kam qenë kurrë anëtar i Sigurimit të Shtetit,” tha ai pas publikimit të informacionit.
Ndërkohë në të njëjtën mbledhje KLP bëri një sërë komandimesh dhe emërimesh në prokurori të ndryshme. Ajo miratoi unanimisht komandimin e 6 këshilltareve pranë KLP. Miratoi me shumicë votash projekt rregulloren për angazhimin e prokurorëve në veprimtari jashtë funksionit, duke lejuar angazhimin në mësimdhënie 2 orë/ javë brenda orarit zyrtar.
Me shumicë votash u miratua edhe projekt rregulorja për zhvillimin e shortit për përzgjedhjen e dosjeve në kuadër të procesit të rivlerësimit. Ndërkohë me 7 vota pro, 4 kundër, u bë caktimi i prokurorit Ardjan Nezha në Prokurorinë e Pukës. Altin Dumani u caktua përkohësisht si drejtues në Prokurorinë e Apelit të Krimeve të Rënda, pas shkarkimit nga KPK të drejtuesit të kësaj prokurorie Artan Bajrami.
Po ashtu u caktua prokurorja Rozeta Qirjaqi me shumicë votash në pozicionin e drejtueses në Prokurorinë e Apelit Korçë, pas shkarkimit nga KPK të Irma Ballit që mbante këtë pozicion.