Policia rumune bastisi disa kompani në një hetim të ri për firmat që shesin dezinfektues të rremë ose të holluar nëpër spitale, pas incidenteve në të cilat pacientët vdiqën sepse u infektuan me baktere gjatë trajtimit nëpër spitale.
Policia të martën në mëngjes bastisi disa kompani në Bukuresht dhe rrethinat e tij, duke synuar firmat e dyshuara se kanë falsifikuar dhe u kanë shitur substanca të gabuara si dezinfektues disa spitaleve në vend, tha Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Rumune në një deklaratë.
Ministrja e shëndetësisë Sorina Pintea tha se një inspektim nga ministria zbuloi se rreth vitit 2011 ishin shitur rreth 5,000 litra biocide joefektive në mbi 30 spitale në të gjithë vendin.
“Është e vështirë të thuhet për sa kohë janë përdorur,” u tha Pintea gazetarëve të martën në mëngjes.
“Është ankesa jonë në polici që filloi hetimin. Kur kontrolluam, biocidet ende përdoreshin në spitale,” shtoi ajo.
Hetimi vjen një muaj pasi 13 pacientë vdiqën në spitalin Marius Nasta të Bukureshtit pasi u infektuan me baktere gjatë trajtimit.
Pintea tha se spitali nuk ka përdorur dezinfektues nga kompanitë e përfshira në hetim.
Dezinfektuesit e holluar nëpër spitale erdhën në qendër të vëmendjes në Rumani pas zjarrit në klubin Colectiv, ku mbetën të vdekur 65 persona në tetor 2015. Shumë nga njerëzit që u plagosën vdiqën pasi u infektuan nga bakteret spitalore gjatë trajtimit të tyre.
“Ministria duhet t’i parandalojë këto incidente. Unë shpresoj që kjo të jetë një thirrje alarmi për të gjithë menaxherët e spitalit të cilët duhet të respektojnë procedurat,” tha Pintea.
Një hetim në vitin 2016 tregoi se shumë spitale në Bukuresht, por edhe në qytete të tjera në Rumani, kishin përdorur dezinfektues të holluar për vite me radhë.
Shumica ishin blerë nga Hexi Pharma, një distributor i madh me bazë në Bukuresht.
Një gjykatë e Bukureshtit i dënoi menaxherët e kompanisë me burg dhe vendosi të premten e kaluar se Hexi Pharma duhet t’i paguajë mbi 20 milionë euro dëmshpërblim 128 spitaleve.
Pronari i kompanisë vdiq gjatë hetimit pasi makina e tij u përplas me një pemë në një periferi të Bukureshtit. Vdekja e tij u konsiderua si vetëvrasje.
Protestat masive pas zjarrit që ra në Colectiv çuan në dorëheqjen e kabinetit të social demokratëve të udhëhequr nga Victor Ponta në nëntor 2015.