Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të Dhorina Theodhorit, pas hetimit të kryer ndaj saj për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të premten konfirmimin në detyrë të drejtueses së Prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori. Vendimi u shpall nga trupa gjykuese, e drejtuar nga Pamela Qirko dhe me anëtare Genta Tafa Bungo dhe Etleda Çiftja.
Dhorina Theodhori ka kryer Shkollën e Magjistraturës përgjatë viteve 2005-2008. Në përfundim të studimeve, ajo është emëruar prokurore e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë ndërsa në vitin 2015 është komanduar zv.drejtuese.
Theodhori mban aktualisht postin e drejtueses së Prokurorisë së Korçës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu hetimin administrative për Theodhorin bazuar mbi tre kriteret e rivlerësimit. Sipas relatores Genta Tafa Bungo, nga verifikimi pasuror ka rezultuar se subjekti ka kryer deklarim të saktë dhe ka burime të ligjshme për pasurinë e saj.
Komisioni nuk ka gjetur probleme me deklarimin e pasurisë së trashëguar nga i ati, truall me sipërfaqe 56 m2 dhe ndërtesë 55 m2, me pjesë takuese 1/3. Edhe deklarimet e prokurores Theodhori për ndryshime në strukturë dhe rikonstruksion nga Bashkia e Korçës në kuadër të projektit të rikualifikimit të zonës së quajtur “Pazari i Vjetër” janë gjetur të sakta.
Komisioni gjeti gjithashtu të sakta deklarimet për një apartament 67 m2 në bashkëpronësi me nënën dhe motrën si dhe përfitimin e një sipërfaqeje toke me vendim gjykate nga familja Theodhori.
Gjatë seancës dëgjimore u konstatua një deklarim i vonë i një shtese prej 12 m2, ndërtuar në vitin 2009 dhe deklaruar në vitin 2014, por prokurorja Theodhori sqaroi në seancë se kishte menduar që momenti ligjor i deklarimit të kësaj pasurie ishte koha kur familja kishte bërë kërkesë për legalizimin e saj.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar, DSIK, nuk ka konstatuar kontakte të prokurores Theodhori me persona të lidhur me krimin e organizuar duke e vlerësuar të përshtatshme për vazhdimin e detyrës.
Gjithashtu edhe Prokuroria e Përgjithshme ka vlerësuar me nota pozitive aftësitë e saj në punë, por një nga gjashtë denoncimet nga publiku u bë pjesë e debatit në seancë. Sipas denoncimit, prokurorja Theodhori kishte vendosur mosfillimin e hetimit për një çështje, ndërkohë që një gjyq civil zhvillohej në gjykatë.
Theodhori u mbrojt me idenë se denoncimi nuk kishte indicie dhe se vendimi i mosfillimit të hetimit ishte mbështetur nga eprori i saj.
“Në materialin kallëzues nuk kishte asnjë indicie për të nisur hetimin,”,tha ajo, ndërsa shtoi se në atë kohë gjyqi civil ishte duke u zhvilluar. Më tej Theodhori sqaroi se lidhur me falsifikimin e dokumenteve për një pronë të pretenduar nga kallëzuesi, ishte gjykata ajo që duhej të vendoste nëse ishte e falsifikuar dhe nëse do të rezultonte e tillë duhej të njoftonte Prokurorinë.