Zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë më 19 maj gjenden përballë një pengese të re pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi të certifikojë kandidatët e propozuar nga partia kryesore serbe.
Zgjedhjet lokale të planifikuara të mbahen në katër komuna kryesisht serbe në Kosovë hynë në krizë të mërkurën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, nuk arriti të certifikojë kandidatët nga partia kryesore serbe në Kosovë, Lista Serbe.
Kandidatët nuk morën mbështetjen e nevojshme nga KQZ-ja, që do të thotë se kandidaturat e tyre janë refuzuar.
Anëtarët e KQZ-së nga partia opozitare Vetëvendosja abstenuan nga votimi, duke vënë në dukje se disa nga kandidatët ishin më parë kryetarë të komunave veriore dhe kishin dhënë dorëheqjen për arsye të paligjshme dhe antikushtetuese.
Vetëvendosja gjithashtu i bëri thirrje Listës Serbe të distancohet nga përmbajtja e letrave të dorëheqjes të ish-kryetarëve të komunave, ku ata i referoheshin Kosovës me termin serb si “Kosovë dhe Metohi”.
“Qëllimi i KQZ-së është të organizojë zgjedhjet, por ne duhet të respektojmë edhe ligjet e tjera dhe kushtetutën,” tha Adnan Rrustemi, një anëtar i KQZ-së nga Vetëvendosja.
“Ne gjithashtu presim që kryetarët e ardhshëm të komunave të distancohen nga premtimi se ata do të largohen menjëherë nga detyra nëse fitojnë zgjedhjet,” shtoi ai.
Lista Srpska nuk qe menjëherë e disponueshme për koment.
Pas votimit, Stevan Veselinoviç, nga Lista Serbe, tha se vendimi i Vetëvendosjes për të abstenuar përbënte një sulm politik ndaj serbëve në Kosovë.
Anëtarët e KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, nuk e mbështetën Vetëvendosjen, duke thënë se politika nuk ishte detyrë e KQZ-së. “KQZ-ja nuk është një institucion që rregullon skenën politike të Kosovës,” tha Sami Hamiti nga LDK.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi lajmëroi zgjedhjet për katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqjen në shenjë proteste kundër një vendimi të qeverisë për të vendosur taksa të larta për importet nga Serbia.
Lista Serbe, e cila ka lidhje të ngushtë me qeverinë serbe, kishte kandiduar Zoran Todiç për komunën e Leposaviqit, Srdjan Vuloviç për Zubin Potokun, Vukovin Jankoviç për Zveçanin dhe Goran Rakiçin për Mitrovicën e Veriut. Rakic, Jankoviç dhe Todiç ishin kryetarë të të njëjtave komuna.
Partia ka 24 orë kohë për t’u ankuar për vendimin e KQZ-së në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP.
Mbledhja e KQZ-së për të certifikuar kandidatët për zgjedhjet duhet të përfundonte të martën, por, për shkak të mosmarrëveshjeve, u zgjat deri të mërkurën në një përpjekje për të arritur një marrëveshje.
Kandidatët nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, dhe Vetëvendosja u votuan dhe pranuan të martën.