Një ton kanabis u sekuestrua dhe 61 persona u arrestuan nga policitë në Shqipëri dhe Greqi, pas hetimeve 10 mujore ndaj një organizate të trafikut të drogës. Mes të arrestuarve edhe nëndrejtori i spitalit të Sarandës.
Pas 10 muaj hetimesh Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit njoftuan se kishin goditur në bashkëpunim me autoritetet në Greqi, një organizatë të trafikut të drogës. Në një njoftim për shtyp policia tha se aksioni që u finalizuar me arrestimin e 14 personave, përfshi nëndrejtorin e spitalit të Sarandës Florenc Llanaj dhe një futbollist të Delvinës që dyshohen si të përfshirë në trafik.
Në një komunikim për mediat policia bëri me dije se në 10 muaj hetime ishin arrestuar 61 persona shqiptarë dhe të huaj, në Shqipëri dhe Greqi dhe ishin sekuestruar 1 ton kanabis. “Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, dhe në bashkëpunim me Agjenci të tjera ligjzbatuese në vend, në bashkëpunim të ngushtë mes Njësisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në DHQ dhe Autoriteteve Policore Greke, Sektorin Antidrogë, Athinë, si dhe falë koordinimit nga Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore SELEC, Rumani, pas një hetimi pro-aktiv përgjatë një harku kohor 10 mujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit, dhe këmbim informacioni e korrespodence me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit, u finalizua operacioni i koduar “Brezi i gjelbër”, njoftoi policia.
Sipas policisë bëhej fjalë për një “Mega Operacion” dhe se grupi i të dyshuarve u ndoq për 10 muaj, ndërkohë që një sërë rastesh trafiku droge u goditën gjatë kësaj kohe. Policia bëri me dije se ishin zbulaur 11 raste të trafikut të kanabist në Greqi dhe katër raste, përfshi kapjen e një sasi prej 200 kilogramësh hashash, në Shqipëri.
Ndërkohë përgjimet ndaj personave të përfshirë zbuluan edhe një rast të dyshuar korrupsioni në drejtësi që përfshin një prokuror të Gjirokastrës. Po ashtu nga përgjimet e grupit të narkotrafikut u kapën edhe 6 të dyshuar për vjedhje me dhunë.
Policia bëri me dije se në aksionin e fundit u arrestuan 14 persona. “Gjatë operacionit ku angazhuan qindra forca policie u kapën dhe u ndaluan 14 shtetas si dhe janë ushtruar rreth 30 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera”, njoftoi policia. Po ashtu sipas policisë u sekuestruan disa makina, municione dhe armë.