Drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho u përball me pikëpyetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pasurinë dhe për një marrëdhënie huaje me një biznesmen të denoncuar tre herë, por që në të tre rastet hetimet ishin pushuar. Pasho deklaroi se hetimet ishin mbyllur për shkak të mungesës së provave.
Gjatë një seancë dëgjimore maratonë, që nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 14:20 minuta të së hënës, drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastër, Arben Pasho u ballafaqua me pikëpyetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pasurinë dhe profesionalizmin. Pozita e kreut të Prokurorisë së Gjirokastrës duket se u rëndua edhe nga një marrëdhënie financiare me një biznesmen, që ishte denoncuar tre herë për pastrim parash, por që Prokuroria e Gjirokastrës i kishte mbyllur hetimet në të tre rastet.
Hetimi administrativ për Pashon u kryesua nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtar Roland Ilian. Ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm John Leonardo.
Arben Pasho drejton Prokurorinë e Gjirokastrës prej vitit 2011, ndërkohë që ka punuar si prokuror edhe në Sarandë e Tepelenë. Ai iu nënshtrua procesit të vetingut për të tre kriteret.
Relatori Olsi Komici tha se raporti i ILDKPI-së për Pashon nuk kishte konstatuar probleme të pasurisë apo të konfliktit të interesit. Ndërsa hetimi i KPK-së ka konstatuar disa probleme. Sipas relatorit, prokurori Pasho ka pasur burime të ligjshme për blerjen e apartamentit 78.8 m2 në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër në vitin 1996 në shumën e 2 milionë lekëve. Si burim të krijimit të kësaj pasurie, prokurori ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një pjesë të objektit të ish-hetuesisë në vlerën e 1.7 milionë lekëve dhe kursime në shumën e 300 mijë lekëve. Por komisioni ka evidentuar pasaktësi në pasqyrimin e vlerës së apartamentit, pasi Pasho e ka deklaruar bazuar në çmimin e tregut dhe jo në atë të vërtetin.
Edhe për shtesën e kryer mbi apartamentin me sipërfaqe 35 m2 të banueshme dhe 12m2 verandë, KPK ka konstatuar se prokurori Pasho ka pasur burime të ligjshme për kryerjen e shpenzimeve për të krijuar këtë pasuri. Pa probleme është gjetur edhe deklarimi për një pasuri truall + shtëpi me sipërfaqe 98 m2 në emër të djalit të subjektit, e trashëguar nga shtetasi E.Z.
Relatori Komici u shpreh se për blerjen e një autoveture tip “Benz” në vitin 2012 në vlerën 6600 eurove, huaja 7000 euro e deklaruar si burim është marrë disa ditë pas kontratës së shit-blerjes. Mospërputhje komisioni ka gjetur edhe në deklarimin e shumës për blerjen e një gomoneje peshkimi.
“Ajo [gomonia] është deklaruar e blerë për 2 mijë euro së bashku me një person tjetër.
Por, gomonia ka rezultuar e regjistruar vetëm në emër të prokurorit Pasho dhe e blerë në shumën e 1000 eurove,” tha relatori.
Një tjetër pasuri, burimi i së cilës ka qenë i paqartë për komisionin është shtëpia me sipërfaqe 123 m2 në Yzberisht të Tiranës, që i është trashëguar djalit të prokurorit nga prindërit e nënës së tij. Për këtë pasuri të blerë në shumën e 31.600 eurove nga prindërit e bashkëshortes së prokurorit Pasho, komisioni ka verifikuar mundësinë e të ardhurave të tyre.
Si burim krijimi i kësaj pasurie është deklaruar shuma 2.5 milionë lekë që i është dhënë vjehrrit dhe vjehrrës së tij nga vajza e tyre që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, të ardhurat në vlerën e 900 mijë lekëve nga qiraja e një godine nga viti 1993 deri në vitin 2001 dhe 5600 euro nga kursimet ndër vite. Komisioni ka gjetur se nuk është faktuar që për qiranë e përfituar të jenë paguar tatime dhe se prindërit e bashkëshortes së prokuorit Pasho nuk kishin pasur mundësi për blerjen e një partamenti. Gjithashtu, janë konstatuar mospërputhje edhe në deklarimet e prokurorit Pasho dhe baxhanakut të tij lidhur me burimin e 2.5 milionë lekëve që ky i fundit u ka thënë prindërve të bashkëshortes së tij.
Komisioni ka zbuluar edhe një transfertë prej 3 milionë lekësh, që bashkëshorjta e prokurorit Pasho ka kryer në favor të kunatit të saj në SHBA. Relatori Komici pohoi se Pasho ka shpjeguar se kjo shumë përfaqëson shumën si parapagim të apartamentit 78 m2 në pronësi të kunatit të bashkëshortes në SHBA dhe se nuk është deklaruar, pasi familja e tyre nuk ka përfituar gjë.
Një tjetër problematikë e konstatuar gjatë hetimit administrativ, që ka ngritur dyshime edhe për konflikt interesi, ka qenë huamarrja në vlerën e 14 mijë eurove nga ana e prokurorit Pasho nga shtetasi I.M. në vitin 2016. Pasho ka shpjeguar para komisionit se e ka marrë këtë hua në gusht të vitit 2016 për studimet e djalit në Hollandë dhe se e ka shlyer në dhjetor të po atij viti.
Komsioni ka marrë edhe deklarimet e huadhënësit, i cili ka shpjeguar se e njihte prokurorin që prej vitit 1993 dhe se kishte miqësi me të.
”Huadhënësi i shumës 14 mijë euro, I.M. është referuar në vitin 2013 pranë Prokurorisë së Gjirokastrës për “pastrim të produkteve të veprës penale”. Por, pavarësisht këtij referimi, emri i I.M. është gjetur në kollonën e personave të dëmtuar dhe jo të të proceduarve,” tha relatori Komici, duke ngritur dyshime për këtë marrëdhënie.
Drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës ka mohuar të ketë favorizuar personin në fjalë, ndërsa ka shpjeguar se hetimet i kishte kryer një prokuror tjetër dhe se nuk ishin gjetur prova të mjaftueshme për ta regjistruar emrin e tij si i proceduar.
Komisioni ka gjetur se edhe pse prokuroria e ka regjistruar çështjen pa autor, në vitin 2014 ka vendosur pushimin e saj.
Sipas komisionit, subjekti mund të gjendet në kushtet e konfliktit të interesit me shtetasin I.M. që i ka dhënë huanë 14 mijë euro në vitin 2016, pasi prokurori Pasho ka miratuar vendimin për mosfillimin e hetimit ndaj tij për pastrim parash në vitin 2014.
Ndërkohë, një tjetër dosje e vitit 2015 në ngarkim të I.M. për ndërtim pa leje është pushuar gjithashtu, vendim i miratuar edhe nga kreu i Prokurorisë. Në vitin 2015, I.M. është hetuar nga vetë prokurori Arben Pasho për shpërdorim të tokës dhe sërish është vendosur mosfillimi i procedimit ndaj tij.
Sipas relatorit Komici, subjekti gjendej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi e njihte prej 26 vitesh shtetasin I.M.
Pasi relatori Komici evidentoi gjetjet e komisionit, prokurori Pasho e konsideroi serioz procesin e rivlerësimit.
Pasho u shpreh se ka qenë i shqetësuar lidhur me gomonen, duke pohuar se e kishte blerë pasi është i apasionuar me sportet e natyrës.
“Unë e kam blerë 2000 euro edhe pse fatura mund të jetë 1000 euro”, pohoi ai. “Është përfolur për këtë gomone dhe nuk mund të merrja emrin skafist. Faleminderit që verifikuat që është ky mjet,” iu drejtua ai Komisionit, ndërsa shtoi se vetë kishte paguar vetëm gjysmën e vlerës.
Lidhur me pasuritë e baxhanakut të tij në SHBA, ai deklaroi se në kohën kur është prenotuar shtëpia që tani i është dhuruar djalit të tij, ata kishin të ardhura të konsiderueshme dhe se në atë kohë nisën të shisnin edhe pasuritë që kishin në Shqipëri.
Pasho u ndal edhe te huaja prej 14 mijë eurosh, për të cilën tha se kishte qenë i detyruar për shkak se i biri mund të humbiste studimet. Ai pohoi se nuk mund të merrte kredi, pasi shtëpinë e kishte lënë si kolateral për të vëllanë, ndërsa mbajti qëndrim të ndryshëm nga huadhënësi për marrëdhënien mes tyre.
“E kam njohur, por kam pasur marrëdhënie indiferente,” theksoi ai.
Ai deklaroi se denoncimi për pastrim parash ndaj I.M ishte regjistruar pa autor, dhe ndonëse nuk kishte prova në referim, kishin bërë të gjitha verifikimet e nevojshme. Nga hetimet kishte rezultuar sipas tij se I.M. dhe personat e tjerë, të cilëve u ishin sekuestruar llogaritë bankare nuk kishin qenë ndonjëherë të dënuar për asnjë vepër penale që mund të prodhonte të ardhura, të cilat më pas të pastroheshin.
“I.M. ishte ndërtues, e kishte nisur aktivitetin e tij që prej vitit 1992 dhe se nuk rezultonte të ishte i përfshirë në veprimtari kriminale,” tha kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës.
Pas kërkesës së prokurorit Pasho, Komisioni vendosi të administrojë si prova dokumentacione që vërtetonin të ardhurat e huadhënësit në periudhën kur është marrë huaja prej 14 mijë eurosh, vendimi i mosfillimit të çështjes, vendimin e prishjes së vendimit të pushimit për një prej rasteve të denoncuara nga publiku dhe kapakun e dosjes për regjistrimin e hetimit të çështjes, si edhe dokumente të tjera.
I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar, John Leonardo nëse kishte ndikuar te prokurori i çështjes për të mos regjistruar procedimin ndaj I.M, Pasho u përgjigj negativisht.
“Nëse e çmonte se emri duhej të regjistrohej, do ta kishte regjistruar,” tha ai.
Në fund të fjalës së tij, drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës e cilësoi ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dramatik.
“Kërkoj të mos humbas dinjitetin. Nuk kërkoj konfirmimin, por nëse jam një person dinjitoz, do dëshiroja të dilja si një njeri dinjitoz,” tha Pasho.
KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 15 maj, ora 09:30.