Drejtuesi 52-vjeçar i një kamionçine që furnizonte me karburant mjete të rënda të një kompanie minerare vdiq në një aksident në vendin e punës në Hotolisht të Librazhdit.
Drejtuesi 52-vjeçar i një kamionçine që furnizonte me karburant mjete të rënda të një kompanie minerare vdiq paraditen e të mërkurës në një aksident në vendin e punës në Hotolisht të Librazhdit.
Policia njoftoi se Hyqmet Verçani ishte duke furnizuar me karburant mjete të rënda që punojnë në nxjerrje të hekur-nikelit në kodrat e fshatit Vulçan në Librazhd dhe humbi jetën pasi u akzsidentua me mjetet e punës.
“Shtetasi H.V., rreth 52 vjeç, banues në fshatin Pishkash, Librazhd, ka ndëruar jetë pasi është aksidentuar me makineri të punës, i cili ishte punëtor në një minierë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, dëshmitarë në vendngjarje i thanë BIRN se viktima ishte drejtues i një mjeti kamionçinë. Sipas tyre ai ka zbritur nga mjeti për të furnizuar me karburant një eskavator që punonte për kompaninë e nxjerrjes së mineralit në një minierë të hapur, por e ka lënë makinën ndezuar.
Dëshmitarët, banorë të zonës që nuk pranuan të identifikoheshin, thanë se makina kishte rrëshkitur dhe 52-vjeçari ka tentuar ta ndalojë dhe të rimarrë kontrollin e makinës, por është tërhequr dhe shtyrë prej saj. Policia tha se do të kontrollonte gjendjen teknike të mjetit.
52-vjeçari punonte për kompaninë “Platinium Alb” e cila shfrytëzon prej vitit 2011 një karrierë me hekur-nikel në fshatrat Vehçan e Vulçan në Hotolisht të Librazhdit. BIRN nuk arriti të kontaktonte me përfaqësues të kompanisë.
Por një burim nga grupi hetimor bëri me dije se policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje administratorin e kompanisë, drejtuesin teknik dhe një punonjës të tretë, ndërkohë që ngjarja konsiderohet aksidentale.
Aksidentet gjatë punës në miniera janë të përsëritura në vend, kryesisht në zona me galeri nëntokësore si Bulqiza.