Disa dhjetra qytetarë, kryesisht prej fshatrave e zonave që preken nga ndërtimi i HEC-ve në vend, u bashkuan në një protestë para kryeministrisë, për të kërkuar ndalimin e projekteve të cilët i cilësuan shkatërruese për natyrën dhe për jetën e tyre.
Disa dhjetra qytetarë, kryesisht prej fshatrave e zonave që preken nga ndërtimi i HEC-ve në vend u bashkuan të shtunën në një protestë para kryeministrisë. Me gjithë vapën të moshuar në prag të 80-tave dhe prindër me fëmijë qëndruan për mbi një orë në bulevard duke kërkuar ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në lumejt e vendit.
Qazim Daci,77 vjeç, protestues nga Dibra tha gjatë protestës se ishte gatit të protestonin për çdo lum që cënohej nga Vermoshi në Konispol. Duke nënkuptuar moshën e tij Daci tha se dilte në protestë për të mos lejuar të cënohej e ardhmja.
“Kjo është një luftë për jetën e fëmijeve tonë, unë për vete bashkë me shokët e mi kemi mbaruar, por ama (nuk do të lejoj) të më vrasësh të ardhmen e fëmijëve të mi”, tha Daci.
Protesta e organizuar në Tiranë i bashkangjitet protestave në të gjithë Ballkanin nën emrin “Action Weeks for Balkan Rivers”. Një aksion i përbashkët i disa organizatave joqeveritare mjedisore. Kryeqytetet e Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë, Bosnjës dhe Greqisë do të organizojnë protesta, duke filluar nga e shtuna në Tiranë, Shqipëri, dhe duke u mbyllur më 16 korrik në Athinë, Greqi.
Olsi Nika nga organizata Eco Albania tha se kjo ishte protesta e parë me protestues nga i gjithë vendi dhe se kjo bënte të qartë se “sa i madh ishte konflikti social” i sjellë prej koncesioneve. Ai tha se ndërsa ishte protestuar vazhdimisht për lumej të ndryshëm, këtë herë protestuesit përfaqësonin çdo lum e zonë të prekur nga Kelmendi, në Dibër, Mirditë, Librazhd dhe zonën e Vjosës.
Nika tha se tani ishte e nevojshme që protestuesit të organizoheshin kundër HEC në një nivel kombëtar, për të ndaluar atë që e cilësoi shkatërrim të natyrës prej babëzisë. “Qytetarët e kanë kuptuar se ata nuk përfitojnë asgjë nga ndërtimi i këtyre HEC”, tha aktivisti Nika.
Duke filluar nga vitit 2002 në Shqipëri janë firmosur gati 190 kontrata koncensionare për ndërtimin e mbi 500 hidrocentraleve. Nga këto leje të dhëna rreth 200 kanë përfunduar së ndërtuari, 43 janë në proces ndërtimi dhe 364 nuk kanë filluar ende të ndërtohen. Ndërkohë megjithëse shpesh është premtuar pezullim punimesh e ndryshim kontratash, leje të reja kanë vijuar të jepen çdo vit.
Një pjesë e mirë e këtyre lejeve kanë sjellë përplasje me banorët lokale dhe në rastet e lumenjve Vjosë dhe Valbonë, edhe protesta ndërkombëtare. Lejet në mjaft raste, janë dhënë pranë ose brenda zonave të mbrojtura, duke cënuar monumente të natyrës dhe kulturës. Ndërkohë dëmet në mjedis prej futjes në tuba të qindra kilometrave përrej e lumenj, janë ende të paqarta.
Edhe protestuesit, të cilët akuzuan institucionet shtetërore dhe kompanitë për babëzi, hodhën akuza se dokumentet për HEC-et ishin bërë duke falsifikuar firmat e banorëve, devijuar koordinatat e në disa raste fshirë të vërtetën nga harta.
Dhimitër Koleci nga Zall Gjoçaj i Matit i tha BIRN se uji i lumit të zonës do merrej me tunel për në Mirditë dhe se në dokumentet e paraqitura prej kompanisë ai trajtohej si përrua i thatë. “Me devijim koordinatash dhe në letra është përrua i thatë ky, s’ka ujë ky, humbet uji”, tha Koleci pa e fshehur revoltën ndërsa tregonte një video të ujit që rridhte në lum.
“Pastaj thonë se do e kthejnë sërish në basenin e vet. Të gjithë lumejtë në Adriatik derdhen”, tha ai duke ironizuar projektin që sipas tij shkatërronte një zonë shumë të bukur.
Ali Hoxha, 79 vjeç, tregoi se ndërtimi i HEC Seta 4 në Dibër ishte një rrezik jo vetëm për natyrën e zonës, por për trashëgiminë kulturore të saj. Hoxha tha se lugina që rrezikonte të thahej nga futja e ujit në tuba, njihej si një prej zonave ku ishin strehuar banorët për shekuj me rradhë në kohë luftërash. Ai tha se HEC cënonte po ashtu mbetjet arkoelogjike të një kalaje të Skënderbeut.
Protestuesit, që ironizuan qeverinë me parrulla dhe pankarta thanë se ndërtimi i një sërë HEC-esh të vogla shkatërronte faunën në mjaft prej këtyre zonave. Sipas tyre specie si trofta apo ariu ishin seriozisht të rrezikuara nga futja e ujit në tuba.
“Uji është jeta. Me ndërtimin e HEC dhe futjen e ujit në tupa, mijëra banorë mbeten pa ujë”, tha një protestues. Ata thanë se efektet e tharjes së përrejve do të dukeshin në 10-15 vjet, ndërsa paralajmëruan se ky shfrytëzim do i kthente zona të bukura të vendit në shkretëtira.