Vjena e ka lënë pas Melburnin duke zënë vendin e parë në Indeksin Global të Qëndrueshmërisë të Economist Intelligence Unit për vitin 2019, duke forcuar më tej reputacionin e saj si qyteti më i këndshëm në botë, ndërsa protestat e “jelekverdhëve” dëmtojnë renditjen e Parisit në indeks.
Kryeqyteti austriak, i cili tërheq turistët për skenën e tij të muzikës klasike dhe asaj perandorake, por që gjithashtu ka hapësira të bollshme të gjelbra dhe shërbime të shkëlqyera publike, vitin e kaluar i dha fund kryesimit të renditjes nga ana e Melburnit për shtatë vite me radhë të sondazhit të 140 qyteteve.
Vjena dhe Melburni ka qenë me rezultate shumë të ngushta në studimin e EIU për vite me radhë, por kryeqyteti austriak gjithashtu rregullisht kryeson një renditje më të madhe të qyteteve për nga cilësia e jetës e përpiluar nga firma konsulente Mercer.
Hendeku midis dy qyteteve – me 0.7 pikë diferencë nga 100 që është totali, me rezultatin e Vjenës 99.1 pikë – ishte i pandryshuar në renditjen e vitit 2019 të botuar të mërkurën, njësoj si edhe ai i dhjetë qyteteve më të mira, edhe pse Sidnei iu afrua rivalit të tij të vjetër, Melburnit.
“Sidnei nga vendi i pestë tashmë është renditur i treti, falë një përmirësimi në pikët përsa i takon kulturës dhe mjedisit, që tregon një rritje të fokusit në luftimin dhe reduktimin e impakteve të ndryshimeve klimatike, siç theksohet nga strategjia e qytetit “Sidnei i Qendrueshëm 2030”,” tha EIU.
Megjithatë, Sidnei nuk arriti t’ia kalonte Melburnit.
“Me të dy qytetet që morën pikë shumë të larta në të gjitha kategoritë, ka shumë pak mundësi që Sideni të zëvendësojë Melburnin apo Vjenën në krye të renditjes. Asnjë qytet tjetër në grupin e dhjetë më të mirëve nuk pa ndryshim në rezultatet e tyre të pikëve.”
Osaka i Japonisë u rendit i katërti, ndjekur nga tre qytete kanadeze – Kalgari, Vankuveri dhe Toronto. Toronto ishte me pikë të barabarta me Tokion për vendin e shtatë. Kopenhageni dhe Adelaide në Australinë e Jugut mbyllën dhjetëshen e qyteteve me renditjen më të mirë.
Indeksi i EIU i rendit qytetet bazuar në pesë kritere kryesore. Stabiliteti dhe kultura dhe mjedisi janë kategoritë më të rëndësishme. Më pas vijnë kujdesi shëndetësor dhe infrastruktura dhe kriteri i fundit është arsimi.
“Parisi në Francë është qyteti i renditur më lartë që ka parë një përkeqësim përsa i takon stabilitetit të pikëve, kjo për shkak të protestave të vazhdueshme kundër qeverisë nga ana e jelekverdhëve që filluan në fund të vitit 2018,” tha EIU për lëvizjen franceze kundër qeverisë.
Parisi ra me gjashtë vende, duke u renditur i 25-ti, nga i 19-ti që u rendit vitin e kaluar.
Pikët për kulturën dhe mjedisin u ulën për shumë qytete në vende të varfra që janë ndër më të ekspozuarit ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, përfshirë këtu Nju Delhi dhe Kajro për cilësinë e tyre të ulët të ajrit.
Damasku në Sirinë e shkatërruar nga lufta ishte qyteti që u rendit më keq, poshtë Lagosit në Nigeri dhe Dhakas, kryeqytetit të Bangladeshit, të cilët ndërruan vende bashkë.
Marrë me autorizim nga Weforum.org. This European city has retained its spot as the best place to live